Shtune, 22 Nentor 2008 13:51:16

Lexoni versionin Print

Eridona: Më jepni biletën që do të më shpëtojë jetën

Një biletë avioni për të shpëtuar jetën e Eridonës. Ky është apeli i prindërve të 8-vjeçares, jeta e së cilës varet nga një ndërhyrje kirurgjikale që do t’i bëhet në Itali. Para një viti Eridona Vukaj ishte si gjithë fëmijët e tjerë, ndërsa tashmë paraliza nuk e lë të lëvizë nga vendi.

Eglantina Bardhi
Marte, 07 Tetor 2008 10:08:00

Pacientja 8-vjeçare vuan nga paraliza cerebrale, por mjekët pohojnë se operacioni bëhet jashtë. Prindërit: Na mungon vetëm bileta e avionit

Një biletë avioni për të shpëtuar jetën e Eridonës. Ky është apeli i prindërve të 8-vjeçares, jeta e së cilës varet nga një ndërhyrje kirurgjikale që do t’i bëhet në Itali. Para një viti Eridona Vukaj ishte si gjithë fëmijët e tjerë, ndërsa tashmë paraliza nuk e lë të lëvizë nga vendi. Mjekët e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pohojnë se vogëlushja ka pësuar paralizë cerebrale, operacion që mund të realizohet nëpërmjet endoskopisë, por jo në vendin tonë.

Në fakt prindërit e Eridonës kanë mundur që me anë të një organizate bamirëse të sigurojnë shpenzimet e operacionit në një spital në Romë, por e shohin të pamundur transportin e Eridonës me barelë, pasi asnjë linjë ajrore nuk e merr përsipër transportin e saj me barelë. Të ndodhur përballë kësaj tragjedie, babai i Eridonës, Mark Vuka nga Lezha, i bën thirrje strukturave shtetërore ta ndihmojnë atë të paktën për transportin deri në spitalin e Romës. Ndërsa Eridona me zgjuarsinë e saj tashmë i ka kuptuar të gjitha dhe pyetja që iu bën gjithnjë prindërve është nëse ia gjetën biletën për të shkuar në Romë, aty ku do të gjejë edhe shpresat.

Sëmundja

Eridona ka lindur me një keqformim, pasojat e së cilës do t’i shpërthenin në moshën 7-vjeçare duke e lënë të paralizuar në vend. Babai i saj pohon se vogëlushja ka pasur 2 herë brenda 3 muajve hemorragji cerebrale, ku hera e dytë e la me pasoja shumë të rënda. Por fati i keq i vogëlushes nuk do të ndalonte këtu, pasi bluzat e bardha në vendin tonë, përveç ndihmës humane dhe dëshirës së mirë për ta shpëtuar nuk do t’i jepnin dot më shumë. “Shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, më tha se vajzës mund t’i bëhet ndërhyrje kirurgjikale vetëm jashtë shtetit, pasi në vendin tonë nuk ka asnjë mundësi teknike për t’u realizuar”, pohon ai, duke shtuar se për këtë profesor Petrela i kishte dhënë epikrizën së bashku me rekomandimin se Eridona mund të gjente shpëtim vetëm në spitalet e huaja.

Ndërsa vëllai i Eridonës, i cili nuk i ndahet për asnjë moment nga koka, tregon historinë se si e motra ishte sëmurë. “Deri para një viti Eridona ishte shumë e shkathët dhe luante me moshatarët e saj pasi asnjëherë nuk ka pasur shqetësime. Herën e parë kur iu shfaq sëmundja ishte tek tezja dhe e kapën të vjella dhe temperaturë e lartë. Ne e sollëm në spital dhe mjekët na e bënë me dije se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe pikërisht paraliza cerebrale”,- pohon vëllai i Eridonës.

Më tej babai i saj, Marku, nis bisedën e të birit pasi dhembshuria për motrën nuk e la të vazhdonte më gjatë. Sipas Markut kriza e parë nuk e la të paralizuar Eridonën, por mjekët e kishin paralajmëruar se kjo sëmundje nuk mund të shkaktonte pasoja më të rënda nëse operacioni nuk i realizohet sa më shpejt. Dhe në fakt ashtu ndodhi, sepse pas 3 muajsh dhe pikërisht në qershor Eridonës do t’i binte përsëri paraliza cerebrale, por kësaj radhe duke i lënë të paralizuar komplet njërën anë të trupit. “Po jetojmë me frikën se vajza do na ikë nga duart, ndaj kërkojmë ndihmë që kësaj radhe të mos i vonohet më operacioni”,- pohonMark Vukaj.

Transporti

Në vendin e saj vogëlushja Eridona ka gjetur vetëm angazhimin e bluzave të bardha, por këta të fundit nuk mund ta ndihmojnë atë me operacionin pasi nuk kemi teknologjinë që e mundëson këtë ndërhyrje. Prindërit e Eridonës i falënderojnë këta mjekë, por nuk mund të falin kurrsesi neglizhencën e strukturave shtetërore të cilat nuk mundësojnë të paktën transportin e Eridonës për në spitalin e Romës, ku mund t’i lindin përsëri shpresat. “Është absurde që organizatat botërore humanitare dhe konkretisht “Caritas” janë të gatshme të ofrojnë ndihmë dhe të marrin përsipër shpenzimet, duke filluar nga vizat e deri tek operacioni, ndërsa vendi ynë hesht edhe për kërkesat më elementare siç është transporti në këtë rast”,- pohon Mark Vuka, duke theksuar se bën apel në emër të fëmijëve që të ndihmohet sa më shpejt.

Mjekët: Nuk e realizojmë dot operacionin, duhet të dalë jashtë

Pacientja ka lindur me një keqformim i cili ka shpërthyer në një moment të caktuar duke i shkaktuar këto pasoja. Keqformimi ka të bëjë pikërisht me hemorragjinë cerebrale e që ka plasur tek vogëlushja në moshën 7-të vjeçare. Ky është shpjegimi i mjekëve të cilët kanë ndjekur trajtimin e Eridonës për muaj me radhë.

Ndonëse nuk e fshehin rrezikshmërinë e sëmundjes, mjekët pranojnë se në vendin tonë nuk mund të realizohet ky operacion. “Sigurisht që pacientja ka nevoja urgjente që t’i nënshtrohet operacionit, por për fat të keq ne nuk mundemi t’ia realizojmë atë, ndaj dhe duhet të dalë jashtë shtetit. Por puna jonë si mjekë mbaron këtu pasi nuk e kemi ne në dorë për të nxjerrë pacientët jashtë shtetit. Në rastin konkret prindërit për fat të mirë kanë mundur që me anë të një shoqate bamirësie të sigurojnë mbështetjen e spitalit të Romës, por problemi qëndron pikërisht tek transporti”,- pohojnë mjekët, duke shtuar se vonesat e operacionit janë në dëm të pacientes.

 

Eridona, fëmija gjeni në matematikë

Është shumë e zgjuar dhe në matematikë askush nuk ia kalonte. Tiparet i ka shumë të bukura, të cilat duken si të pikturuara mbi lëkurën e bardhë. Ajo me pak gjëra që ka dëgjuar pa dashur rreth sëmundjes ka arritur të kuptojë se është vërtet në rrezik. Pika e dobët e Eridonës duket që është i vëllai rreth 25 vjeç, i cili nuk e fsheh për asnjë moment dhembshurinë që po e gërryen çdo ditë e më shumë për sëmundjen e motrës. “Eridona është gjeni në matematikë, e para në klasë dhe mundet të zbërthejë çdo opsion të celularëve të çfarëdolloj marke të jenë. Është vërtet e zgjuar”,- pohon vëllai i saj tek e ushqen me kujdesin më të madh.

Ndërsa Eridona është shumë e shkathët dhe nëse e pyet për ndonjë gjë, përgjigjen e ka në majë të gjuhës dhe është shumë e qartë me ato që thotë. Madje të lëndon kur dëgjon fjalët e saj gjithë dhembshuri për hallin që e ka zënë. “Po, po më duhet të shkoj patjetër në Romë se atje do të më bëhet derman. Nuk dua të mbetem gjithmonë në shtrat, dua të luaj me shoqet si më parë”,- thotë vogëlushja Eridonë. Teksa largohemi dhe kërkojmë numrin e telefonit të babait të Eridonës, ky i fundit i hutuar e ngatërron, por Eridona e korrigjon përnjëherë duke treguar numrin e saktë të të atit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Eridona Vuka

Përmbledhje, qëndrimet e ndërkombëtarëve për EULEX

22/11/08 13:34:00 | EULEX-i do të mund të fillojë punën në muajin dhjetor, siç..

Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML