Punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik ndërpresin punë në shenjë proteste. Mjekët me master. Qeveria nuk po mban premtimin
Mjekët dhe laborantet e Institutit të Shëndetit Publik prej katër muajsh nuk kanë marrë shtesën prej 10 për qind të pagës në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ka hyrë në fuqi që në muajin korrik. Ka mjaftuar kjo neglizhencë nga strukturat përgjegjëse, që ka revoltuar këtë kategori punonjësish, për t’u hedhur në protesta ditën e djeshme duke bërë pezullimin e punës.
Ndërsa burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se rritja e pagave për këta punonjës nuk është bërë pasi ende nuk ka ardhur i zbardhur vendimi nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë edhe mjekët me master ankohen se nuk kanë marrë ende rritjen e pagave me 10 për qind që u miratua nga Këshilli i Ministrave para 1 viti.
Ankesat
Të harruar dhe të nënvlerësuar për punën që bëjnë. Kështu ndihen punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët pohojnë se po humbasin çdo besim përderisa nuk po zbatohet as Vendimi i Këshillit të Ministrave. Kryetari i sindikatës së punonjësve shkencorë të ISHP, Dritan Ulqinaku, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për zbardhjen e vendimit sa më parë.
Por vendimi i Qeverisë është injoruar edhe për mjekët që kanë mbaruar master, pasi ata nuk marrin rritjen e pagës prej 10 deri në 20 mijë lekë (të reja) prej një viti. Të ndodhur përballë këtij fakti, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të zhgënjyer ndaj moszbatimit të vendimit të Qeverisë i janë drejtuar drejtorisë së spitalit të tyre për të marrë ndonjë përgjigje. “Vetë kryeministri Berisha para 1 viti premtoi se mjekët me shkollë pas universitare do të merrnim 10 deri në 20 mijë lekë më shumë në pagë, por deri më sot pagës tonë nuk i është shtuar as edhe një qindarkë më shumë”,-pohon njëri nga mjekët e QSUT-së, duke shtuar se ky është një nënvlerësim që iu bëhet bluzave të bardha dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për mjekë specialistë.
Sipas tyre, mjekët që kanë mbaruar studimet pasuniversitare jashtë vendit duhet të marrin një përqindje më të lartë se ata që kanë mbaruar në Shqipëri. Ndërkohë, mjekët shpjegojnë se në bazë të vendimit të qeverisë këtë shumë do ta përfitonin mjekët që nuk janë pedagogë në universitete, pra ata që nuk marrin një rrogë të dytë në arsim. Gjithashtu ata pohojnë se shumica e mjekëve në QSUT janë me master, ndaj dhe ankesat drejtuar drejtorisë së tyre janë të shumta. “Fundja ai ishte një vendim qeverie, ndaj dhe është serioze që të zbatohet me përpikëri”, - pohojnë mjekët e QSUT-së, duke shtuar se duhet të merren masa për zbatimin e këtij vendimi.