DEKLARATA/ Ministrja e Shëndetësisë theksoi se është e papranueshme që spitalet dhe qendrat rurale janë të braktisura
TIRANË - Mjeku që del nga ky fakultet, duhet të shërbejë së paku për pesë vjet në komunën e rrethit prej nga ka ardhur. Ky ka qenë ultimatumi i ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik drejtuar studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, e cila thekson se është e patolerueshme që shumë zona në vendin tonë nuk kanë mjek. “Duhet të fusim patjetër në fakultet frymën e rritjes së ndërgjegjes së mjekut. I diplomuari ka një detyrë të qartë ndaj shoqërisë dhe shtetit që i ofron dhe i jep mundësinë të bëhet mjek. Është e papranueshme të shikojmë sot spitalet dhe qendrat rurale të braktisura”,- pohon Godo, duke shtuar se nuk mund të rrinë e të vështrojnë popullsinë që jeton në fshatra, të vuajë për mungesë të mjekut, që nuset të lindin në kushtet e gjysheve, për më tepër që në fshat jeton gjysma e popullsisë.
Sipas Godos, mjeku që përfundon fakultetin, duhet të shërbejë së paku për pesë vjet në komunën e rrethit prej nga ka ardhur. Ndërkohë, vetëm pak muaj më parë, në një intervistë për “Shekullin“ Anila Godo pati ngritur shqetësimin e mungesës së mjekëve në shumë zona dhe mbipopullimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si një ndër problemet kryesore që mundon sot shëndetësinë. “Kemi konstatuar se ka shumë zona pa mjekë, ndërsa në Tiranë janë shtuar, duke u përqendruar sidomos në QSUT, dhe kjo nuk është aspak normale”,- pohoi Godo.
Sipas ministres, për mjekët që bëjnë specializime në Tiranë dhe nuk kthehen më në vendet e tyre të mëparshme, do të ketë penalizime tepër të rënda. Ajo shprehet se këta mjekë do të kthehen me detyrim në zonat e tyre. “Të gjithë do të kthehen me detyrim në rrethet e tyre ose në të kundërt, dënimet do të jenë deri në heqje të licencës. Kur shteti i sponsorizon për 4 vjet specializime, duke iu dhënë edhe rrogë, plus kësaj edhe arsimimi i tyre i lartë në universitetet publike, atëherë edhe ata janë të detyruar të shkojnë atje ku kanë nevojë banorët”, -pohon Godo.
Ndërkohë, ajo thekson se nga ky rregull nuk do të përjashtohen as femrat, të cilat janë të martuara në Tiranë. “Jam nënë vetë, por mjekët duhet ta kishin marrë parasysh që pas specializimit do të ktheheshin në Tiranë”,- thekson Godo.