Pacientë me zemër, të alkoolizuar, dhe itoksikacione ushqimore, mbipopullojnë urgjencat e spitaleve
Netët dhe ditët e Viti të Ri kanë rezervuar fluks pacientësh nëpër urgjencat e spitaleve. Personeli shëndetësor është përballur me pacientë të alkoolizuar, pacientë që janë diabetikë, por që kanë prishur dietat në këto ditë festash, pacientë më probleme zemre, intoksikacione ushqimore dhe shumë patologji të tjera. Shefi i urgjencës së Patologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Edmond Zaimi, pohon se edhe këtë vit, festa e Vitit të Ri është mbyllur me fluks pacientësh, por nuk kanë pasur të bëjnë me ndonjë situatë alarmante.
Fluksi i pacientëve
Viti i Ri nuk ka bërë përjashtime nga vitet e kaluara, edhe sa i takon numrit të lartë të personave që kanë trokitur në dyert e urgjencave mjekësore. Kështu, vetëm në urgjencën e Patologjisë, shefi Edmond Zaimi pohon se ka pasur rreth 100 urgjenca në ditë. “Tek ne vijnë pacientë që kanë të bëjnë me problemet e sëmundjeve të brendshme.
Kryesisht janë paraqitur pacientë që kanë probleme me zemrën, pasi këto urgjenca përbëjnë rreth 60 për qind të totalit të numrit të urgjencave. Mund të kenë ndikuar edhe temperaturat e ulëta që janë shënuar këto ditë, ndaj të cilave personat që vuajnë nga zemra janë shumë të ndjeshëm”,- pohon Edmond Zaimi, duke shtuar se ka pasur edhe pacientë me kriza në veshka, diabetikë dhe me sëmundje të tjera. Sipas tij, personeli shëndetësor, ndonëse kanë qenë në ditë festash, janë paraqitur në punë si çdo ditë tjetër, pasi urgjencat mjekësore duhet të jenë në gatishmëri në çdo moment.
Intoksikacionet
Urgjenca e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare, ka qenë gjithashtu strehë për shumë pacientë ditën e Vitit të Ri. Konsumimi i produkteve të pakontrolluara ka bërë që personeli të përballet me pacientë që kanë paraqitur probleme shëndetësore. Sipas personelit, situata është mbajtur nën kontroll dhe nuk ka pasur ndonjë problem alarmant, megjithatë nuk ka pasur asnjë neglizhencë për asnjë moment.
Ndërkohë, edhe personeli iurgjencës së shërbimit të Toksikologjisë, pohon se janë përballur me fluks pacientësh që kanë konsumuar pije alkoolike gjatë ditëve të festave. “Në fakt është e pritshme që të paraqitet fluks pacientësh të alkoolizuar, pasi kjo praktikë paraqitet çdo vit.
Të ndodhur përballë eksperiencave të viteve të kaluara, jemi të detyruar që urgjencën ta mbajmë në gatishmëri për të pritur numrin e lartë të pacientëve që konsumojnë alkool jashtë normave të lejuara. Të gjitha këto reflektohen në shëndetin e tyre dhe shpesh janë bërë edhe burime aksidentesh”,- pohon personeli i shërbimit të Toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak.
Problematikë janë shfaqur edhe fishekzjarrët. Urgjenca e Djegie-Plastikës ka pritur pacientë të djegur
Tavolina e Vitit të Ri mbush urgjencat me diabetikë
Tavolinat e shtruara me rastin e Vitit të Ri, i kanë tunduar diabetikët të prishin dietat dhe kjo ka sjellë shumë probleme për shëndetin e tyre. Kështu, në urgjencat e spitaleve, mjekët pohojnë se janë përballur me shumë pacientë diabetikë, të cilët kanë ardhur me urgjencë, pasi ushqimet e papërshtatshme që kanë konsumuar, i kanë rrezikuar shumë atë.
"Padyshim që personat diabetikë duhet të jenë të kujdesshëm me produktet që konsumojnë, pasi sheqernat dhe yndyrnat u shkaktojnë atyre dëme të rënda. Në fakt, ndonëse janë pacientë kronikë dhe i dinë pasojat e sëmundjes nëse konsumojnë produkte të papërshtatshme, duket se shumë prej tyre nuk i rezistojnë tavolinës së Vitit të Ri dhe përfundojnë në urgjencat e spitaleve.
Kjo është një eksperiencë, me të cilën ndeshemi çdo vit dhe po ashtu edhe me këtë kategori pacientësh, ndonëse mjekët nuk i kursejnë këshillat që ata duhet të tregojnë kujdes në këtë aspekt”,- pohojnë mjekët. Më problematikët duket se kanë qenë fëmijët diabetikë, pasi ata e kanë më të vështirë të realizojnë të gjitha këshillat që u japin mjekët.
Ndërkohë, pavijoni i Djegie-Plastikës nuk ka kaluar fare në heshtje ditën e ndërrimit të viteve, pasi edhe aty janë paraqitur raste pacientësh që kanë pësuar djegie nga fishekzjarrët. “Theksojmë se nuk ka asnjë situatë alarmante dhe djegiet nuk kanë qenë të një shkalle të rëndë. Në përgjithësi, personat kanë ardhur dhe kanë marrë ndihmën e shpejtë, pastaj janë larguar për në shtëpi”,- pohon personeli, duke shtuar se, në përgjithësi, personat që paraqiten, janë mosha të reja.
QSUT, Kardiologjia pa ngrohje
Pacientët që nuk kanë pasur mundësi ta kalojnë ndërrimin e viteve pranë shtëpive të tyre, janë përballur me të ftohtin që u është ofruar në spital. Kështu, më të prekurit nga kjo anomali e spitaleve tona janë pacientët e shërbimit të Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët janë ndeshur me të ftohtin që u kanë ofruar festat.
Prej kohësh, sistemi i kaldajave na këtë pavijon nuk funksionon dhe pacientët në vend të shërohen, sëmuren më shumë, pasi përfitojnë edhe ndonjë të ftohur. Personeli pohon se sistemi i ngrohjes nuk funksionon dhe për këtë nuk kanë pse fajësohen bluzat e bardha, por duhet që të marrin masa organet drejtuese. Të ndodhur përballë kësaj situate, pacientëve nuk u mbetet gjë tjetër, vetëm të luten që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt.