Këshilli i Ministrave ka vendosur që mjekët me master të marrin 100 mijë lekë shtesë page. Këtë shtesë do ta marrin nga 1 korriku i 2008-s
Vendimi
Të gjithë mjekët që kanë mbaruar studimet pas universitare, do të marrin shtesë page prej 10 mijë lekësh në muaj, duke filluar nga janari i këtij viti. Madje, kjo rritje page do t’u fillojë që nga muaji korrik i vitit 2008. Kjo është vendosur ditët e fundit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përfitues do të jenë mjekët që punojnë në të gjitha strukturat shëndetësore.
Këtë e pohojnë për gazetën burime zyrtare pranë Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilave kjo rritja page do të jetë standard për të gjitha bluzat ebardha që kanë master. Kjo do të thotë se të gjithë mjekët që kanë master, pavarësisht pozicionit të tyre, vjetërisë së punës apo nëse punon në spital ose poliklinikë, do të marrin njësoj rritjen e rrogës me 10 mijë lekë.
“Në vendimin eKëshillit të Ministrave, miratuar pak ditë më parë, thuhet se kjo rritje page do të shpërndahet duke filluar nga janari, dhe se kjo rritje do të njihet që nga muaji korrik i vitit të kaluar”, - pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, vetëm para pak kohësh mjekët janë ankuar se rritja e pagave për master është miratuar nga Këshilli i Ministrave një vit më parë, por nuk kanë marrë asnjëherë këtë rritje page.
Ankesat e mjekëve
Ka qenë një vendim i Këshillit të Ministrave, i miratuar 1 vit më parë për shtesën e pagave të mjekëve me master, por deri më sot mjekët nuk kanë marrë asnjë shtesë page. Tashmë, pothuajse i njëjti vendim u përsërit vetëm pak ditë më parë, duke u vendosur që rritja e pagës do të shpërndahet brenda këtij muaji.
Ndërsa gazeta ka botuar disa herë ankesat e mjekëve për faktin që nuk kanë marrë këtë rritje page. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave që u mor pak ditë më parë, mjekët shpresojnë që kësaj radhe të bëhet realitet. “Në fakt, këtë rritje page duhej ta kishim marrë që në muajin korrik, pasi është vendosur me VKM, tashmë shpresojmë që ta marrim këtë rritje page”, - pohojnë mjekët.
Ndërkohë, në VKM-në që u miratua para 1 viti, bëheshin saktësime që mjekët me master që kanë mbaruar jashtë vendit, do të merrnin shtesë page më shumë se mjekët që kanë mbaruar në vend, ndërsa në VKM-në e pak ditëve me parë nuk bëhet ky saktësim, duke mos bërë përjashtime.
Ndërkohë, mjekët shpjegojnë se, në bazë të vendimit të qeverisë, këtë shumë do ta përfitonin mjekët që nuk janë pedagogë në universitete, pra, ata që nuk marrin një rrogë të dytë në arsim. Gjithashtu, ata pohojnë se shumica e mjekëve në QSUT janë me master, ndaj dhe ankesat janë të shumta.
“Fundja, ai ishte një vendim qeverie, ndaj dhe është serioze që të zbatohet me përpikëri. Shpresojmë që të zbatohet vendimi i fundit, por nuk po kuptojmë përse kjo rritje page do të jetë standard për të gjitha bluzat e bardha, pa marrë parasysh se ku dhe kur i kemi mbaruar këto studime”, - pohojnë mjekët e QSUT-së.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët që u shërbejnë të sëmurëve me SIDA, do të përfitojnë shtesë page
Personeli i të sëmurëve me SIDA, 8 mijë lekë shtesë page
Personeli shëndetësor që u shërben të sëmurëve me HIV/AIDS, do të përfitojë shtesë page me 8 mijë lekë në muaj. Bëhet fjalë për personelin e spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët do ta marrin këtë shtesë page, duke filluar nga janari i vitit 2009.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave pak ditë më parë dhe do të fillojë zbatimin sapo të botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, shpjegohet se as për personelin e pavijonit të sëmurëve me HIV/AIDS nuk janë barë dallime, pasi shtesa e pagës prej 8 mijë lekësh, do të jetë e njëjtë si për sanitaret, infermierët dhe mjekët. Kjo rritje page, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë do të bëhet për vështirësinë në punë që ka ky personel.
Ndërkohë, vetë personeli që merret me të sëmurët me AIDS është ankuar gjithnjë për vështirësitë dhe rrezikshmërinë që kanë ata në punë, pasi nuk është e drejtë që të paguhen njësoj. Madje, drejtuesi i këtij pavijoni, para pak kohësh ka bërë publike për gazetën se 2 prej punonjësve të tij është shpuar me shiringë, pasi kishin injektuar të infektuarin me SIDA.
Por, sipas tij, këto nuk kanë qenë rastet e vetme kur personeli përballet me vështirësi në punë, duke u shërbyer personave të infektuar që mbartin sëmundjen ngjitëse. Madje, edhe Avokati i Popullit bëri një rekomandim, që të ketë rritje page për të gjithë mjekët që punojnë në Infektiv, pasi janë të ekspozuar ndaj sëmundjeve infektive.
Skënderi: Propozuam rritje page për infermierët me 2-30%
Të gjithë infermierëve duhet t’u bëhet rritje page nga 20-30 për qind. Ky është propozimi i shoqatës Kombëtare të Infermierëve të Shqipërisë. Sipas kryetarit të kësaj sindikate, Sabri Skënderi, ky propozim është bërë para disa muajsh, por nuk kanë aspak dijeni se sa do të merret parasysh nga strukturat përkatëse.
Sipas tij, për infermierët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza është propozuar rritje page prej 30 për qind, ndërsa për infermierët e tjerë është propozuar rritje page me 20 për qind. “Duhet të theksoj se këto propozime vijnë duke pasur parasysh pagat qesharake, me të cilat ndeshen infermierët dhe punën e vështirë që ata bëjnë. Rritja e pagave është stimul për infermierët”, - pohon Skënderi.