Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Hana, me VKM, tashmë spitalet janë në skemën e sigurimeve. Ja lista e shërbimeve që do të financohet nga ISKSH-ja
Vendimi
Pacientët nuk do të marrin asnjë shërbim falas në spital, nëse nuk janë të siguruar. Nëse deri më sot pacientët e shtruar në spitale kanë paguar para nën dorë, tashmë pagesat do të jenë të legalizuara, por me fatura shtetërore, përjashto shërbimin e urgjencës që do të ofrohet falas për të gjithë.
Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, e përcaktuar së fundmime Vendim të Këshillit të Ministrave, ndryshon mënyrën e funksionimit të sistemit spitalor. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë kjo skemë. Sipas saj, me çdo spital, brenda marsit 2009, institucioni që ajo drejton do të lidhë kontratat me spitalet e tjera dhe, brenda së njëjtës periudhë, drejtori i spitalit do të lidhe kontrata me të gjithë punonjësit.
Sigurimet dhe paketa
Vetëm shërbimi i Urgjencës do të jetë falas për popullatën, ndërsa shërbimet e tjera do të jenë kundrejt pagesës, përjashto kategoritë që janë të siguruar. Në spitalet, që deri më sot kanë ofruar shërbim falas për të gjithë, pas miratimit të këtij ligji, nuk do të ndodhë më kështu. Ndërsa ata që paguajnë sigurimet shëndetësore, do të jenë bashkëfinancues me shtetin për të marrë shërbim. Sipas ligjit, kjo do të thotë se, pas llogaritjes që do t’i bëhet kostos së shërbimit, pacienti i siguruar do të paguajë një përqindje të vogël.
Ndërkohë, financimi i shërbimeve shëndetësore do të bëhet në formë të paketës të shërbimeve të detyrueshme, përgatitur në bazë të kritereve mjekësore, ekonomike dhe sociale. “Në paketë do të përfshihen shërbime lidhur me kujdesin shëndetësor parësor, të specializuar, kujdesin spitalor, barna, aksesorë, furnizime sekondare dhe kushtet për pagesën e transportit mjekësor”,- pohon drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Por, nga ana tjetër, pacienti, në këtë moment do të përfitojë faktin që spitalet do të kenë më shumë barna, pasi do t’i prokurojnë vetë ata që në fillim të vitit dhe natyrisht do të garantohet nëpërmjet një kontrolli shumë të hollësishëm nga ISKSH-ja, që të gjithë spitalet do të kenë barna më të domosdoshme, sipas shërbimeve që ato japin.
“Kjo reformë i hap rrugën matjes reale të shërbimit, transparencës në shërbimin shëndetësor, pasi ne e dimë që nuk ka një transparencë se çfarë shërbimi jepet, në çfarë vendi, ku jepen këto shërbime, si respektohet sistemi i referimit nga spitalet rajonale në spitalin terciar, që është QSUT-ja”, pohon Hana, duke shtuar se të gjitha këto, me vendosjen e kontratës midis nesh dhe spitaleve, që është një fazë tremujore që është lënë për përcaktimin e të gjithë elementëve në kontratë, do të jenë të përcaktuar saktësisht se çfarë shërbimi do të ofrojë secili spital kundrejt pacientit.
Autonomia
Një nga pikat më të rëndësishme të këtij vendimi ka të bëjë me shndërrimin e spitalit në person juridik, publik, me buxhet të pavarur, i cili do të ketë mundësi kontraktuale dhe do të jetë përgjegjës për realizimin e prokurimeve publike të vetë spitalit. Sipas Elvana Hanës, kjo do të thotë që spitalet, me këtë vendim, fitojnë autonomi sa i takon përdorimit të fondeve për nevojat e spitalit, e në mënyrë të posaçme, për furnizimin me medikamente.
Sigurisht, procedurat do të monitorohet nga ISKSH-ja, e cila do të kontrollojë spitalet për pjesën e financimit. Një rol themelor i mbetet Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim.
Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH-ja
1.Shërbimi i kardiologjisë
-hemodinamika
-reanimacioni i kardiologjisë
2.shërbimi i kardiokirurgjisë
3.shërbimi i kirurgjisë angiovaskulare
4.shërbimi i hematologjisë
5.shërbimi gastrohepatologjisë
6.shërbimi endokrinologjisë
7.shërbimi nefrologji dhe hemodializë
8.shërbimi anestezi-reanimacionit
9.shërbimi urgjencës së sëmundjeve të brendshme
10.shërbimi i mjekësisë interne
11.shërbimi i alergologjisë
12.shërbimi i reumatologjisë
13.shërbimi i dermatologjisë
14.shërbimi i ortopedisë
15.shërbimi i okulistikës
16.shërbimi i ORL-së
17.shërbimi i kirurgjisë maksilo-faciale
18.shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme
19.shërbimi i urgjencës kirurgjikale
20.shërbimi i kirurgjisë digjestive
21.shërbimi urologjisë
22.shërbimi i djegie plastikës
23.shërbimi i neurologjisë dhe neurofiziologjisë
24.shërbimi i neurokirurgjisë
25.shërbimi i onkologjisë dhe kirurgjia onkologjike
-statistika onkologjike (regjistri i kancerit)
-laboratori histopatologjik onkologjik
-laboratori klinik-biokimik onkologjik
26.shërbimi rrezatim kobaltit
27.shërbimi infektiv
28.shërbimi pediatrisë përgjithshme
-urgjenca pediatrike
-fizioterapia pediatrike
29.shërbimi pediatrisë së specialiteteve
30.shërbimi pediatrisë infektive
31.shërbimi kirurgjisë infantile
32.shërbimi onkohematologjisë pediatrike
33.shërbimi reanimacionit pediatrik
34.shërbimi laboratorëve (Klinikë-biokimikë, mikrobiologjikë, imunologjikë, anatomopatologjikë, gjenetikë mjekësorë, laboratori mjekësisë nukleare)
35.shërbimi imazherisë
36.shërbimi fizioterapisë
37.shërbimi statistikave
38.shërbimi i pneumologjisë
39.shërbimi kirurgjisë torakale
40.shërbimi fiziatrisë
41.shërbimi gjinekologjisë
42.shërbimi obstetrikës
43.shërbimi patologjisë së barrës
44.shërbimi i neonatologjisë
45.shërbimi farmacisë
46.shërbimi i konsultave ambulatore
47.shërbimi i toksikologjisë
48.shërbimi i koordinimit të urgjencave
49.shërbimi i psikiatrisë (QSUT)
50.kontrolli i infeksioneve spitalore
Mbështetur në ligjin e spitaleve
1.Spitali ditor
-shërbim të ndihmës së parë mjekësore për trajtim dhe kurim 24 orësh.
2.Spitali në nivel bashkie (rrethi)
-shërbim urgjence
-shërbim i mjekësisë së përgjithshme
-shërbim i kirurgjisë së përgjithshme
-shërbim i pediatrisë
-shërbimi obstertik-gjinekologjisë
-shërbimi i anestezi-reanimacionit
-shërbimi i radiologjisë
-shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë
-shërbimi farmacisë
3.Spitali në nivel qarku (rajonal)
-shërbim urgjence
-shërbim i mjekësisë së përgjithshme
-shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme + ortopedi traumatologji+urologji
-shërbimi i pediatrisë
-shërbimi i obsetrisë-gjinekologjisë
-shërbimi i anestezi-reanimacionit
-shërbimi i radiologjisë
-shërbimi i fizioterapisë
-shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë dhe mikrobiologjikë
-shërbimi i anatomisë dhe histologjisë patologjike
-shërbimi i hemodializës
-shërbimi i farmacisë
-klinika e ORL-së
-klinika e okulistikës
-klinika e sëmundjeve infektive
-klinika dermatologjike
-kabineti i onkologjisë
-kabineti i riaftësimit
-kabineti i dietologjisë
Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH-ja
Spitali Psikiatrik, Vlorë
Spitali Psikiatrik, Elbasan
Shërbime të shëndetit mendor në rrethe
Shërbimi i Psikiatrisë, Shkodër
Qendra Kombëtare e Riaftësimit, mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve
Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit
Ofiçina Elektro-Mjekësore
Njësia e Transportit me Helikopterë.