Diel, 14 Mars 2010 20:18:10

Lexoni versionin Print

Durrës, si realizohej kontrabanda në vitet ’50-‘60

Në policinë e qytetit të Durrësit në vitet ’60, në një nga dhomat e izolimit po merrej në pyetje për kontrabandën që kishte zhvilluar, njëri prej kontrabandistëve më aktivë të viteve ’50 dhe ’60 në këtë qytet, Pask Simaku.

Mark Brunga
Merkure, 24 Dhjetor 2008 10:24:00

Në kohën kur shteti kishte mundur të vinte gjithçka nën kontroll, kishte edhe nga ata që fjalës gjithçka kërkonin t’i vinin përpara “pothuajse”. Pask Simaku është një nga personat që në vitet ’50-’60 realizoi kontrabandë me shtetasit e huaj çka e bëri të ishte gjithnjë në shënjestër të policisë jo vetëm si kontrabandist, por edhe si i dyshuar për spiunazh

Në policinë e qytetit të Durrësit në vitet ’60, në një nga dhomat e izolimit po merrej në pyetje për kontrabandën që kishte zhvilluar, njëri prej kontrabandistëve më aktivë të viteve ’50 dhe ’60 në këtë qytet, Pask Simaku. Hetuesia dyshonte se së bashku me elementet e kontrabandës që kishte kryer, aimund të kishte zhvilluar edhe veprimtari spiunazhi në kontakt me marinarët e huaj.

Hetuesi: I pandehur, tashti na flit pak më hollësisht për agjitacionin e propagandën armiqësore që ke zhvilluar.

Pasku: Unë politikë? Kontrabandë me ora “Poljot” kam bërë sa kam mujt’, por për politikë s’di asgjë.

Hetuesi: Kemi të dhëna se e ke bërë një gjë të tillë.

Pasku: Po qe bërë politika duke shitur orët që thashë mundet, po unë kam bërë vetëm kontrabandë, po sa për politikë unë nuk e di se çfarë është politika.

Tashmë kanë kaluar shumë vite dhe Pasku, njëri prej dialoguesve, i pandehuri i shpeshtë i dyerve të policisë dhe gjykatave të kohës, nuk duket më ai i dikurshmi. Dy djemtë i ka në emigracion dhe gruaja ka shumë vite që i ka vdekur.

Në shtetin fqinj ku ka shkuar pas eksodit, i kanë lidhur edhe pension pleqërie. Kushdo që e shikon sot në anë të bulevardit kryesor të qytetit të Durrësit, ku edhe banon, po t’i flasësh për të kaluarën e Pask Simakut si një ndër miqtë dhe bashkëpunëtoret e Xhevdet Mustafës, do të befasohej dhe me siguri do të mendonte se po tallesh keqas me të.

Personi i kudogjendshëm pranë bareve të rrugës tregtare është një pensionist i moshuar, por që nuk duket i tillë. Është mjaft i qeshur, vishet “trendy” si një 18-vjeçar, ka një humor të çuditshëm dhe të rinjtë që dialogojnë me të e thërrasin “Mambo”.

Me të mund të flasësh lirshëm vetëm në orët e paradites, pasi më vonë ai vetminë e mbyt me alkool dhe s’i respekton më “shenjat e pikësimit”. Dallohet si poliglot. Di shtatë gjuhë të huaja, megjithëse ka vetëm 4 klasë shkollë. Zotëron shëndet të mirë duke sfiduar vitet e rënda të kaluara në burgjet e sistemit totalitar.

Durrësi dhe kontrabanda “internacionaliste”

Pas hermetizimit të kufirit shtetëror, e vetmja pikë e mundshme kontakti me të huajt ndodhej në Durrës. Kjo për shkak të pozicionit të favorshëm si porti më i madh i vendit, ku ankoroheshin vaporët e huaj të vendeve të Bllokut të Lindjes. Kjo e ktheu Durrësin edhe në vendin e zhvillimit të tregut të fshehtë ose të kontrabandës, e cila lulëzoi për disa kohë duke thyer urinë e madhe të tregut vendas për objekte luksi, si: orë dore, biankeri, parfume ose esenca, të cilat siguroheshin nga tregu bullgar e ai sovjetik.

Në treg luanin edhe marinarët gjermanë, polakë, rumunë e jugosllavë. Në vitet e fundit para rënies së sistemit socialist, hynë në lojë marinarët vietnamezë. Ashtu si udhëheqjet e këtyre shteteve luanin në politikë vallen e “internacionalizmit proletar”, tregtarët e kontrabandës së miqve të Paskut, që janë realisht tregtarët promotorë të ekonomisë së tregut të lirë, të burgosur në atë periudhë, krijuan “Internacionalizmin e kontrabandës”. Në Shqipëri mund të klasifikohet Durrësi si kryeqendra e kësaj “internacionaleje”, e cila i mbolli burgjeve të regjimit ithtarët e vet të kapitalizmit klandestin.

Burgjet e Paskut për kontrabandën “allosoj”

Nga biseda me Paskun mëson se ai është dënuar 5 herë. Veprimtarinë si kontrabandist e ka filluar që në vitin 1952 me marinarë jugosllavë. Është arrestuar për herë të parë në muajin maj të vitit 1961 dhe është dënuar me 4 vite burgu, të cilat i ka kaluar duke ndërtuar banesa në Tiranë. Kur u arrestua ai kujton se po bënte “treg” me marinarë gjermanë të anijes “Stalter” dhe me polaket e anijes “Gdansk”.

Bën vetëm 3 vjet burg dhe kur del, dënohet përsëri. Arrestohet në vitin 1964 dhe dënohet si përsëritës me 6 vjet burg, të cilat i kalon në minierën e Bulqizës. Burgimin e tretë ai e përjeton krejt ndryshe. Po luante bixhoz (edhe ky kontrabandë për kohën) dhe ngaqë e kapin të prera në bark, futet ne një bunker të sapondërtuar për t’i shpëtuar edhe shiut që binte. Kur del, falënderon me zë konstruktorin që kishte ndërtuar bunkerin, pasi në të qe “zbrazur”rehat.

Për këtë “ndodhi” në bunker e pret Spaçi. E dënojnë me 10 vjet, ndërsa kryen vetëm 7 vjet e tre muaj. “Të gjitha burgjet mund të haheshin, – thotë Pasku, - por Spaçi dhe Qafë-Bari ishin tmerri vetë. Sikur të ishte përsëri ai sistem, - thekson kontrabandisti veteran, - përsëri do të bëja kontrabandë dhe përsëri do të shtegtoja burgjeve”. Realisht, nëpër to ka çarë traseja e jetës së tij.

Stomaku, vendstrehimi ku sigurimi s’u fut dot

Pasku na tregon për një rast të rrallë. Policia e arreston dhe ai kishte me vete si provë vetëm një monedhë 100 $. “E gëlltitapa asnjë mëdyshje, - kujton ai, - dhe pasi nuk më gjetën gjë më liruan. Në shtëpi hëngra ushqim të shumtë dhe të nesërmen e nxora. - Në një rast tjetër ai thotë se kishte gëlltitur për provë një 100-lekëshe të Bankës Shqiptare, por ajo s’i kishte rezistuar acideve të stomakut dhe qe tretur. - Dollari amerikan kishte letër të shkëlqyer dhe ishte shumë rezistent, - përfundon bisedën Pasku.

Por më interesant është rasti i gëlltitjes së orëve të dorës. Këtë e ka eksperimentuar miku i tij Ismet Paja. Ishin orë grash të prodhimit sovjetik, të cilat ishin rezistente në stomak. “Edhe Ismeti, - tregon ai, - u ndodh në një rast të vështirë që duhej të zhdukte provat materiale.

Pasi e nuhati se policia i qe vënë prapa, gëlltiti në ecje e sipër 2 orë grash “Zarja”, të cilat i nxori të nesërmen. - Histori të tilla që tregojnë se si ka shërbyer stomaku si bankoprovë janë me shumicë në biografinë e tyre. - S’na lanë vend pa na ndjekur, - shton Pasku për Sigurimin, - por vetëm në stomak nuk na u futën dot”.

Qeni postier

Është metodë e vjetër, pak poetike, si në vargjet e Sergej Eseninit që i dërgonte letra së dashurës me qenin postier,por që eka përdorur edhe Pasku, pa e njohur fare poetin e madh rus. Ai kujton se pasi merrte shallet nga marinarët e huaj, i mbështillte me një shami të keqe dhe më pas ia lidhte në qafë qenit të vet.

“Qeni qe stërvitur për raste të tilla, si qen postier dhe shkonte me vrap në shtëpi, - thotë Pasku, - ku e priste nëna, e cila ia hiqte ngarkesën e çmuar nga qafa dhe qeni rikthehej menjëherë në detyrë”. Realisht, Pasku edhe sot që i ka kaluar 70 vitet (ka lindur më 27 prill 1938), nuk ka hequr dorë nga pasioni për qentë... Ndoshta, sepse e vlerëson besnikërinë e tyre.

Bursa e kontrabandistëve

Pikat që shëtiste për të punuar kanë qenë shëtitorja tek “N.Cigare” që kishte shumë pisha. Atje ndërrohej malli me valutë, lekë ose me shkëmbime në natyrë, si në komunitetin primitiv. P.sh. 3 shishe konjak “Skënderbeg” shkëmbeheshin me 1 orë “Superatlantik” ose orë polake a ruse.

Megjithatë, më të kërkuarat në tregun e gjërave të luksit mbeteshin orët “Superatlantik”, të cilat kishin çmime të larta në tregun e zi të asaj kohe. Një pikë tjetër që kujton Pasku është edhe pijetorja “Danubi”, ku shkonin shpesh detarët e huaj dhe që policia sekrete e asaj kohe e mbante nën vëzhgim të rreptë.

Pasku vetë dëshmon për rreth 8 kontrabandistë të njohur të atyre viteve, me të cilët ka pasur lidhje “profesionale”. Burime të policisë së asaj kohe dëshmojnë se pika më e nxehtë që mbahej si “hot rroku” i kontrabandës, ishte hoteli luksoz “Adriatik” dhe se të karteluar si kontrabandistë kanë qenë rreth 35 vetë nga Durrësi e Tirana.

Pasku në dosjet e policisë

Në dosjen hetimore të Paskut gjenden shumë të dhëna që e zbulojnë plotësisht figurën e tij komplekse, sa të çiltër e aq dinake, sa fëmijërore e aq të vendosur e burrërore, për të mos treguar asnjë bashkëpunëtor. Në këtë dosje që ndodhet në arkiv, janë të renditura akuzat për të cilat është dënuar:

Sjellje e padenjë në shoqëri.

Tregti e ndaluar me ekuipazhet tregtare të vendeve revizioniste në kalatat e portit e në qytet.

Akuzat janë të cilësuara:

Të përsëritura

Të dokumentuara.

Në një prej kontrolleve të ushtruara në banesë i është gjetur një pjesë e mallit që, sipas procesverbalit të hartuar nga hetuesia, përbëhej nga: gurë çakmakësh, orë dore për burra dhe gra, çorape najloni grash, shalle najloni grash, tesha të ndryshme me mbishkrime (në mbishkrimet e mallrave që ndodheshin në etiketa, hetuesia përpiqej që të dokumentonte si provashkëmbime të mesazheve agjenturore).

Dosja hetimore përcaktonte edhe vendet ku zhvilloheshin takimet për të realizuar kontrabandën. Sipas të dhënave agjenturore, ajo bëhej në anije “duke shfrytëzuar uljen e vigjilencës nga ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe përgjegjësit e vaporit”. Por edhe prapa fuçive të bitumit, si dhe blloqeve të mermerit të kuq.

Në dosje janë të specifikuara edhe 2 raste siç theksohet “të dokumentuara” të takimeve të Paskut me marinarë nga “vende kapitaliste”, takim i cili qe realizuar në banjat e agjencisë detare pranë Interklubit. Ishte fjala për dy marinarë grekë. Procesverbalet vijojnë: “Është pranuar shkëmbimi i mallrave me konjak, cigare dhe me devizë të huaj.

Dollarët ishin të ardhura kryesisht nga zona e Korçës, si dhe lireta italiane me burim të panjohur (Pasku nuk kishte treguar burimin e blerjes së tyre, por i ishin kapur gjatë arrestimit në flagrancë). Për burimet e origjinës së valutës hetuesi shënon se “është dyshuar, por nuk ka prova edhe për shkëmbim të mallrave me monedha floriri, me burim familjet e deklasuara nga Durrësi, Peqini e Tirana”.

Në dosje është treguar edhe mënyra e nxjerrjes së mallrave nga territori i portit të Durrësit. Hetuesi në procesverbal ka shënuar se “nxjerrja e mallrave nga territori i portit është bërë ose në trupin e të pandehurit, ose me shoferë të ndryshëm (Pasku e ka mohuar këtë fakt për të evituar nxjerrjen e emrave të miqve të tij, të cilët po t’i deklaronte do të zinin vend pranë tij si të pandehur).

Lidhur me këtë fakt hetuesia ka kërkuar materiale nga organet e gjurmimit të Sigurimit të Shtetit që të mundësojnë në rrugë agjenturore operative për të siguruar informacione mbi këta shoferë. Në kërkesat e hetuesisë ndaj organeve të gjurmimit shënohen edhe dyshime që kishin për ndonjë lidhje të mundshme të Paskut me organet e zbulimit italian, duke shfrytëzuar elementet e kontrabandës.



Miku e bashkëpunëtori i Xhevdet Mustafës

“Kam pasur edhe fotografi me Xhevdet Mustafën në ato vite, por kur u arratis i kam djegur, - thotë Pasku dhe shton me krenari se me kontrabandë ato vite merreshin burra si Xhevdet Mustafa, që bënë epokë.

Pasku shton se e ka punuar për shumë kohë kontrabandën me Xhevdetin, rreth 2 vjet, por edhe në burg kanë qenë bashkë. Ai kujton se me Xhevdetin është njohur e ka bashkëpunuar që në vitin 1953. - Ishte mjaft i pashëm, - thotë. - Në burg na erdhi bashkë me Preg Dishën. - Në një rast Pasku sjell ndërmend edhe një aferë që bënë bashkë me një polak. - Me Xhevdetin u blemë orë dore dhe gurë çakmakësh.

Me 100 dollarë blije 20 copë orë “Atlantik” që shiteshin nga 15 000 lekë të asaj kohe, ndërsa dollari blihej me 150 lekë. Sidoqoftë, me polakun fituam mirë së bashku me gurët e çakmakut që morëm. Fituam rreth 250 000 lekë për shok, sa mund të blinim nga 3 copë shtëpi vila të asaj kohe se afërsisht një e tillë shitej deri në 70 000 lekë.

Kemi punuar bashkë për shumë kohë, por në këtë rast nuk mund të thuhet bashkëpunim, pasi kontrabanda ishte një aksion që ndërmerrej më shumë në mënyrë të vetmuar, ndërsa tek kolegët kërkohej “mbështetja logjistike”, si: shkëmbimi i mallit, sigurimi i valutës, fshehja e provave materiale gjatë aksioneve të shpeshta të policisë dhe manovrat e futjes në qorrsokak të agjentëve për t’i shpënë në drejtime të gabuara.

Xhevdeti, - kujton Pasku, - ishte djalë i mirë, i shkathët e shumë besnik. Për kontrabandë ai bëri 2 vjet burg dhe pasi doli nga burgu u arratis jashtë shtetit. Por, edhe unë u arratisa nga Durrësi... mbeta burg më burg!”


Buzëqeshja e Paskut

Pask Simaku ka qenë një ndër asët e kontrabandistëve të qytetit të Durrësit me marinarët e huaj në vitet 1950-1960. Flet për veprimtarinë e tij duke qeshur, sikur po përshkruan një ekskursion të rëndomtë, dhe jo për një tragë të vrazhdë të jetës së tij. Është dënuar 5 herë radhazi dhe, mbase, kjo buzëqeshje karakteristike ka ndikuar t’i kapërcejë ditët më të renda të jetës që ka kaluar nëpër “gulagët” e shtetit komunist me sa më shumë kurajë.

Një prej bashkëvuajtësve të Paskut në kampin e Spaçit, ish-i burgosuri politik Nush Paloka, me të cilin vazhdojnë të shkëmbejnë batuta humori në tavolina gjatë pirjes së kafesë, thotë se Pasku kështu me humor e ka vrarë kohën që nuk ecte edhe në burg.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Elio Gora: - 12-28-08
    Valle per kete eshte demokracia.

    Shume i vecante ky shkrim qe i kushtohet njerit prej kondrabandisteve me aktivitet ne rregjimin komunist.E perse duhet te zere vend ne faqet e kesaj gazete veprimtaria revolucionare e ketij thyersi te ligjeve apo vetem per te treguar trimerite e tij ndaj rregjimit.Shkelesi i ligjeve ne cdo sistem duhet te jete i denueshem dhe nuk ja vlen te shkruhet per ta.Nga titulli i shkrimit une kujtova se flitej per kondrabanden shteterore qe bente shteti komunist nepermjet portit te Durresit deri ne prag te venitjes se tij.Kjo do te ishte me interes per lexuesit dhe jo pasqyrimi i veprimtarise kriminale te lloj lloj alabaku qe ne nje perqindje te larte sot duan ta shfaqin veten e tyre si te persekutuar nga rregjimi komunist.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML