Sipas studimeve shkencore të bëra deri më sot Viagra nuk shërben si një mjekim për femrat. Por kërkimet e reja tregojnë se tek gratë të cilat kanë probleme në marrëdhëniet intime, si rezultat i përdorimit të ilaçeve antidepresion, pilulat e vogla blu mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.
Efektet anësore mbi aktivitetin seksual nga përdorimi i ilaçeve antidepresion janë të njohura, duke ndikuar tek shumica e burrave dhe grave që i përdorin ato. Në muajin e parë të mjekimit, dy në tre pacientë mund të ndalojnë përdorimin e ilaçeve antidepresion, kur shohin ndikim në anën seksuale.
Në një studim të ri, shkencëtarët kanë parë efektet e Viagras tek 98 gra, me moshën mesatare 37 vjeç, të cilat përdornin ilaçe antidepresion prej shumë kohësh. Të gjitha gratë kishin raportuar probleme seksuale; si mungesën e dëshirës ose vështirësi në arritjen e orgazmës. Për tetë javë, disa gra përdorën Viagra, disa të tjera qetësues, një ose dy orë përpara aktivitetit intim.
Studimi, i iniciuar nga prodhuesi i Viagrës Pfizer, tregoi se 72% e grave që morën Viagra raportuan përmirësim, krahasuar me 27% që pinin qetësues. Përdorueset e Viagrës raportuan përmirësim të ndjeshëm në arritjen e orgazmës dhe kënaqësisë.
Është hera e parë që shkencëtarët mundohen të gjejnë një zgjidhje për gratë me probleme seksuale për shkak të trajtimit antidepresion. Gjithashtu është i pari studim që tregon efekte pozitive të përdorimit të Viagrës te gratë. Deri më sot, përdorimi i Viagrës te gratë është parë me dyshim, pasi ai rriste qarkullimin e gjakut në zonat gjenitale, por nuk rriste kënaqësinë e grave gjatë seksit.
Studimi i bërë këtë herë merrte për bazë vetëm një grup të vogël femrash prandaj nuk është quajtur deciziv.
Për më tepër, Viagra shkakton probleme anësore, si nxehje dhe dhimbje koke.
Dr Glenn D. Braunstein, një endrokinolog dhe shef i departamentit të mjekësisë në Cedars – Sinai Medical Center në Los Aggeles, tha se studimi duhej bërë në një grup më të madh femrash në mënyrë që të konsiderohet i vërtetë.
“Megjithatë parashikimi im është optimist dhe përdorimi i viagrës do të rritet” – tha ai për gazetën.