Shtune, 22 Nentor 2008 09:05:22

Lexoni versionin Print

Eli Fara: Motoja ime është mos u dorëzo

Eli Fara, mbretëresha e këngës popullore, me sharmin e një gruaje rrëzëllitëse vazhdon të sfidojë kohën, por njëherësh të na mrekullojë sa herë që ngjitet në skenë. E padyshim këngëtarja mbetet një idhull për korçarët e vendlindjes së saj dhe jo vetëm.

Xhon Baka
Diel, 24 Gusht 2008 10:42:00

Eli Fara, mbretëresha e këngës popullore, me sharmin e një gruaje rrëzëllitëse vazhdon të sfidojë kohën, por njëherësh të na mrekullojë sa herë që ngjitet në skenë. E padyshim këngëtarja mbetet një idhull për korçarët e vendlindjes së saj dhe jo vetëm. Këngëtarja që ka çarë përmasat e Shqipërisë, ka pranuar të na rrëfejë jetën e saj, të mbushur me muzikë, muzikë dhe sërish muzikë, por dhe me të përditshmen përmes një bote atraktive në New York dhe në kryeqytetin e shqiptarëve natyrisht. Me vajzën e saj Marina zonja aristokrate nuk ndahet kurrkund, ndërsa ka treguar sekretet e jetës së saj ekskluzivisht për gazetën “Shekulli”.

Kush është Eli Fara para dhe pas 10 vitesh në raport me Korçën?

Edhe pse kam 10 vjet që jam larguar nga vendlindja ime, unë e kam çuar Korçën në të gjithë botën dhe e kam gjithmonë me vete.

Eli 20-vjeçare dhe Eli 40-vjeçe, Eli e dashuruar dhe Eli nënë, ç’mund të na thoni për këto Eli?

Sa e vështirë kjo përgjigje! Të dyja janë të bukura edhe 20 vjeç, edhe 40 vjeç, edhe e dashuruar, edhe nënë. Por jam e bindur se në këtë përzgjedhje përgjigja do të ishte nënë. Nuk ka dashuri më të madhe se të qenit nënë.

Po brenda dashurisë tjetër, si ndihet Eli Fara?

Dashuria është një tempull dhe duhet të dish të hysh atje. Të dashurosh është fjalë e madhe. Jam idealiste dhe kërkoj idealen në dashuri. E padashuruar ndihem keq, dua që dikush të më dojë dhe ta dua. Është bosh jeta pa një dashuri shpirtërore.

Po dashuria fizike ç’është për ju?

Është ushqimi kryesor i dashurisë për të cilën fola më lart. Ajo përjetohet dhe shprehet e ndryshme te gjithkush.

A jeni ndierë ndonjëherë e braktisur?

Jo, asnjëherë.

Po e dëshpëruar?

Shumë herë?

Cilin moment do veçonit si më të dhimbshëm në jetën tuaj?

“Në përgjithësi jam natyrë e fortë. Por dhimbjes nuk mund t’i shmangesh. Si një moment tepër të dhimbshëm të jetës sime mund të veçoja divorcin nga ish-bashkëshorti im kur isha vetëm 19 vjeç dhe për më tepër me një vajzë 9-muajshe. Ishte tepër e vështirë të jetoja në një shtëpi me prindërit e ish-bashkëshortit. Ndjehesha në vendin më të paduhur dhe në kushte shumë të vështira. Në këtë situatë jetova rreth dy vjet.

Si i ke përballuar momentet e vështira në jetë?

Motoja ime është “Mos u dorëzo”. Me këtë moto kam luftuar të gjitha vështirësitë që nuk kanë qenë të pakta në jetën dhe karrierën time. Kur u divorcova isha në qendër të vëmendjes dhe me forcë përballova çdo gjë.

Cili është raporti me ish-bashkëshortin tuaj?

Normal. Thjesht një përshëndetje. Është babai i vajzës.

Korçën e sheh si vend ku mund të rikthehesh?

Jo. E quaj Korçën pjesë të pandashme të jetës sime, por jo për të jetuar aty.

Çfarë të ka larguar përgjithmonë nga Korça?

Metropoli ka diapazon shumë më të gjerë se provinca. Në metropol mund të suportosh suksesshëm fuqinë e talentit tënd. Metropoli është larg paragjykimeve, për më tepër për rastin tim si grua e divorcuar. Në metropol jeton lirshëm pa bezdisjen e paragjykimeve.

Cili është raporti juaj me vajzën?

Kemi një lidhje të thellë shpirtërore me njëra-tjetrën. Marrëdhëniet nënë-bijë i kemi kthyer në marrëdhënie nënë-shoqe. Marina, jeton atje ku jetoj dhe unë. Vazhdon studimet në vitin e III-të të universitetit “Luarasi” në degën e jurisprudencës. Marina është një kritike e mirë muzikore, ka shije të mira në mënyrën se si e sheh muzikën. Vajza është kthyer në këshilltaren time më të mirë.

Shtëpia juaj e parë është Drenova, shtëpia e bukur mes manave aty ku keni lindur. Ç’është Drenova për ju?

Drenova është vendi më i dashur për mua, që gjithmonë më fton të kthehem aty. Drenova është vendi i Asdrenit të madh, vendi i këngëtarëve, i kitarave, vendi i manave të mrekullueshme, por dhe i rakisë së famshme të manit. Për asnjë çast në gojën time nuk është larguar shija e frutit unikal që ka privilegjin ta ketë vetëm Drenova. Aty jetojnë aktualisht prindërit e mi. Të gjitha këto për mua nuk janë pak.

Cili është sekreti i bukurisë tuaj?

Së pari genet që ua dedikoj prindërve të mi. Së dyti kënga. Kur atë e këndon bukur, ajo ta kthen me të njëjtën monedhë, të bën akoma më të bukur. Këngës i jep dhe të jep shpirt dhe pse jo dhe bukuri.

Përveç këngës, a keni ndonjë pasion tjetër?

Më pëlqen të lexoj. Adhuroj librin. Por nëse mund të quhet pasion më pëlqen të ri në shtëpi, të gatuaj...

Cili është gatimi juaj i preferuar që del nga duart tuaja?

Dikur gatuaja më shumë, kurse tani kohën e kam më të kufizuar. Gjithsesi arrij të gatuaj çdo gjë. Preferoj ushqime të lehta, perime fruta.

Po ndonjë tjetër gjë që të bën të ndihesh mirë?

Kënaqësia ime është e madhe kur udhëtoj. Më pëlqen shumë të drejtoj makinën, gjë që e bëj prej shumë vjetësh. Zakonisht preferoj të udhëtoj vetëm. Edhe rrugën Korçë-Tiranë e bëj vetë dhe ec shumë mirë.

Sikur natyra të mos të të kishte dhuruar talentin, çfarë do kishe realizuar në jetë?

Iu siguroj që do isha bërë diçka tjetër, por e suksesshme. Do preferoja të isha një psikologe shumë e mirë. Po iu them dhe një sekret.(Qesh). Shpeshherë mendoj të kem dhe unë një biznesin tim. Për shembull, një butik ose një sallon bukurie. Megjithatë tani për tani i jam kushtuar vetëm këngës.

Cili është albumi juaj i fundit?

Albumi im i ri i shtëpisë diskografike “Elrodi” titullohet “Të dua për vete”.

Kur do ju shohim përsëri?

Tani do të vonohem pak. Nesër udhëtoj drejt New York, ku edhe atje ndihem mirë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Eli Fara

Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML