Shtune, 22 Nentor 2008 06:52:32

Lexoni versionin Print

“Mesila ka miq, kryetarja e KKRT-së jo…”

Në kërkimet tona para intervistës gjetëm që emri Mesila Doda nuk është edhe aq i panjohur sa ç’mund t’i rezultojë një ndjekësi jopolitik të mediave. Ju keni qenë një nga studentet e grevës së urisë në 1990 dhe aktive në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin, është e vërtetë?

Elona Demollari
Diel, 07 Shtator 2008 10:37:00

Me Mesila Dodën, kryetaren e KKRT e vendosur ditët e fundit nën akuzat për vendime politike. Rrëfimi për të kaluarën, familjen dhe gjykimi për gjobat ndaj televizioneve: “Do ta ribëja…”

KARRIERA / PROFESIONI

Në kërkimet tona para intervistës gjetëm që emri Mesila Doda nuk është edhe aq i panjohur sa ç’mund t’i rezultojë një ndjekësi jopolitik të mediave. Ju keni qenë një nga studentet e grevës së urisë në 1990 dhe aktive në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin, është e vërtetë?

Po flisni për një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime. Janë nga ato ngjarje të cilat të shënojnë jetën dhe të lidhin përfundimisht me ndryshimet e rëndësishme në vend. Kam qenë një nga 7 anëtarët e komisionit të grevës së urisë së studentëve në 1991, grevë e cila përfundoi me heqjen e emrit të diktatorit nga UT dhe me rrëzimin e bustit nga sheshi Skënderbej. Është një nga momentet e mia të krenarisë dhe që ka ndikuar jashtëzakonisht në formimin dhe pozicionimin tim të mëvonshëm. Kam qenë vërtet me fat që isha 20 vjeçare asokohe dhe që pata mundësinë të marr pjesë në atë shndërrim të mrekullueshëm të sistemit të dhunës në Shqipëri.

Çfarë ka mbetur nga Mesila e atyre viteve?

Ka mbetur shumë besoj! Pjesë të rëndësishme të karakterit dhe interesave të mia janë formuar në atë periudhë. Jam një njeri që kam fuqi të ëndërroj dhe të besoj në fuqinë e ndryshimit, jam gati të përballem me çdo lloj force a pushteti kur mendoj se kjo është e dobishme për vendin tim, di të jem e drejtpërdrejtë, të përballem me frikën dhe të hyj në një betejë nëse besoj tek ajo. Më së fundi, (jo për nga rëndësia), besoj se qysh nga ajo kohë është rrënjosur tek unë sensibiliteti për çështjet e rëndësishme, për zhvillimet politike e sociale të vendit.

Keni qenë edhe shefe kabineti e ish-kryeministrit Meta, apo jo…

Sigurisht dhe kjo është një nga momentet e mëdha të kënaqësisë profesionale. Kam bërë pjesë në periudhën e parë të qeverisjes Meta, jo si shefe kabineti por si zëdhënëse, së bashku me një staf të mrekullueshëm njerëzish me të cilët dhe sot jemi miq.

Kurse tani në krye të KKRRT, në një administratë të djathtësh. Duhet të jetë një eksperiencë interesante të punosh në një administratë të majtë më parë dhe tani në një administratë të djathtë, madje në poste drejtuese. Ka ndryshim, ndjeheni njësoj?

Më së pari duhet të nënvizoj se punoj në krye të një institucioni të pavarur që është KKRT, dhe që nuk është administratë e majtë apo e djathtë. Kam bërë pjesë në një staf kryeministror ku bënin pjesë të majtë e të djathtë dhe ku asnjëherë dhe askurrkush nuk ndryshoi apo fshehu qëndrimin apo bindjet e veta. Në të njëjtin grup njerëzish punonte dhe prof. Gramoz Pashko e Teodor Keko të cilët i kujtoj me respekt dhe sot, dhe prof. Ismail Lleshi e Ilir Gjoni me të cilët jemi ende miq. Dua të them që ngjyrimet politike mund të ishin dhe janë ekstremisht të kundërta e megjithatë pati një bashkëpunim njerëzor dhe një miqësi të madhe që vazhdon ende me shume prej atij stafi.

Meqë jemi këtu. Ç’do të thotë të jesh kryetare e KKRT në Shqipërinë e vitit 2008?

Të jesh në krye të betejave në mënyrë periodike! Çfarëdo që ti do bësh a s’do bësh, dikujt nuk do t’i pëlqejë dhe pakënaqësinë e tij do e shfaqë në formën e shantazhit apo të kronikave të shëmtuara televizive ku pala e së cilës nuk i shkon për shtat vendimi, bërtet e mallkon për padrejtësi e për skandal.

Në krye të këtij institucioni unë kam punuar për ta hapur ekstremisht e për ta zgjeruar tregun mediatik në hapësira të paimagjinuara më parë, por e gjitha kjo ka vetëm një kryefjalë: zbatimin rigoroz të LIGJIT.

Unë nuk i druhem betejave, por ky treg do të zhvillohet duke respektuar rregullat e lojës dhe duke kuptuar se jo domosdoshmërish njerëzit kanë frikë prej tij. Do kemi zhvillime të jashtëzakonshme në këtë treg. Në ditët në vazhdim do hapen garat e frekuencave digjitale. Ne do vazhdojmë të jemi në krye të ndryshimit!

 

PËRPLASJA E DITËVE TË FUNDIT

Jo pa qëllim gjatë bisedës ju pyetëm se si është të jesh kryetare e një institucioni të tillë kaq të lidhur me mediat por edhe me riskun e përplasjeve për shkak të vendimeve tuaja, me këtë pjesë kaq aktive të shoqërisë

Kanë kaluar disa ditë nga vendimi i KKRT për të gjobitur disa media që transmetuan një sport kundër spotit qeveritar, një antispot televiziv le ta quajmë.

Jeni akuzuar që keni marrë një vendim politik. Pas kaq ditë reagimesh ju duket i tillë?

Pas kaq ditësh dhe palët e interesuara e dinë që ky është thjesht një veprim ligjor, të cilët ato janë përpjekur ta përdorin politikisht. Jo domosdoshmërish po pate një ekran dhe e përdor atë si altoparlant të logjikës tënde, e vërteta vjen tek ti.

KKRT ka respektuar ligjin 8410 në rastin për të cilin ju po flisni. Ne nuk mundemi ta interpretojmë, ne vetëm e zbatojmë atë!

E kuptoj gjithë mllefin përkundër këtij vendimi, por forcat politike dhe media do bënin më mirë të merreshin me ndryshimin e ligjit dhe jo të kërkonin nga KKRT moszbatimin e tij.

Si do t’i përgjigjeshit logjikës që nëse qeveria transmeton një sport, edhe aktorë të tjerë të shoqërisë kanë të drejtën të prodhojnë kundërargumente, ndryshe do të ishim në kushtet e një pabarazie… d.m.th, e shtruar thjeshtë, nëse Kryeministri emeton një spot të tillë me paratë e taksapaguesve, pse mos ta bëjmë një gjë të tillë edhe opozitarët e tij?

Unë besoj se kjo është një logjikë e shkurtër nga një mendje që kërkon të mbyllet me kast. Në gjithë botën, përsëris, në gjithë botën Këshilli i Ministrave hap dhe mban fushata të tëra me problemet e rëndësishme në vend. Antikorrupsioni është çështje e rëndësishme, është çështje jetike për vendin dhe për imazhin e saj në botë.

Jo vetëm që nuk ka asnjë dispozitë ndaluese për këtë lloj publiciteti, por logjika sempliciste që kërkon ta barazojë më kast me një spot apo antispot të natyrës politike është logjikë e vogël dhe e shënjuar nga mërira e inate personale. KKRT është e pavarur nga inatet dhe mërirat personale të aktorëve politikë në vend.

Do ta rimerrnit këtë vendim edhe sot p.sh?

Do e merrja dje, sot dhe gjithë ditët në vazhdim! Do e rimerrja të njëjtin vendim deri ditën kur ligji do ndryshonte dhe do i lejonte reklamat dhe përgjatë kohës kur nuk është fushatë!

 

FAMILJA

Cila është familja e Mesilës?

Keli, Joni dhe Hana. Dy fëmijët dhe im shoq!

Shumë gra në karrierë thonë se është e vështirë të bësh edhe nënën dhe zyrtaren në të njëjtën kohë. Secila e përballon në mënyrën e vet. Motoja “Mesila” për binomin familje-punë cila është?

Nuk besoj se është fort e vështirë, sepse të dyja kërkojnë të njëjtat veti, dashuri dhe përkushtim. Mjaft që ta kesh gjithnjë shpirtin me vete. Unë jap shpirtin në punë dhe padyshim derdh shpirtin dhe dashurinë time kur jam në familje. Besoj se deri më tash të dyja palët kanë qenë të kënaqura me çka ju kam dhënë.

Ndoshta jashtë rretheve të medias dhe politikës, pakkush e di që jeni bashkëshorte e një gazetari, madje nga më të njohurit e televizionit. Ndikon puna e tij në tuajën?

Në fakt ka ndikuar shumë puna ime në të tijën. Im shoq është gazetar prej 18 vjetësh dhe sot ka bërë një hap prapa me qëllim që të lirojë për mua hapësirat që më nevojiten për të patur një figurë publike të besueshme dhe të baraslarguar nga të gjithë operatorët në vend. Sigurisht, falë dhe gjithë vendimeve dhe pozicionit që ka mbajtur KKRT përkundruall të gjithë operatorëve, tash pakkush mund të imagjinojë se ka ndonjë interes personal apo qëndrim të njëanshëm personal apo institucional të KKRT. Thënë ndryshe, Mesila ka shumë miq dhe familje. Kryetari i KKRT nuk ka miq, as familje!

Pse mbani mbiemrin tuaj dhe jo atë Demi, nëse na lejohet?

Në fakt unë i mbaj të dyja mbiemrat. Doda në respekt të familjes sime, të babait tim dhe të gjithë çka kam bërë në jetën time para martesës. Demi, në respekt të familjes sime aktuale, të dy fëmijëve të mi dhe bashkëshortit tim.

Ku e kalon familja Demi/Doda kohën elirë...? (nëse ka..)

Në shtëpinë tonë në Golem, ku zakonisht mblidhemi gjatë fundjavës dhe pushimeve. Edhe udhëtimet janë atraksion i madh dhe kemi organizuar mjaft udhëtime me makinë dhe të gjithë bashkë. Sigurisht që ka një kënaqësi të madhe përgjatë kohës së pushimeve, dhe ku më e rëndësishme është kënaqësia e të ndenjurit bashkë.

 

PYETËSORI I PRUSTIT

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Nuk besoj se ka lumturi absolute, por në imazhin e një momenti absolut lumturie më vjen momenti kur nëna sjell në jetë një fëmijë dhe i jep për herë të parë gji.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

KKRT-ja. (Shaka...) Është rutina e zgjimit. Çdo ditë ka një përparësi të vetën.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Ditëlindja e sime bije. Ajo imitonte një personazh flamenko dhe ishte si film vizatimor.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Sinqeriteti! Defekt i madh... nuk di të them gënjeshtra, bile dhe kur i them më dalin shpejt.

Defekti juaj kryesor?

Rrëmbimi. E kam të vështirë të veproj me inatin e dytë, pasi inati i parë ma merr shpirtin po ndenja duarkryq. Thonë që inati i parë është i kalit, i dyti i kalorsit. Duhet ende të mësoj t’i përmbahem inatit të parë.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?

Ndaj atyre që bëhen pa dashje dhe që sjellin më pak dëme.

Hera e fundit që u përlotët?

Nuk e them.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

S’do deliroja shumë të identifikohesha me personalitete historike. Gjithsesi personazh historik feminil që më duket mjaft interesant, është Zhan d’Ark.

Udhëtimi juaj i preferuar?

Kudo ku është në një makinë gjithë familja ime.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Kundera, Marquez, Alliende, Kadare.

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Forcën e mençurisë.

Tek një grua?

Mirësinë.

Kompozitori juaj i preferuar?

Ennio Morricone në sensin e kompozitorit klasik. Eros Ramazzotti si kantautor.

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?

Princi i Vogël i Antoine De Saint Exupery.

Filmi që ju la mbresë të thellë?

Sabrina me Audrey Hepburn! Është një nga gjërat që im shoq i urren. Romancat.

Piktori juaj i dashur?

Më është shumë i dashur Caravaggio, por padyshim që Mikelanxhelo me Capellën Sistine është piktori më i madh i të gjitha kohërave.

Ngjyra juaj e preferuar?

Blu.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Familjen time!

Pija juaj e preferuar?

Pas ujit, sigurisht vera.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Përgjithësisht për mëkatin, i cilitdolloj qoftë. Qoftë ai që vjen nga rrëmbimi, nga përtacia, inati, xhelozia, babëzia, gënjeshtra.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Arrogancën!

Frika juaj më e madhe?

Ajo që kanë të gjithë njerëzit. Shëndeti tek njerëzit që do!

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kur nuk kam nga t’ia mbaj dhe kur janë të pamundura për të mos u thënë. Gjithsesi zgjedhja vjen rast pas rasti dhe përgjithësisht tentoj të mos i them.

Cila është motoja juaj?

Të jap më të mirën time.

Si do të dëshironit të vdisnit?

E plakur, me kokën në jastëk e rrethuar nga fëmijët e mi, nipërit e mbesat e ardhshëm.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Faleminderit, për gjithçka më ke dhënë.

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Të qetë dhe të përqendruar në sfidat që më presin.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Mesila Doda

Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML