Dr.Dragush Totozani, ka lindur në Gjirokastër, më 26 qershor 1935. Në shtator të 1954 filloi studimet në Budapest, por pas dy vjetësh (dhjetor i 1956-ës) i ndërpreu për shkak të prishjes se marrëdhënieve më Hungarinë pas të ashtuquajturit « kundërrevolucion » hungarez. Në vitin 1957 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë që i përfundoi në vitin 1961. Prej vitit 1961 deri në daljen në pension në vitin 1997, punoi pa ndërprerje si mjek në shërbimin e psikiatrisë. Pas daljes në pension u angazhua në qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës.
Ka titullin e Doktorit të Shkencave për studimin e çrregullimit afektiv (depresioni bipolar).
Martuar në vitin 1967 më Prof.Dr.Drita Osmanlliu që vazhdon të jete akoma e angazhuar në punë si pedagoge e Anatomisë në Fakultetin e Mjekësisë në UT.
Ka dy fëmijë, vajzë e djalë. Asnjë prej tyre nuk preferoi të ndjekë profesionin e prindërve. Vajza ka realizuar në Francë doktoraturën ku jeton edhe sot më bashkëshortin, Gonin dhe të birin Mariusin. Djali ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në UT, më pas dy mastera në Gjeneve dhe sot punon si pedagog dhe zv/Dekan në Fakultetin Juridik të Universitetit Kristal. Eshtë i martuar më Martën dhe ka dy fëmijë, Lukën dhe Mateon.
Për gjyshërit tri nipat janë gjithçka. Që të tre “iu kanë marrë mendjen” gjyshërve, pra edhe psikiatrit.
Zoti Dragush, a mund t’ju quajmë "psikiatri" më i vjetër në Shqipëri?
Nuk mund të më quani psikiatri më i vjetër në Shqiperi. Më i vjetër se unë e që punon akoma më zellin e rinise është një nga themeluesit e shkencës psikiatrike shqiptare, Prof. Ulvi Vehbiu.
Pyetja jonë më e dëshiruar që kur menduam t’ju intervistonim është një pyetje që në fakt më siguri e bluajnë të gjithë shqiptarët sot: Pse jemi në shqiptarët kaq të stresuar?
E shoh më shumë vend pyetjen tuaj. Mendoj se psikiatrit i takojnë atij grupi profesionistesh që here pas here duhet të japin kontributin e tyre në sqarimin e fenomenit të stresit, që ka sot një shtrirje kaq të gjerë, gjë që unë personalisht nuk e kam realizuar. Meqë më dhatë rastin më lejoni të zgjatem pak në këtë drejtim, sepse sipas meje kjo pyetje dhe disa të tjera mbartin mbi vete vlerën e vërtetë të kësaj interviste.
Fillimisht do të dëshiroja të beja një hyrje se ç’është stresi, term që e kanë mësuar të gjithë shqiptarët, të vegjël e të mëdhenj, pa qenë të qartë për dimensionin e tij. Kam përshtypjen se kushdo që flet për stresin e përfytyron si një fenomen negativ, jashtë normalitetit, një gjendje shqetësimi patologjik. Por fakti është se fenomeni i stresit deri në disa përmasa është fiziologjik dhe prezent tek çdo njeri. Ai është komponent i përhershëm i jetës së njeriut, madje një komponent pozitiv dhe i domosdoshëm. Ai e nxit njeriun të ecë përpara, të mësojë, të ushtrojë mirë profesionin, të jetë qytetar më të gjitha normat e qytetarisë. Pa këtë stres do të kishte stanjacion, mungesë zhvillimi. Ky lloj stresi pushon se funksionuari vetëm kur njeriu vdes.
Por për fat të keq, në disa rrethana të veçanta, qofshin këto të brendshme të organizmit, apo të jashtme të mjedisit, ky lloj stresi kaq i nevojshëm, merr, - e thënë në mënyrë figurative, - një superxhiro dhe kthehet në një faktor pengues për zgjidhjen e problemeve të përditshme të njeriut, madje shqetëson tëre qenien e tij. Jo vetëm që bëhet pengesë në rrjedhën normale të jetës së individit, por në disa raste përben një nga elementet shkakësore të lindjes së shumë sëmundjeve organike serioze. Ky është stresi patologjik, për të cilin duhet punë për ta minimizuar. Mekanizmat e lindjes se tij janë disi të komplikuara dhe nuk është vendi të trajtohen.
Shqiptaret duhet të dinë nga iu erdhi gjithë ky stres...
Sigurisht që shqiptaret duhet të dinë nga ju erdhi gjithë ky stres, sa është përgjigjës ai për njerëzit që arrijnë të kryejnë veprime të pakontrolluara, në disa raste dhe fatale dhe që më pas pendohen. Shqiptaret duhet të ndihmohen nga profesionistet ta njohin këtë fenomen dhe mekanizmat që veprojnë për ta parandaluar ose minimizuar.
Njeriu jeton në shoqëri, por në vetvete është unikal. Nuk mund të këtë dy individë njëlloj. Secili në brendësi të organizmit të tij ka premisa specifike që e mbajnë stresin nën kontroll. Këtu është fjala për faktorët e brendshëm të organizmit që ndikojnë në këtë dukuri dhe që do ta anashkalojmë këtu. E shohim më vend të trajtojmë faktorët e mjedisit që ndikojnë pa përjashtim çdo qenie njerëzore, ke më pak e ke më shumë. Në këtë drejtim, nuk është vështirë të nxjerrësh konkluzionin se duhet të këtë patur shkaqe mjedisore negative që ndikuan në shtimin e gjendjes stresante në Shqiperi. Fakt është se tranzicioni solli më vete shumë të tillë. Standardizimi i jetës njerëzore në ekstrem në sistemin komunist gati 50 vjeçar kishte bllokuar një seri funksionesh të trurit njerëzor. Kalimi i menjërshëm në një sistem të ri nuk kish si të mos vinte në lëvizje mekanizmat adaptivë që për natyrën njerëzore shoqërohen me ankth. Por për fat të keq, periudha e tranzicionit që filloi erdhi tejet e ngarkuar më faktorë negativë, madje shumë të rëndësishëm për jetën njerëzore. Kjo situatë, e thënë në mënyrë të figurshme, e zuri në befasi shqiptarin dhe do të duhet punë për eliminimin e pasojave të tyre.
Më konkretisht cilët janë këta faktorë, sipas jush, shkaktarë të kësaj gjendje stresante thuajse epidemi kombëtare...
Megjithëse njihen këta faktorë, po citojmë shkurtazi disa prej tyre: lëvizjet masive demografike të kontrolluara jo mirë, papunësia e lartë e shoqëruar më nivel ekonomik të ulët, përhapja në masë e drogave, trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni, emigracioni, e shume e shume fenomene të tjera negative, megjithëse jo të zgjatura në kohë, por më veprim të fuqishëm traumatik.
Duhet ta pranojmë se faktorë të tillë na kanë ndikuar të gjithëve në humbjen e qetësisë. Na është rritur prirja për një farë konfliktualiteti më njëri-tjetrin, madje dhe brenda grupit familjar. Do të na duhet shumë punë, për rritje te secili të shkallës së qytetarisë, duhet angazhimi i institucioneve shtetërore, joshtetërore e në mënyrë i veçantë të grupeve të specialisteve respektivë. Të gjitha këto kanë të bëjnë me atë që është quajtur « shëndet mendor » dhe për të cilin nuk ka asnjë dyshim se nuk është e mjaftueshme që ta këtë prioritet vetëm Ministria e Shëndetësisë.
Si mund të lehtësohemi nga kjo ?
Në fushën e psikologjisë ka një seri udhëzimesh se si mund të lehtësohet individi i kapur nga stresi patologjik, se si të shkarkohet nga shumë probleme që ai praktikisht nuk i zgjidh dot, por që e rëndojnë situatën, se si të organizojë kompromise që i japin mundësitë për të realizuar detyrime brenda një kohe të caktuar ose si të realizoje imediatisht probleme ose detyra të thjeshta që i sjellin qetësi, kënaqësi dhe optimizëm. Por të gjitha këto realizohen duke kontaktuar më specialistët.
Por në Shqipëri nuk ekziston ende kultura e vizitës tek psikiatri. Shumë shqiptarë mendojnë se kjo do të thotë që ata janë të çmendur. Pse ky mentalitet, nga çfarë është shkaktuar dhe si mund të luftohet?
Eshtë e vërtetë se tek në nuk ekziston kultura e vizitës tek psikiatri pasi konsiderohet si stigmat çmendurie. Në disa raste madje është kaq e shprehur, saqë shkon deri në vetësakrifikim, duke e privuar individin nga gjithë ndihma mjekësore e mundshme. Fatkeqësisht, në opinion, sëmundjet e trurit nuk konsiderohen si sëmundjet e çdo organi.
Megjithatë, përshtypja ime personale është se ky fenomen ka shkuar duke u zbehur dhe ka mjaft ndryshime pozitive. Në fillesat e aktivitetit tonë, nuk kane qenë të rralla rastet që për shkak të ardhjes më vonesë, gjendja mbetej kronike, duke mbetur përjetësisht në spital. Të tilla nuk ekzistojnë më. Natyrisht faktorët e një mentaliteti që e kane mbajtur gjallë në atë kohë, por që tashmë po kalon kanë qenë të shumtë, si izolimi nga bota e Shqipërisë, popullata e shpërndarë kryesisht në zonat rurale pa informacionet e nevojshme etj.
Ndërsa për ndryshimet pozitive kane ndikuar lidhjet me boten e jashtme, kalimi nga fshati në qytet i popullatës e fuqizimi i informacionit, rritja e shkallës së qytetarisë. Nuk ma do mendja se ka sot në Shqipëri njeri që të shprehet si dikur « s’ka ç’t’i bëjë doktori ».
Meqë jemi këtu, me se janë marrë psikiatrit dikur, të themi para viteve 90?
Ne psikiatrit e para viteve ‘90 mund të themi se jemi marrë pothuaj vetëm me “psikiatrinë e madhe” dhe këtu është fjala për sëmundjet e rënda psikike dhe kemi punuar në kushte tejet të vështira dhe diskriminuese. Nuk ka mjek të vjetër që të harrojë impresionin e një të ashtuquajturi “pavion i 17-te”.
Psikiatria e sotme nuk ngjan me atë të kohës kur kemi punuar ne. Sot një volum i madh pune në psikiatri i kushtohet « psikiatrisë minore » dhe shëndetit mendor në tërësi, çrregullimeve të ankthit, fobive (frikerave) si dhe çrregullimeve të personalitetit. Kjo ndihmë sot konceptohet fare ndryshe. Ajo tashmë organizohet në komunitet dhe jo në spitale.
Dhe më çfarë merret tani një psikiatër i moshuar si ju?
Ne të moshuarit, e kam fjalën për ne, aq sa kemi mbetur, vazhdojmë të angazhohemi kush më pak e kush më shumë, që në përshtatje më mundësitë tona shëndetësore, të sjellim ndihmesën dhe përvojen tonë.
Çfarë mendoni për brezin e ri të psikiatërve sot?
Për brezin e ri të psikiatërve do të rekomandoja të jenë në ballë të lëvizjes së madhe për transformimin e dhëniës së ndihmës psikiatrike. Jam deri diku i azhornuar me ndihmën e dhënë nga OBSH-ja dhe organizma të tjera ndërkombëtare, por duhet vullnet për t’i aplikuar ato.
Gjithashtu duhet pranuar se shkenca psikiatrike përfshin në vetvete dhe sociologjinë, psikologjinë, ekonominë, kulturën dhe zakonet, pra do të duhen dhe një seri specialistësh të fushave të tjera të konceptojnë drejt problemet e shëndetit mendor. Thirrja « mos neglizho, fillo të ndihmohesh », i është drejtuar të gjithëve.
Ankesat për gjendjen e mjekësisë sot në Shqipëri janë të pafundme. Mendimi i dr.Dragushit rreth shkaqeve të kësaj situate.
Ankesat për gjendjen në të cilën ndodhet sot mjekësia shqiptare janë vërtet të shumta dhe janë reale. Shëndetësia është një ndër sektorët e jetës dhe që ra gjate tranzicionit, siç ra çdo sektor tjetër. Por shëndetësia ka sensibilitet më të lartë në popull. Asnjë sektor tjetër i jetës, nuk lidhet drejtpërdrejt më jetën si shëndetësia. Duke u larguar prej vitesh nga sektori shtetëror, mund të jem larg analizave rentabile të kësaj gjendjeje, por do të mendoja se ajo duhet realizuar nga specialistë të fushave që përmendem më lart dhe sa më parë.
Zgjidhjet e mundshme..
Do të mendoja se pa u bërë një analizë e mirë e faktorëve që sollën një situatë të tillë në shëndetësi, ndoshta do të ishin pa rendiment mendimet e dhëna nga ana ime.
Në fund, meqë mësuam se jeni një nga lexuesit më "fanatikë" të “Shekullit”. Një këshillë prej psikiatri për redaksinë tonë ose qoftë edhe për median në përgjithësi…
E vërteta është se në televizion i ndjek titujt e të gjitha gazetave të përditshme, por në xhep kam gjithnjëë “Shekullin”. Kam përshtypjen se ngaqë është gazetë që e dua, më është zbehur disi sensi i kritikës për të, por meqë folëm për stresin, një mendim do të jepja për median në tërësi.
Të gjithë organet e shtypit them se duhet të përpunojnë idenë e informacionit të kronikës së zezë. Eshtë fakt se kemi në Shqipëri shumë suicide (vetevrasje) dhe megjithëse nuk ka statistika të plota, kemi përshtypjen se shkojnë duke u shtuar. Gazetarët duhet ta dinë se është vërtetuar plotësisht kontagioziteti (ngjitja) në suicidet. Dikush që përpunon idenë e vetëvrasjes merr kurajo nga një tjetër që sapo ka vrarë veten.
Dhe meqë jemi tek këshillat. Një krye-këshillë prej mjeku të moshuar dhe prej psikiatri sigurisht, për shoqërinë shqiptare?
Për shoqërinë shqiptare sot është një fenomen mjaft negativ dalja nga ekuilibri emocional. Në këto momente zbehet arsyetimi, bëhen veprime të nxituara.
Asnjë nuk duhet të harrojë se çdo individ nuk është “pa frena”. Nuk duhen lënë emocionet të dalin nga ekuilibri. Frenat janë në mendje.
Pra, këshilla... ?
Këshilla.. Përdore o shqiptar mendjen që s’të ka munguar kurrë. Emocionet e dala nga kontrolli të prishin cilësinë e jetës. Në mos më keq, të prishin fare jetën.
PYETSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Unë e kam të vështirë të them se ç’është lumturia absolute. Nuk di që deri sot të këtë ndonjë përkufizim që të mos kontestohet.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Disa mikro-projekte pune që kam për të bërë.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Nuk më kujtohet. Rrallë bën vaki që të qesh me shpirt.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Sinqeriteti, mirënjohja. Sinqeriteti, megjithëse ndonjëherë më ka ndëshkuar.
Defekti juaj kryesor ?
Një fare frenimi në aktivitete.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
Ndaj atyre që korrigjohen.
Hera e fundit që u përlotët?
Kur takova nipin që s’e kisha parë prej disa muajsh.
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë ?
Me asnjë, ç’punë kam unë me personalitetet historike. Thjesht, i vlerësoj.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Tek nipi në Francë
Shkrimtarët tuaj më të dashur ?
Cvajg, Çehov e Kadare.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Ndershmërinë, sinqeritetin.
Tek një grua?
Ndershmërinë, sinqeritetin.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Pija juaj e preferuar ?
Nuk kam asnjë pije të preferuar.
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Angazhohem tepër për atë ç’kam marrë përsipër dhe rrallë pendohem.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Hipokrizinë, mosmirënjohjen.
Frika juaj më e madhe?
Sëmundjet tek familjarët, sidomos tek fëmijët.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Them gënjeshtra për humor dhe asnjëherë kur kanë pasoja.
Cila është motoja juaj?
Çdo dite të bej ndonjë gjë pozitive që mundem ta bëj
Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Varet si konceptohet ryshfeti. Kur shkoj në ndonjë kafene, në restorant, apo tek berberi, etj. Unë gjithnjëë lë diçka.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Stonon pak fjala “dëshirë” më fjalën “vdekje”. Mire do të ishte, të vinte “tak-fak’.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit ?
Je i madh dhe je i zoti ashtu siç e ke emrin. S’e kuptoj pse ke gabuar në disa gjera.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Me nje prirje të lehte humori të deprimuar.