Shtune, 22 Nentor 2008 07:23:21

Lexoni versionin Print

Një “Robison Kruzo” 70-vjeçar në Pogradec

Një bisedë me Zhan Lui Brezhu, i moshuari turist, me prindër shqiptarë që shëtit botën në perëndimin e viteve: “Nuk ka ndjenjë më të këndshme se ndjesia e lirisë”

Bardhyl Berberi
Shtune, 11 Tetor 2008 09:26:00

Një bisedë me Zhan Lui Brezhu, i moshuari turist, me prindër shqiptarë që shëtit botën në perëndimin e viteve: “Nuk ka ndjenjë më të këndshme se ndjesia e lirisë”

Sapo kalon rezidencën qeveritare, atje ku fillon rruga për Drilon, buzë liqenit është ngritur prej disa ditësh një çadër ku aty hyn dhe del një burrë i moshuar. Çadra është vendosur rreth 2m larg bregut të liqenit dhe prej aty ndjen llokoçitjen e valëve të liqenit, klithjen e pulëbardhave dhe kërcitjen e peshkut. Fle aty dhe të duket sikur liqenin e ke nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese.

“Kjo bukuri e natyrës dhe këto brigje magjike më kanë sjellë prej më shumë se dy javësh këtu, - na thotë 70-vjeçari Zhan Lui Brezhu. Është koha e drekës dhe Zhani është duke pjekur një gjysmë pule vendi në një skarë me qymyr.

Na pret buzagaz dhe shumë miqësisht. Ai ka dy javë që jeton këtu në breg të liqenit në Pogradec. Zhani na tregon se ka punuar një jetë të tërë në doganat franceze (shumë prej këtyre viteve ka patur post drejtues) dhe para pesë vjetësh ka dalë në pension. Ka titullin doktor profesor i shkencave ekonomike.

I vetmuar ka nisur të udhëtojë nëpër vende të ndryshme të botës. Është baba i katër djemve të rritur Lionel, Arvin, Mark dhe Laurent, më i madhi i të cilëve, është rreth të 50-ve. “Sapo erdha në Pogradec, - thotë, - ngela “rob” i këtij liqeni. Është i madhërishëm”.

Ai ka dy javë që jeton këtu poshtë kësaj çadre. Thotë se do të qëndrojë edhe disa ditë të tjera. Në 28 tetor ka 70-vjetorin e lindjes dhe thotë se ka vendosur ta festojë i vetëm në Shqipëri. Një francez që vjen i vetëm kaq larg shtëpisë? Dhe për më tepër, një vendim për të festuar këtu një përvjetor kaq të rëndësishëm? Habisë sonë, i përgjigjet me një buzëqeshje. Dhe pikërisht në këtë moment, na tregon edhe “sekretin” e tij.

Zhani i ka prindërit shqiptarë. Babai i tij, Andrea dhe nëna Monika kanë jetuar për shumë vjet në Korçë në kohën e Zogut.

Zhani qesh sërish, pastaj kthehet nga liqeni dhe merr frymë thellë. “Buzë këtij liqeni, ndihem i qetë si ky liqen, - thotë, - këtu mundem të meditoj pa më shqetësuar njeri. Vjen një kohë që njeriut i pëlqen të bëj hesap çfarë ka bërë mirë në jetë dhe çfarë nuk e ka bërë si duhet”

Zhani është i divorcuar dhe mesa kuptojmë nga biseda, i pëlqen jeta prej “eremiti” dhe ndalesat në pika të ndryshme, në vende të ndryshme. “Kështu ndihem krejt i lirë dhe dije, - më thotë ai, - nuk ka ndjenjë më të këndshme se ndjesia e lirisë”

“Miqtë” e tij janë çadra, vetura, varka dhe duhani. Këtë të fundit e ka merak. E ka nisur që në rini, e di që “është ves i keq, por nuk kam ç’ti bëj, është më i fortë se unë”.

Me varkën që e ka sjellë me vete, zë peshk përditë dhe e konsumon atë. Me të qeshur, më jep më pas një këshillë: “Hani ushqimet tuaja se janë më të mira se tonat dhe blini rrobat tona se janë më të mira se tuajat”.

Në fund e pyesim gjatë këtyre javëve në Pogradec çfarë i ka pëlqyer dhe çfarë jo? Natyrën dhe banorët i rendit të parat tek “lista” e të mirave, kaosi urbanistik, “sidomos bregu i pistë dhe veturat e parkuara në barin e parkut”, janë gjërat që nuk i pëlqejnë.

Largohemi nga Zhani - “Skënder”, për të lanë të shijojë lirinë e tij.

BOX

Babai i Zhanit dhe miqësia e prishur me Enver Hoxhën

“Babai ka qenë profesor në liceun francez në Korçë. Ka pasur miqësi me Enver Hoxhën, miqësi e prishur, pas aktivizimit të Hoxhës në krye të lëvizjes komuniste. Babai im e urrente komunizmin dhe mbaj mend që më thoshte se komunizmi do ta shkatërrojë atë popull”.

Prindërit e Zhanit u larguam nga Korça pasi në Shqipëri hynë trupat e para fashiste. Zhani i ruan mirë kujtimet e prindërve për ato kohë. “Babai im në shenjë respekti për Shqipërinë, emrit tim në dokumentacionet e lindjes i ka ngjitur edhe fjalën Skënder, që unë të mbartja nga pak historinë e heroit kombëtar Skënderbeut”.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML