Niveli i akujve arktikë është kthyer në masën e vitit 1979. Këtë e faktojnë të dhënat e fundit të publikuara nga Qendra për Kërkimet rreth Klimës në Universitetin e Ilinoisit. Muajt e parë të vitit të shkuar, sipas studiuesve sipërfaqja e akujve pati menjëherë një rënie të ndjeshme, aq sa dikush parashikoi edhe një ‘zhdukje’ të shpejtë të tyre brenda vitit. Por, muajt që pasuan, falë temperaturave të ulëta që mbajtën e shtuan këtë sipërfaqe në mënyrë të konsiderueshme. U arritën në këtë mënyrë ato raporte, që ishin regjistruar për sipërfaqet e ngrira të para 30 viteve.
Shkencëtarët amerikanë monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme terrenet akullnajore përmes satelitëve. Çdo vit sipërfaqe me akuj shkrijnë dhe rikuperohen sërish me ardhjen e dimrit, por sipas studiuesve nuk ishte pritur një përmirësim i tillë brenda pak muajve. Bill Chapman, një nga kërkuesit e qendrës universitare shpjegon se kohët e fundit temperaturat në zonat arktike kanë qenë shumë të ulëta. Ndihmë në të ftohtin e mbajtur sipas tyre duhet të kenë dhënë edhe shpejtësia e erës që e bën më të lehtë formësimin e akujve, duke i lënë një shtresë të mirë bore në sipërfaqe.