Premte, 08 Gusht 2008 02:44:50
    

Lexoni versionin Print

Për hirin e një violine

Është njoftuar koncerti i sotëm i orës 19.00 në skenën e Akademisë së Arteve. Ai ku violinistja Ina Kosturi dhe pianistja Rudina Ciko ekzekutojnë për herë të parë një sonatë të kompozuar më 1937 nga Fan Noli.

Elsa Demo
Premte, 09 Maj 2008 08:05:00

 

Violinistja Ina Kosturi, mbesë e Nosëve, tregon lidhjen e sinqertë që patën mes tyre Lef Nosi dhe Fan Noli ngai cili sonte ekzekutohet premierë sonata e vitit 1937

Dy dhuratat që Noli i bëri Lef Nosit para largimit njëherë e përgjithmonë në Amerikë

Është njoftuar koncerti i sotëm i orës 19.00 në skenën e Akademisë së Arteve. Ai ku violinistja Ina Kosturi dhe pianistja Rudina Ciko ekzekutojnë për herë të parë një sonatë të kompozuar më 1937 nga Fan Noli. Në fakt koncerti i kushtohet Lef Nosit si Ministër i parë i Postë-Telegrafave, ndërsa me sonatën e Nolit nderohet miqësia e dy patriotëve. Dyshja interpreton edhe një vepër tjetër të shkruar nga një prej kompozitorëve të parë shqiptarë, Thoma Nasi, vepër me motive të Matit.

Violinistja Ina Kosturi, mbesë e Nosëve, tregon lidhjen e sinqertë që patën mes tyre Lef Nosi dhe Fan Noli. Ajo paralajmëron një mbrëmje që do të na lidhë me të kaluarën, me atë të kaluar që nuk ishte helmuar akoma nga viti 1945.

Cila është historia e partiturës së sonatës shkruar nga Fan Noli që do të ekzekutohet për herë të parë sonte?

E kam ditur që kishte një sonatë të shkruar nga Fan Noli. Meqë ky është një koncert përkujtimor për Lef Nosin, mendova si të veçantë që të luanim diçka nga Noli për hir tëmiqësisë së tyre të vjetër, për hir të një violine dhe qenit, të cilat Noli ia kishte besuar Lef Nosit.

Pasi nuk gjeta gjurmë në Shqipëri, sonatën e kam kërkuar jashtë. Ndihma nga jashtë duket se në çdo moment është e nevojshme. U lidha me mërgimtarët e Amerikës të cilët u përpoqën ta kërkonin. U lidha dhe me At Artur Liolinin i cili më dha emrin e prof. Eno Koços, dirigjentit të njohur. Koincidoi që Koço kthehet në Tiranë për një koncert dhe kështu që 10 ditë para ne e morëm partiturën e sonatës së Nolit, me shumë interes, si një gjë e veçantë, e vjetër. Mbante datën 31 mars të vitit 1937.

Kjo është partitura origjinale?

Ishtenjë fotokopje e partiturës origjinale. Parti i violinës me të pianos ishin bashkë. Pra ishte diçka e shkruar, po ndoshta e paluajtur sepse rreshtat e violinës ishin bashkë me të pianos. U desh t’i merrnim e t’i ndanim një nga një që të bënim një partiturë pianoje dhe violine që zgjaste gjashtë faqe.

Si do ta klasifikoje sonatën?

Le t’ua lëmë më mirë muzikologëve. Megjithatë unë si violiniste e shoh në sensin çfarë mund t’i jap unë asaj pjese. Gjithsekush nga instrumentistët fut nga një gjë të reaq më tepër kur është një vepër e panjohur. Fillimin unë e konceptoj pak epik, ka një moment që më kujton këngën e njohur “Duam më shumë Shqipërinë”, ka dhe një moment tjetër që më lidh me Bethovenin. Dmth kemi të bëjmë me një influencë të Nolit nga Bethoveni. Zgjat jo më shumë se 10 minuta. Kjo ndoshta është një detyrë kursi, megjithatë ne do ta luajmë me shumë dëshirë, për të nderuar dy figurat.

Është hera e parë që prezantohesh me Nolin kompozitor?

Po është hera e parë që njihem me një kompozim të tijin dhe me një kompozim të vjetër do të thoja. Nuk ka kompozime të tjera për violinë. Këtë part e kam kërkuar edhe në Arkivin tonë të Shtetit, por nuk kam gjetur gjë. Thashë, ndoshta kjo ka qenë detyrë kursi e tij.

Viti 1937 përkon me ndonjë fakt të rëndësishëm në jetët e të dyve?

Më 1937 Nosi bënte një fletëpalosje të 25-vjetorit të themelimit të pavarësisë, të aktit të themelimit të pavarësisë. Kjo ishte koincidenca që mua m’u duk shumë e bukur. Në të njëjtën kohë Noli shkruan një sonatë që përkon me këtë përvjetor.

Çfarë di për miqësinë e tyre?

Di që miqësia e tyre ka origjinë përtej vitit 1937. Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Lef Nosi, ishte ministër në qeverinë e Nolit. Di që me ikjen në Amerikë, Noli i lë violinën, një tjetër gjë e bukur kjo. Ndaj sot e ndjej për detyrë interpretimin e sonatëës e cila më duket se ka rënë në duart e duhura. I la edhe qenin që, sipas tregimeve të gjyshes sime me të cilën kam qenë tepër e lidhur, pushoi së jetuari në momentin që Lef Nosi është pushkatuar, në të njëjtën ditë. Quhej Çapi. Duket e pabesueshme, po është e vërtetë.

Violina duhet të ketë pasur fatin e shumë gjërave të tjera të Lef Nosit. Pra nuk dihet ku ndodhet, siç nuk dihet dhe fati i dokumentit të pavarësisë. Di që ishte i mbështjellë në këllëf meshini dhe që ai duhet ta ketë ruajtur me shumë kujdes. Sipas thënieve të gjyshes sime, ky dokument duhej të ishte në kasetën e Lef Nosit, në bankën e shtetit. Sot po bëhen kërkime, ndoshta për të gjetur origjinalin.

Çfarë kujtimesh ke nga gjyshja jote për Lef Nosin?

Gjyshja ime ishte mbesa e Lef Nosit nga babai. Adelina Nosi, ishte emri i saj i vajzërisë. Mbaj mend, se në shtëpinë e saj ruhej një fotografi e Lef Nosit, fotoja që po botojmë sot, e cila është ruajtur për 40 vjet mbrapa fotografisë së babait tim Skënder Kosturit. Pra Adelina Kosturi e mbante të fshehur mbas fotografisë së djalit të veshur me kostum kombëtar. Më kujtohet që Adelina e thërriste dajë. Kuptohet që për të flitej gjithnjë më pak.

Herën e parë që kam dalë jashtë shtetit, në Firence, më ka kërkuar të shkoj në një kishë dhe të ndez një qiri për shpirtin e tij, sepse pushkatimi i këtij njeriu në moshën 70-vjeçare për Adelinën vazhdonte të ishte tragjik. Ishte pushkatuar një njeri me fjalët në gojë për Shqipërinë. Ka gjëra intereresante që flasin për trimëritë e atij që ishte dënuar si antifashist, që kishte marrë pjesë në disa kongrese të Elbasanit, Durrësit, që kishte qenë kryetar bashkie i Elbasanit, krijues i filatelisë shqiptare, themelues i aktit të pavarësisë dhe më vonë, në vitin ’43, anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës dhe që pavarësisht komenteve që mund të jenë bërë apo etiketimit të tij si “kolaboracionist”, unë kisha për ta përmendur gjithmonë bashkë me pater Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. Të tre përballë një gjyqi qesharak. Ka ardhur momenti që të flitet në shtyp për kontributin e këtyre njerëzve.

Ruhen sende prej tij në familjen tuaj?

Shtëpia e tij do të sekuestrohej. Ka qenë një ikje e dhunshme, edhe pse ai e dinte që do të dënohej. Gjërat me vlerë i çoi në kasetën e tij, në bankë, për t’i ruajtur. Ai ishte njeri që ruante. Një pjesë e gjërave humbi, një pjesë u vodhën. Nuk di të ketë mbetur gjë. Të paktën të gjendet dokumenti i pavarësisë që aie kish ruajtur.

Veprat e tij, ndërkaq, ruhen në arkivat e disa institucioneve. Janë gati 12 mijë fletë që presin të shohin dritën e botimit. Ai ka qenë njeri që ka dhuruar shumë gjëra me vlerë. Për sa më përket mua do doja të bëja sa të mundesha, por tani kam violinën. Historianët duhet të merren me Lef Nosin. Nuk mund të rri pa përmendur atë që kam ndjerë kur kam lexuar procesin gjyqësor kundër tij. Është një gjë shumë e dhimbshme, përballë atyre akuzave qesharake. Në fund të fundit ata nuk ikën asgjëkundi ndenjën këtu dhe u vranë siç mund të vriteshin vetëm tre patriotë.

Do të thoshja edhe diçka. Ka dhe një lidhje tjetër me sonatën e Fan Nolit për shkak të miqësisë së Lef Nosit me Jovan Kosturin. Ky i fundit ishte në komitetin e fshehtë për krijimin e shkollës së parë shqipe, komitet i cili u ndërmor nga shqiptarët e Bukureshtit. Jovan Kosturi ishte edhe mik i Fan Nolit. Një nga pjesët më të bukura që për fat të keq mungon sot në tekstet e antologjisë shqiptare, është një përshpirtje e Fan Nolit e shkruar më 1906, kur Spiro Kosturi vritet nga grekët. Në gazetën “Kombi” do të shkruhej dikur se kush e ka humbur këtë fjalim të Nolit, nuk ka humbur fjalët e tij, sepse Noli nuk fliste në të, Noli këndonte.

Pra, kam dy arsye për ta luajtur këtë sonatë më bukur seç është shkruar, duhet të gjej një mënyrë për ta bërë interesante.

Si mund të ketë reaguar familja jote kur Lef Nosi nderohej në parlament me urdhrin “Gjergj Kastrioti”, dhe po atë ditë, aty brenda, bërtitej se po nderohej një tradhtar.

Pak ditë pas dhënies së urdhrit, një tjetër ceremoni në nderim të Lef Nosit u bë në Elbasan nga gjyshja ime, pak para se të vdiste. Kishte deputetë të të gjitha kaheve. Ai që kundërshtoi nuk ishte një parti, ishte një person i vetëm që nuk dihet nga çfarë interesash apo lajthitje të momentit foli me atë gjuhë. Nuk dua ta komentoj më gjatë.

Do thoshja vetëm që kur janë janë ekzekutuar Nosi, Harapi dhe Bushati, kanë qenë një katolik, një mysliman dhe një ortodoks. Me kaq nuk dua të komentoj më gjatë as debatet për atdhetarinë dhe ngjyrën e besimit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • BROZALINI: - 05-09-08
    koment

    Duhet te dalin ne drite dokumentet e njerezve intelektual qe kane lene shume, por jane vjedhur plagjature qe shume profesore, te lidhur me regjimin i kane pervetesuar, mjafton te permendesh biblioteken e Franceskaneve e Jezuiteve ne Shkoder qe kane pasur me dhjetra faqe studimi ne fushen e gjuhesise, historise e toponimise se vendit, sidomos per arbereshet etj.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML