Fri, 25 Jul 2008 18:10:22
    

Lexoni versionin Print

Harmoni “a capella”

Ato nuk kanë veshur fustanë të zinj e shalle me pupla. Nuk thithin pipa të gjata me duhan dhe nuk kanë atë vështrim ndjellëse të përhumbur. Janë gra gazmore, me një veshje të përkorë, rreth të dyzetave. Po kështu edhe ata. Nëse do t’i ndeshje në rrugë, mund të mendoje se punojnë në ndonjë zyrë, pas ndonjë tryeze e kompjuteri.

Alma Mile
Sat, 10 May 2008 08:55:00

 

Grupi hollandez “Roerend Goed” dha një koncert pop e xhaz në Tiranë e Durrës. Këngë të reja e mitike të sjella “a capella” në harmoninë e katër zërave

Ato nuk kanë veshur fustanë të zinj e shalle me pupla. Nuk thithin pipa të gjata me duhan dhe nuk kanë atë vështrim ndjellëse të përhumbur. Janë gra gazmore, me një veshje të përkorë, rreth të dyzetave. Po kështu edhe ata. Nëse do t’i ndeshje në rrugë, mund të mendoje se punojnë në ndonjë zyrë, pas ndonjë tryeze e kompjuteri. Por zërat e tyre duken sikur janë nxjerrë nga arkivat e filmave bardhë e zi të shekullit XX. Dhe ndërmend të vijnë ambiente kabaresh... “Roerend Goed” është një kuartet pop-xhazi nga Hollanda. E veçanta e tyre është që muzikën nuk e bëjnë me instrumente, por me kordat vokale. Një dhunti që ia ofruan përgjatë dy netëve edhe publikut shqiptar. Mbrëmjen e së enjtes dhanë një koncert në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë, ndërsa dje në skenën verore të Qendrës Kulturore në Durrës. Një koncert i zhvilluar në Javën Evropiane, me mbështetjen e Ambasadës Hollandeze, pa ndonjë bujë e publicitet të madh, por që mirëpriti një numër të mirë spektatorësh, kryesisht të huaj, pjesë e trupave diplomatike në Tiranë, por edhe muzikantë shqiptarë e të apasionuar pas xhazit.

Katërshja e “Roerend Goed” nuk ka nevojë për skenografi për të mbushur skenën e për të sunduar sallën. Programi i tyre është i zgjedhur me kujdes. Që nga krijimet origjinale tek ato që mbajnë firmën e emrave të mëdhenj të muzikës. Shumica sjellë në katër zëra. Sjoukje Ytsma-soprano, Esther de Meijer-alto, Henk Zegwaard-tenor dhe Jan Gommans-bariton, dinë t’i administrojnë mirë zërat e tyre. Janë zëra të pastër, siç mund ta marrë mendja që vijnë nga një vend tulipanësh, gjelbërimi të pafund e mullinjsh me erë. Interesantë kur këndojnë solo, por shumë më mirë, kur vijnë në kuartet. Padyshim kjo është edhe pika e tyre e fortë. Nuk kanë shumë kohë në Tiranë, megjithatë duket se e kanë studiuar mjaft mirë skenën e Akademisë së Arteve. I kanë mësuar pikat e “dobëta” të saj, efektin akustik dhe mënyra sesi vendosen në të është mbresëlënëse. Në varësi të theksit që duan t’i japin zërit, kombinojnë vendet me njëri-tjetrin. Herë janë meshkujt në mes, herë këngëtaret femra, pastaj njëri vendoset pak më tej… Harmonia dhe përthyerja e zërave është perfekte… Në shumicën e këngëve të sjella për publikun, këndojnë a capella. Në ndonjë syresh, xhaz tradicional, është vetë baritoni Jan Gommans që krijon tingujt e kontrabasit. Dhe vijnë kaq të gjallë dhe të vërtetë këta tinguj, saqë diku aty mes radhëve të publikut, studentët e Akademisë së Arteve qëllojnë me bërryl njëri-tjetrin, duke thënë me të qeshur: “bjeri kot kontrabasit ti…”. Herë-herë ata shoqërohen në piano nga pianistja Corine Staal, që në fund të çdo interpretimi të saj, nuk kursen një buzëqeshje të madhe për publikun.

Ndër këngët e interpretuara janë “A House is not a Home”, “The Secret Marriage”, “Meditation”, “A Foggy Day”, “In the still of the inght”, “Angel eyes”, etj, që përfshihen në albumin që kanë nxjerrë së fundmi. Këngët u prezantuan nga vetë këngëtarët, të cilët shpjegonin me pak fjalë edhe brendinë e saj. Kështu iu këndua meditimeve natën në dritare, pakënaqësive të holandezëve për motin, pritjeve për një letër nga e dashura e zemrës… Krahas krijimeve të tyre, interpretuan edhe këngë të njohura si “Besame mucho”, kënga e famshme meksikane e Consuelo Velazques, “Baby you can drive my car” e “Beatles”, për të vijuar me krijime të Astor Piazzola-s, apo të Stingut. Të sjella sipas mënyrës së tyre në katër zëra. Shumica e këngëve u interpretua në gjuhën angleze, por edhe në gjuhën e vendit të tyre, madje edhe në dialektin frizian. Katërshja solli harmoni dhe krijoi një atmosferë të këndshme në skenën e Akademisë së Arteve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi hollandez "Roerend Goed"


Veljanovski: Opozita të marrë pjesë në Parlament

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski i bëri

Kolegia e Karaxhiç e shokuar kur mori vesh të vërtetën

Një grua, kolege e ngushtë e Radovan Karadxhiç gjatë jetës së tij të

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML