Homazh jozyrtar kushtuar Zai Fundos në Javën e Evropës. Së bashku me Stavro Skendin kujtohen në Itali si dy shqiptarët që kanë kontribuar në “Manifestin e Vetontenes”, dokumenti i idealeve të para për Evropën e Bashkuar
Në mbyllje të Javës Evropiane, 2-9 maj, drejtoresha e Arkivit Shtetëror, dr. Nevila Nika, na njoftoi për homazhin që i është bërë së fundi në Itali, intelektualit të pashoq Zai (Llazar) Fundo. Studiuesi italian Giovanni Falcetta, në konferencën “Altiero Spinelli, Manifesti i Ventotenes në Rezistencë” i mbajtur në fund të prillit në Universitetin e Pavias, i ka kushtuar 30 minuta portreteve të shqiptarëve Llazar Fundo dhe Stavro Skendi dhe rolit të tyre në “Manifestin e Ventotenes”. Falcetta ka sugjeruar që në një të ardhme të afërt, Fundo të përkujtohet në këto përmasa edhe në Shqipëri. Ai është jetëshkrues i Fundos dhe Skendit sidomos i “periudhës italiane”, i internimit të dy intelektualëve shqiptarë, periudhë që përkon me “Manifestin e Ventotenes”. Është viti ‘40-‘41 kur hartohet i quajturi dokument “Për një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Projekt i një manifesti” – i redaktuar Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi. Për këtë manifest që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës duke krijuar një forcë të jashtme politike që ngrihej mbi forcat partiake tradicionale kombëtare, kontribuan idetë e shumë intelektualëve evropianë të cilët për shkak të rezistencës antifashiste ishin internuar në ishujt e Italisë, mes të cilëve ishte Ventotene.
Figura qendrore e kësaj ngjarjeje mbetet sot e kësaj dite Altiero Spinelli i quajtur “themelues dhe baba i Evropës”, ndonjëherë edhe Uliksi që kërkonte një Itakë Evropiane. Komiteti “Altiero Spinelli” i krijuar me rastin e 100- vjetorit të lindjes së ish parlamentarit evropian, në faqen zytare ka bërë vend për “Shokët e Uliksit”. Janë faqe që i kushtohen atyre që ndanë së bashku me Spinellin aventurën e internimit. Një protagonist ndër ta është Llazar Fundo, në kujtim të të cilit Spinelli ka shkruar disa faqe në autobiografinë ku fton edhe të tjerët për të mos harruar një personalitet kaq me influencë, jeta e të cilit u ndërpre egërsisht në fund të luftës. Këto të dhëna, së bashku me fotografitë për Fundon janë kuruar nga prof. Giovanni Falcetta, dhe ne po ia japim lexuesit.
Nga autobiografia e Spinellit me titull “Si provova të bëhesha i urtë”, kujtime nga Ventotene 1939–1943, kemi shkëputur pjesën ku ai flet si e ka njohur Llazar Fundon, fragment që botohet për herë të parë në shqip:
“E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon , sepse (…) kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, po edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit...
Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish- komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë,i drejtë, i bukur me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi...
Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Lazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.
Ky është përshkrimi që i bën antifashisti komunist i dënuar në Ventotene, autor kryesor i Manifestit për një Evropë të lirë dhe të bashkuar, themelues i Lëvizjes Federale Evropiane.
Llazar Fundo (1899 –1944), ishte lindur në Korçë në një familje tregtare me origjinë nga qyteti mesjetar i Voskopojës. Shkollën e mesme e kreu në liceun francez në Selanik dhe studimet universitare për jurisprudencë në Paris. Në fillim të viteve ‘20, ai ishte një nga iniciatorët e shoqatës komuniste “Bashkimi”, krijuar nga Avni Rustemi. Pas vrasjes së këtij të fundit, Fundo zgjidhet unanimisht kryetar i saj. Më 1924 drejton periodikun “Bashkimi”. Ishte një ndër themeluesit e parë të Partisë Komuniste Shqiptare.
Në ditët e Revolucionit Demokratik udhëhequr nga peshkopi Fan Noli, (Qershor 1924), Fundo ishte një nga bashkëpunëtorët aktivë së bashku me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin, etj. Ishte 25 vjeç dhe gëzonte respekt të madh.
Pas dështimit të qeverisë së Nolit, Fundo emigroi bashkë me të tjerë. Me sugjerimin e Nolit u nis të studionte në Bashkimin Sovjetik dhe u bë pjesë e grupit komunist shqiptar i quajtur “Konare”. Më 1933 ndodhet në Berlin bashkë me George Dimitrovin dhe akuzohet se pat urdhëruar vënien e zjarrit Rajhshtagut. Pas shfajësimit nga akuza, bashkë me vajzën që bashkëjetonte, Maria Margaretha Stemmer (e cila kishte siguruar edhe një nga avokatët e mbrojtjes) dhe mikun Dimitrov arratisen në fillim në Paris dhe më pas në Bashkimin Sovjetik.
Gjatë gjithë viteve të gjata të emigrimit të detyruar (1924–1939), Fundo shkruan për gazetën “Çlirimi Nacional” që drejtohej nga ia vetë së bashku më Fan Nolin, Halim Xhelon etj. Ai ndikoi edhe në organizimin e vullnetarëve shqiptarë që do të shkonin për të luftuar kundër Frankos në mbrojtje të Republikës Spanjolle dhe në organizmin politik “Fronti Nacional” i krijuar në Paris më 1936. Ndërmjet viteve ‘20-‘30 ishte një ndër bashkëpunëtorët më besnikë të periodikut “La Federation Balkanique” që botohej në Vjenë në disa gjuhë.
Por, shumë shpejt (në vitet 1937–38) mbeti i zhgënjyer dhe i indinjuar nga diktatura barbare e Stalinit. I marrë në pyetje nga “Ciska” e Kominternit, ia doli që të shpëtojë falë miqësisë me Dimitrovin dhe u arratis në Francë dhe në vende të tjera evropiane.
Më 1938 Fundo ndërpret çdo lidhje me Partinë Komuniste Shqiptare dhe Kominternin. Pas pushtimit fashist të vendit u kthye në Korçë dhe aty nis propagandën antifashiste. Arrestohet më 1941 nga kuestura dhe policia italiane në Tiranë dhe deportohet në Ventotene si kundërshtar i rrezikshëm i regjimit musolinian. Pas kapitullimit të fashizmit, megjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dhanë disa socialistë italianë (midis të cilëve Sandro Pertini, që pati një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943) që donin ta bindnin për të qëndruar në Itali për të luftuar me ta fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar nazifashizmin përkrah patriotëve. Por kapet nga partizanët e Enver Hoxhës ndërsa ndodhej në Kolezian të Kukësit së bashku me vëllezërit Kryeziu dhe një misionar ushtarak anglez. Pasi u torturua egërsisht, u pushkatua me urdhër të Hoxhës, në moshën 45-vjeçare, në shtator 1944. Vetëm në vitin 1995 eshtrat iu sollën në Korçë.
Stavro Skendi (1906–1989)
Profesori i Liceut të Korçës u arrestua për antifashizmin e tij të shpallur dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, ku qëndroi deri më 1941. Aty krijoi lidhje të ngushtë me Altiero Spinelli dhe sidomos me Ernesto Rossin miqësi që do ta ruante edhe kur Skendi emigroi në Amerikë.
Pas Ventotenes u kthye në atdhe dhe u bashkua me Ballin Kombëtar deri kur la përfundimisht Shqipërinë më 1947. Emigroi në Stamboll pastaj në Amerikë ku studioi në Universitetin e Kolumbias deri më 1951. Gjatë kësaj kohe vazhdon të jetë aktiv në lëvizjet antikomuniste të emigrantëve shqiptarë në SHBA. Por më pas iu kushtua krejt kërkimit shkencor. Kishte botuar ndërkaq librin “Shqipëria” që u botua më 1956 nga Praeger Publishers, në kolanën “Europa Qendrore dhe Lindore gjatë komunizmit”. Deri në mesin e viteve 50, kjo vepër konsiderohej si një nga më të mirat për këtë temë, duke shërbyer si pikë referimi për studimet e ardhshme mbi Shqipërinë. Ai nisi punën si docent për gjuhët ballkanike pranë Universitetit të Kolumbias më 1954. Bëhet Profesor i Associuar i Gjuhëve dhe Kulturës ballkanike. Jep leksione deri më 1972, vit në të cilin merr titullin Profesor Emeritus.
Boton artikuj të shumtë në revistat shkencore amerikane dhe evropiane.
Ai e kishte parë diktaturën komuniste si një tragjedi kombëtare për popullin shqiptar. Për këtë arsye dhe për armiqësinë përsonale që Enver Hoxha ushqente ndaj tij vepra e Skendit u ndalua sa kishte frymë regjimi. Madje deri vonë ai ishte i panjohur. Vetëm në vitin 2007 u botua e para dhe e fundit vepër e tij në shqip, një studim për epikën gojore.