Gjirokastër- Ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton prej 17 vitesh për në qytetin e tij të lindjes, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e marrjes së titullit "Nderi i qytetit". Dita e 59-vjetorit e ka gjetur piktorin e mirënjohur Bashkim Ahmeti mes miqsh të vjetër. "Gjirokastra është një zonjë e madhe, mijëvjeçare e hijerëndë. Ne jemi njerëz që vijmë e shkojmë, breza që vendosim nga një gur, lum ai që vendos një gur në të". Kështu e ka përkufizuar piktori atë çka ai ka dhënë për qytetin e lindjes, pas marrjes së çmimit "Qytetar nderi", i dhënë nga Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës me motivacionin: "Për kontribut të shquar kombëtar e lokal, me vepra cilësore në gjininë e pikturës, afreskut e skenografisë. Me krijimtarinë e tij ka bërë të njohur veten dhe qytetin e lindjes në mbarë Shqipërinë dhe jashtë saj". Dhënia e çmimeve për Ahmetin dhe dy skulptorët po shumë të njohur gjirokastritë Ksenofon Kostaqi dhe Stefan Papamihali është organizuar në galerinë e arteve në kalanë e qytetit, aty ku qëndrojnë të ekspozuara disa punë të hershme të piktorit.
Gjirokastra vazhdon ende ta ngacmojë artistikisht piktorin. "Është vendi ku unë linda dhe kalova një pjesë të mirë të jetës, madje edhe këtë pjesë që nuk jemi këtu e kemi gjithmonë në mendje e në zemër. Sa herë e rishoh më ngacmon artistikisht. Kontaktet fizike nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë, e rëndësishme është ajo që ke vazhdimisht në kujtesë e në zemër për një vend",- shprehet Ahmeti.