"Përplasja", drama me autor dhe regjisor Ekrem Kryeziun u vu shfaq natën e dytë të edicionit të shtatë të Festivalit Mbarëkombëtar të Aktrimit "Apollon 08". Jo në skenën tradicionale të teatrit të Fierit, por në tarracën e Rostika Kala. "Përplasja" është drama e një njeriu të burgosur që jeton dy realitete, atë të qelisë dhe të vegimeve. Interpretuan Çun Lajçi në rolin e Cen Berishës, Vedat Haxhiislami në rolin e Tonit dhe të Blerta Sylaj, vajza e vegimeve të të burgosurit.
Kryeziu tha se "është një ngjarje e vërtetë që më ka ndodhur, me përjashtim që personazhi vritet, ndërsa mua më kanë shpëtuar rojet e burgut. Është pjesë e jetës sime. Gjatë gjithë kohës ekziston frika se njeriu sado i fortë të jetë, burgu lë pasoja të tmerrshme në psikikën e tij. Kur dola nga burgu, një mik i imi psikiatër më tha: po të shikosh me lupë një zot e di se sa mirë je ti, aq të çara ke brenda vetes që nuk i di. Ngadalë jam duke i shëruar dhe po i mbush me dashuri ato të çara të shpirtit tim". Dramaturgu kosovar prezantoi dje edhe dy vëllime me disa nga dramat e tij më të mira.