Sun, 06 Jul 2008 05:52:54
    

Lexoni versionin Print

Himni i dytë kombëtar

Është njëqind për qind shqip. Teksti dhe muzika kanë autorë shqiptarë, madje të mbështetura fort në tabanin kombëtar. Nuk shfaq asnjë dasi fetare a krahinore dhe mund të kishte ndenjur bukur si Himn Kombëtar. Surpriza e vërtetë e mbrëmjes kushtuar kompozitorit dhe diplomatit Lec Kurti, nuk ishin thjesht veprat e tij dhe faktet që në

Alma Mile
Fri, 16 May 2008 08:10:00

 

Në mbrëmjen kushtuar kompozitorit Lec Kurti, krahas veprave të ekzekutuara për herë të pare, vjen edhe një regjistrim i vitit 1922 i Himnit Kombëtar me tekst të Gjergj Fishtës

 

Është njëqind për qind shqip. Teksti dhe muzika kanë autorë shqiptarë, madje të mbështetura fort në tabanin kombëtar. Nuk shfaq asnjë dasi fetare a krahinore dhe mund të kishte ndenjur bukur si Himn Kombëtar. Surpriza e vërtetë e mbrëmjes kushtuar kompozitorit dhe diplomatit Lec Kurti, nuk ishin thjesht veprat e tij dhe faktet që në të vërtetë vënë në pikëpyetje fillimet e muzikës serioze shqiptare, por një regjistrim zanor i vitit 1922. "Porsi fleta e Ejllit të Zotit / Po rreh Flamuri i Shqipnisë / E thrret t'bijtë e Kastriotit / Me u mbledhë tòk ndër çetë t'ushtrisë./ Bini Toskë, ju bini Gegë, / Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë! /A ngadhnjyes a t'gjithë Dëshmorë, / Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!...".

Është kori i Motrave Stigmatine që këndojnë Himnin Kombëtar "Vallja e flamurit" me muzikë të Lec Kurtit dhe tekst të Gjergj Fishtës. Fjalët janë shkëputur nga "Mrizi i Zanave" dhe janë muzikuar nga Kurti pas shpalljes së Pavarësisë. Mendohet që të jetë krijuar në vitin 1913, ndonëse në kushtet ku janë ruajtur partiturat është e vështirë të gjesh datën e saktë. Megjithatë ky himn ka mundur t'i rezistojë kohëve, madje në formën më të shkëlqyer, atë zanore.

Pas 84 vjetësh nga regjistrimi në një gramafon të vjetër çek, dëmtuar nga koha, zërat e Motrave duket sikur vijnë nga qielli. Sipas muzikologut prof. dr. Sokol Shupo (Dekan i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve) muzika e Kurtit është tipike shkodrane. Ai tregon për ekzistencën e tri varianteve të këtij himni, motivet e të cilit u demonstruan nga pianistja Merita Rexha. Këto materiale ruheshin nga nipi i kompozitorit, Albert Kurti, i cili është ndër të fundit e Kurtajve, që mundi të njohë "axhën" diplomat e muzikant. Ai është edhe trashëgimtari kryesor i pasurisë dorëshkrimore të Lec Kurtit. Alberti tregon se ishte 7 vjeç kur axha e merrte gjithnjë me vete dhe e ulte në odë me burra. Natën e fundit që Lec Kurti kaloi në Shkodër, u ul në të njëjtën sofër me Mit'hat Frashërin. Prej atëherë nuk mori më prej tij asnjë lajm. Megjithatë, dorëshkrimet i ka ruajtur me fanatizëm. "Dorëshkrimet janë ruajtur kryesisht prej mbesës së tij Beatriçes, e cila përpara vdekjes m'i besoi mua. Shumicën e veprave e kam unë, një pjesë ka edhe Tinka Kurti", - thotë Alberti. Janë partitura, përkthime e krijimtari letrare, fatkeqësisht shumë të dëmtuara. Ai e kujton shumë mirë bastisjen e shtëpisë së Kurtajve në vitin 1945. "Ai kishte një bibliotekë shumë të pasur, të cilën ia hodhën përtokë. Shumë dorëshkrime u shpërndanë, disa u dëmtuan, të tjera i morën me vete", - vazhdon ai, teksa shton se për shkak të injorancës së asaj kohe, dorëshkrimet përfunduan në vende aspak të denja. Arritën të ruanin dorëshkrimet që kanë arritur deri më sot, por edhe ato shumë të vështira për t'u deshifruar. Muzikologu Sokol Shupo thotë se u është dashur shumë kohë që të mund të ndajnë mes dorëshkrimevetë cilat ishin veprat e Lec Kurtit dhe cilat të të atit, Palokës. Kjo u arrit vetëm përmes shkrimit. Një punë e gjatë që u konkretizua mbrëmjen e së mërkurës në koncert-konferencën "Lec Kurti: Lindja e mohuar e muzikës artistike shqiptare". Pianistja Merita Rexha, violinistja Suela Piciri dhe sopranoja Mariana Leka sollën për herë të parë 14 krijime të kompozitorit Lec Kurti, romanca, arie, sonata. Të gjitha të parat në llojin e vetë në Shqipëri. Kryesisht vepra romantike e klasike, por tek-tuk ndihen edhe bulëzat e para të impresionizmit. "Këngë djepi" është një syresh. Të gjitha këto pjesë janë përmbledhur në një libër muzikor, që do të shfrytëzohet në programet mësimore. Albert Kurti thotë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ofertë për t'i vënë në skenë. "Jam munduar të publikoj, por nuk kam pasur asnjë ofertë nga kompozitorë, apo muzikologë, për të zbuluar Lec Kurtin, ndoshta as ata nuk e dinin se cila ishte vlera e këtyre veprave". Kështu që si gjatë diktaturës, ashtu edhe pas saj, vepra e Kurtit mbeti e mbyllur në një arkë të vjetër. "I ruanim në fshehtësi të madhe, në një arkë të vjetër. Vetëm tani dolën prej andej", - thotë i nipi.

Pavarësisht fshehtësisë me të cilën u ruajtën veprat, kjo nuk e shpëtoi familjen Kurti nga persekutimi. "E kemi vuajtur shumë. Babai u burgos për një kohë të gjatë. Unë kam qenë mësues muzike, u pushova nga puna, sepse isha nipi i tij dhe në të njëjtën kohë edhe nipi i Ernest Koliqit. Mu desh të punoja gjatë në fermë",- pohon Albert Kurti. Megjithatë tani duket sikur koha ka e ka bërë efektin e saj si melhem. Mbrëmja kushtuar axhës, është gjithsesi një fillim.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Merturi: - 05-19-08
    Melodi e nji kompozimit austriak

    Ne fakt hymni kombetar i yni eshte nji kompozim i huazuar nga nji melodi e vjeter Austriake.Interresoniu se do te bindeni.Kjo melodi eshte sjelle nga vete Kurtet qe kan krijuar per here te pare ne shqiperi Orkestren e bandes ne shkoder.Ne mos u gabofsha,jo Paloka burri i Tinkes po gjyshi i burrit te Tinkes me ermin Palok Kurti.

  • nikvlora: - 05-16-08
    Te behet Referendum

    Eshte interesant fakti se hymni jone te ndryshoje per arsye se ishte me serioze nqse shkruhesh e kompozohesh nga ne SHqipetaret.Nuke me kujtohet per momentin cili shtete 5 0 6 muaje perpara propozoje Hymnin e Ri me referendum nepermjete dhe internetit.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML