Për një shfaqje 500-700 euro
U bënë vite tashmë që në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, hyjnë e dalin artistë të huaj apo shqiptarë që kanë zgjedhur skenat e huaja për të bërë karrierë. Dhe kjo jo thjesht për faktin që një teatër si ky i yni ka mungesa në “sektorë” të ndryshëm, po edhe për hir të bashkëpunimit apo për të selljë një frymë të re. Vetëm në operën për të cilën po punohet, e që ngjitet në skenë më 18 qershor, “Berberi i Seviljes”, vijnë në Tiranë një dirigjent dhe një asistent, tre këngëtarë (një tenor, një bariton dhe një bas), të gjithë nga Italia, një bas nga Maqedonia dhe një tjetër bariton nga Amerika, por ky i fundit është shqiptar. Sigurisht që të gjitha këto “hyrje” kanë një kosto financiare.
Përgjithësisht Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u mbulon të ftuarve biletën e udhëtimit, akomodimit (kur bëhet fjalë për të huaj) dhe sigurisht pagesën për çdo shfaqje. Pagesat variojnë në varësi të këngëtarit (cilësisë) e rolit. Por mësojmë se në këtë mes luan një rol të madh edhe dashamirësia e vetë artistëve. Tarifa më e shpeshtë për të ftuarit (këngëtarë) është 500 euro për shfaqje. Sigurisht kur bëhet fjalë për role, apo zëra të rrallë, tarifa është pak më e lartë (700 euro). Por në përgjithësi shumat variojnë në këto nivele. Për këngëtarë të niveleve të larta, 500 euro mund të jetë një çmim tepër i ulët, por diplomacia bën shumë punë në këto raste. Përpara faktit që TKOB është një teatër i varfër, me një buxhet modest, në një vend të vogël, që ka vuajtur diktaturën për shumë vite, “thyhet” çdo artist dhe pranon kompromisin. Sigurisht pa harruar edhe bashkëpunimet me teatro të ndryshme, apo mbështetjen e ambasadave, të cilat mund të marrin përsipër një pjesë të shpenzimeve. Ndërsa në rastin e shqiptarëve, ndryshon pak puna. Për ata që janë të rinj (si në rastin e Kreshnik Zhabjakut), ideja e prezantimit me publikun shqiptar do të thotë shumë dhe është një çmim më vete.
Ndërsa për ata që janë tashmë të afirmuar, është si një lloj detyrimi ndaj skenës që i krijoi dhe u dha shtytjen e parë. Dhe në kushtet kur paratë nuk është edhe aq e thjeshtë për t’u gjetur, politikat e ndjekura janë për t’u lavdëruar, pse jo. Por, gjatë këtyre viteve “shitje-blerjesh” (më shumë blerje), jo gjithnjë është shënuar në shenjë me blerje dhe 500 euro duken shumë. Është e vërtetë që skenën e kanë nderuar emra dhe zëra të bukur, shqiptarë e të huaj, duke filluar që nga sopranoja Ermonela Jaho, tenori Saimir Pirgu, mexosopranoja Shpresa Spaho, bas-baritoni Frano Lufi, basi Aleksandar Stefanoski, baritoni Pietro Terranova…. Por ka pasur prurje që nuk kanë qenë në nivelin e artistëve tanë si tenori Franck Asparte tek “Carmen”, tenori Cristiano Olivieri tek “Aida”, tenori Cesare Catani disa vite më parë tek “Traviata”. Këta të fundit janë ata që mbahen mend për performancën e dobët, për të mos përmendur prurje të tjera ku niveli ka qenë thjesht i pranueshëm. Kështu që kur flitet për opera e për të ftuar, një interpretim duhet vlerësuar jo vetëm si cilësi artistike, po edhe si një blerje, apo thënë ca më troç si para.