Kur bazën e kishin tek Piramida, e justifikonin disi emrin: Qendra Ndërkombëtare e Kulturës. Anipse aktivitete ndërkombëtare shumë pak kemi parë të zhvillohen nën këtë “markë”. Pas planit “madhor” për kthimin e piramidës në qendër të artit bashkëkohor, bashkë me pllakat e mermerta që mbulonin së jashtmi ish-muzeun e diktatorit, u larguan edhe disa institucione që “strehoeshin” aty. Një syresh edhe Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”. Me gjithë emrin e rëndë ky institucion nuk ka qenë ndonjëherë “lider” në llojin e vet, madje disa vite më parë as i dihej fare funksioni. Dy viteve të fundit, diçka nisi të gjallërohej QNK-ja, madje pati edhe një program kulturor të projektuar qysh në fillimviti dhe drejtori i saj thoshte nëpër gazeta se do ta bënte piramidën si Centre Pompidou në Paris! Mes një shumësie aktivitetesh (duhet thënë që një periudhë kohe nuk kishte ditë të mos kishte ndonjë syresh dhe zëdhënësja e shtypit e institucionit ishte aq e zellshme saqë i çonte nga 10 herë njoftimet), pati edhe ndonjë aktivitet të mirë, ndonjë mbrëmje letrare, ndonjë ekspozitë. Po u bënë muaj tanimë që QNK-së nuk po i ndihet më emri. Largimi nga piramida ia shoi edhe atë pak përpjekje për lulëzim. Njoftimet janë bërë më të rralla dhe fatkeqësisht nuk kanë as ndonjë adresë për vendndodhjen e institucionit. Vetë drejtori na informon se zyrat e QNK-së janë zhvendosur në katin e katërt të ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Tanimë me një veprimtari të reduktuar, (tek-tuk ndonjë promovim libri) aktivitetet e qendrës zhvillohen në këto ambiente (një sallë 70 vendëshe), apo në salla të Muzeut apo të Teatrit Kombëtar. Në këto kushte e vështirë të kuptohet se cili është funksioni i këtij institucioni dhe çfarë kuptimi ka ofiqi “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës”.