Instituti i sociologjisë harton të parin kod gjinor. Sugjeron që 30% e strukturave vendimmarrëse të jetë e përfaqësuar nga gjinia femërore. Ndërsa Arkivi i filmit na njeh me gruan nga që epoka e mbretërisë deri në vitet ’90. Një traditë që s’na jep arsye për të qenë të zellshëm
Njerëzimi i ka nën lëkurë sjelljet shta-zore. Këshilla si ai i Evropës besojnë te struktura që do të “edukonin” dhe u zinin pritë pabesive me burim njeriun dhe rrethanat e përcaktuara që nga koha kur bota ka funksionuar sipas trajtave të burrit. Së fundi KE rekomandon se si “47 vendet anëtare mund të reagojnë në mënyrën më optimale kundër dhunës me specifikë gjinore.” Në Shqipëri diskutimi për dhunën ndaj gruas është nën nivelin e propagandës, që do të thotë se ndjeshmëria është zero.
Kjo nuk e ka penguar Institutin e Sociologjisë që të “djegë” etapat e debateve me fokus gruan dhe ta zhvendosë në rolin e të privilegjuarave, duke synuar angazhimin e tyre në hapësirat publike dhe në veçanti në hapësirën e vendimmarjes.
Sociologu Lekë Sokoli i cili në studimet e tij në vite ka tendencën për ta parë fenomenin grua në gjendjen e “yllit të shuar”, tek arsyet e rënies së krenarisë dhe vlerësimit të saj, së bashku me Institutin që ai drejton, është sipërmarrës i një surprize, i hartimit të të parit kod gjinor në Shqipëri. Kjo “konventë” ka gjetur mbështjetje në disa qytete kryesore të vendit ku IS ka forca të angazhuara. Sokoli komenton rastin shqiptar për marrëdhëniet gjinore të cilat shndërrohen në probleme publike kur sheh se femrave nuk u krijohen shanse të barabarta. Për çdo paragraf të Kodit Gjinor Instituti i Sociologjisë ka studime të thelluara nga të cilat rezultojnë se ka dy standarde vlerësimi dhe hapësirash që lidhen me kushtet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Sipas kësaj llogjike, Sokoli kujton se panorama e sotme në Parlamentin Shqiptar është e tillë që ndër 140 deputetë vetëm 7 janë gra. “Më e trishtë gjendja është në këshillat e qarqeve”, thotë ai dhe i referohet, fjala vjen, këshillit të qarkut të Elbasanit ku të 92 anëtarët janë burra. “Ne sugjerojmë që nëpërmjet sensibilizimit qytetar ky kod gjinor për të cilin janë përfshirë edhe subjektet lokale, të futet në axhendën e ditës së shoqërisë shqiptare.”
Nisma e IS përkon me diskutimin së afërmi në parlament të projektligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri”. Deputetët do të kenë në dorë edhe këtë dokument të IS i cili merak mbi të tjera ka kërkesën për mundësi të barabarta konkurrimi, për të arritur që 30% e strukturave vendimmarrëse të jetë e përfaqësuar nga gjinia femërore. Dhe njëlloj siç projektligji e parashikon, përfaqësimi të jetë në këtë masë edhe në partitë politike të cilat “nëse shkelin dispozitat e këtij ligji, nuk mund të marrin fonde shtetërore për ushtrimin e veprimtarisë se tyre”.
Lekë Sokoli mendon se ka potenciale për këtë pretendim të kodit, por nëse “nuk zëvendësohet institucioni i emërimit me institucionin e konkurrimit, nuk kemi shkuar asgjëkundi”. Ai e quan kritike situatën dhe të pandryshueshme për aq kohë sa nuk ka opozitë të hapur, por latente dhe kur askush “nuk i kundërshton këto që themi ne”.
Të premten në mbrëmje në ambientet pas atelierit të ish-Kinostudios, për hir të këtij sensibilizimi, Instituti i Sociologjisë dhe “Kompania Filmike AA” organizuan mbrëmjen “Zonja Shqiptare - Historia në një ditë” me slloganin: “Së bashku për më shumë krenari, më shumë vlerësim, më shumë hapësira, më shumë angazhim”.
Pse zonja shqiptare? Sepse në malësitë tona gruas i kanë thirrur “oj sojnike” ose “oj fisnike”, përgjigjet Sokoli, kurse qëllimi për më shumë krenari i “përgjigjet rënies së krenarisë për shkak të rënies së vlerësimit të vetes dhe vlerësimit të institucioneve tona”.
Por në atë aktivitet 2-orësh u fol pak për shembuj konkretë të arritjeve apo të dështimeve të gruas. Në vend të dëshmive që mund të jepnin kokat e krehura, çantat me parfume, supertakat dhe telefonat e fjalës së fundit të teknologjisë, u kërkua, siç ndodh atëherë kur s’ka çfarë të thuhet, që publiku të duartrokasë vetveten.
Duhet thënë se ky aktivitet me pjesëmarrjen e fare pak burrave tregoi se më mirë për çështjet e grave mund të flasin burrat edhe pse këta rezultojnë shkelësit më të mbrapshtë të të drejtave të seksit të dytë; se gratë që nuk dinë të mbrojnë të drejtat e tyre është njëlloj sikur t’i kenë vetëshkelur ato; se gratë krijojnë në mënyrë të panevojshme një rreth vicioz sepse zelli për të pasur të drejtat është më i madh se vullneti për t’i fituar ato.
Këto janë dobësi që pa ndonjë sforcim të madh mund të shfrytëzohen nga burrat e parlamentit shqiptar dhe ta deformojnë atë ligj për të drejta të barabarta.
Të vjen keq që në atë paradë të “Zonjës shqiptare”, kostumet e grave të partive politike ishin prerë njëlloj dhe krijuan përshtypjen se arritja më e madhe për një grua duhet të jetë një vend në parti.
Është për të ardhur keq që në atë mes nuk u dëgjua një zë gruaje që mendimet e veta t’i ketë hedhur në kartë a shpallur diku për të besuar në peshën dhe seriozitetin e asaj që thuhej aty, për të besuar se një grua kujdeset për trurin dhe botën e saj po aq sa ç’kujdeset për takat dhe parfumin dhe që nuk mundohet ta fshehë veten pas esencave dhe aromave.
Ajo nuk ndodhej aty të premten sepse në mos pastë lindur akoma, nuk do të dalë për aq kohë sa të ngjashmet e seksit të saj dhe burrat vetë që e pranojnë jetën në Shqipëri si një mjedis natyral të pazëvendësueshëm, përbëjnë shumicën.
Është për të ardhur keq që nuk ka një qëndrim objektiv ndaj traditës, e të shkuarës së saj 100-vjeçare. Pa këtë gjysmëndërgjegje të gruas shqiptare nuk mund të kuptohen sjelljet e gjysmës së sotme moderne.
Aktorja Margarita Xhepa, e hequr disi mënjanë, kur gratë po ushqeheshin me koktejlin e rastit, tha se nuk mund të thuash që emancipimi nuk ka ndodhur tek ne. “Kam rritur tre djem dhe përnatë kisha shfaqje në teatër. Sot femratlodhen shpejt dhe janë shumë të dhëna pas të shfaqurit, pas dukjes”.
Pamjet që serviri me këtë rast Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, tregojnë një traditë aspak për t’u pasur zili. Nëse tradita erdhi me forcat e veta dhe forcat e jashtme të zhvillimit deri një stad të krahasueshëm me fqinjët, ideologjia dhe diktatura bëri që emancipimi të ndodhte por brenda suazës, një emancipim gati i sharruar.
Dëshmojnë dhe fotot që shoqërojnë këto radhë. Janë marrë nga filma dokumentarë dhe artistikë. Dhe për t’i vënë vulën gjithë asaj, mbrëmja vazhdoi me projektimin e filmit “Kapedani”.
T’i kthehemi edhe njëherë kodit gjinor, projektligjit dhe arsyetimit të sociologut. Ai na tha se nëse ligji do të deformohet në parlament atëherë Instituti i Sociologjisë do të synojë një referendum për kodin gjinor. “Ne kërkojmë rigjenerim të rolit të grave dhe të kthimit në interesat publike. Ne nuk kërkojmë ashtu si feministët, të hiqet dorë nga funksionet tradicionale të grave”. Në fund Sokoli thekson se 70% janë gratë që janë rikthyer në shtëpi pas viteve nëntëdhjetë. “Kjo është humbja më e madhe e seksit femëror në Shqipërinë moderne. Ato mund të kenë fituar kapital fizik, por kanë humbur kapitalin social.” Ajo që sociologu dhe të kolegët e tij të angazhuar në këtë çështje duam që është ky kapital social të bëhet pjesë e një lëvizjeje qytetare.
Drejt lirisë
Simone de Beauvoir
Grindja do të vazhdojë deri sa burrat dhe gratë të mos e njohin njëri-tjetrin si njerëz, domethënë deri sa të vazhdojë feminiteti si i tillë; cila palë është më e tërbuar për ta ruajtur atë? Gruaja që çlirohet prej feminitetit do prapëseprapë të ruajë privilegjet e tij; dhe atëherë burri kërkon që ajo t’ia pranojë dhe kufizimet. “Është më e lehtë të akuzosh një seks se sa të shfajësosh tjetrin” thotë Montaigne. Është e kotë të shpërndash qortime dhe pëlqime. Në të vërtetë, nëse këtu është e vështirë të thyhet rrethi vicioz, kjo ndodh sepse të dy sekset janë secili sa viktimë e vetes aq edhe e tjetrit; midis dy kundërshtarësh që përballen në lirinë e tyre të pastër, mund të vendoset me lehtësi paqja, aq më tepër që nga kjo luftë nuk përfiton asnjëri; por kompleksiteti i kësaj çështjeje vjen ngaqë çdo palë është bashkëfajtore me armikun e saj; gruaja ndjek ëndrrën e dorëheqjes, burri ëndrrën e tjetërsimit; mungesa e autenticitetit nuk sjell fitim; secili fajëson tjetrin për fatkeqësitë që i vijnë nga nënshtrimi ndaj tundimeve të lehtësisë; ajo që burri dhe gruaja urrejnë njëri-tjetrin, është dështimi i bujshëm i vetë hilesë dhe i vetë poshtërsisë së tyre.
Marrë nga “Seksi i dytë- përvoja e jetuar”
Diçitura:
De Beauvoir nudo. Foto e bërë në Çikago nga Art Shay, fotografi i Life Magazine, miku i Nelson Algren, i dashuri amerikan i shkrimtares dhe filozofes franceze, ndërkohë që ajo ishte e lidhur me të dashurin e përjetshëm Zhan Pol Sartrë.
Kurse Algren ishte një nga mbrojtësit e parë të të drejtave të grave në Amerikë.