Kërkon zgjidhje në gjykatë i pari akademik i nxjerrë në pension nga reforma. Jorgo Bulo: vendimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike më erdhi vetëm dy ditë para
“Më kanë nxjerrë në pension dhe për këtë kërkoj dëmshpërmblim”. Profesor Jorgo Bulo nuk bën më shumë koment se kaq dhe sugjeron të lidhemi me avokatin që e ka përfaqësuar dje në Gjykatën e Tiranës, në seancën prezantuese të padisë që ai ka ngritur ndaj Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Është e para padi ndaj QSA në këto gjashtë muaj të krijimit të saj e cila ka për burim reformën në Akademinë e Shkencave dhe në kërkimin shkencor.
Studiuesi i letërsisë, i punësuar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë që në vitin 1966, kishte gati 8 vjet që mbante postin e drejtorit. Me largimin prej andej në shkurt 2008 ka bërë objekt padie kthimin në vendin e mëparshëm të punës dhe dëmshpërblim për “mënyrën e pajustifikuar” të zgjidhjes së kontratës së punës.
“Largimi i Bulos ka qenë politik” tha dje për gazetën avokati i tij Mujo Haxhiaj. “Ky është një largim i qëllimshëm nga detyra sepse ai ka qenë kundërshtar i reformës në Akademi. Ky është mendimi im personal. Institucionet shtetërore nuk e mbrojnë dot të pambrojturën. As në vitin ’44 nuk veprohej me letra të tilla. Qendra e Studimeve Albanologjike e ka zgjidhur kontratën në mënyrë të njëanshme”. Dhe pikërisht kjo pikë e objektit të padisë mendohet të jetë më e forta, ajo ku do të këmbëngulë pala paditëse.
Profesor Bulo, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prejvitit 2003 sqaron në kërkesë-padi se “papritur, pa asnjë njoftim paraprak apo procedurë sqaruese, me vendimin nr. 05, datë 29.02,2008 më komunikohet “dalja në pension pleqërie e z. Jorgo Bulo, deri tani me detyrë Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Marrëdhëniet financiare të ndërpriten më datë 1.03.2008.” Për gjithë sa ka ndodhur ai kërkon dëmshpërblim financiar për të vënë në vend siç thotë avokat Haxhiaj “dëmin e madh moral që i është bërë profesor Bulos, në një kohë kur njerëz si ai shteti duhej t’i kishte marrë në mbrojtje”.
Burime nga pala juridike e Qendrës së Studimeve Albanologjike thanë dje se padia e Bulos për pensionimin e parakohshëm është e pabazë, sepse ai ka përmbushur elementët për daljen në pension pleqërie. “Rasti i nxjerrjes së Bulos në pension nuk është i padrejtë. Qendra e Studimeve Albanologjike funksionon mbi bazë të ligjit “Për Arsimin e Lartë”, sipas të cilit personeli akademik me titull profesor del në pension në moshën 68-vjeçare. Profesor Bulo është 73 vjeç. Sipas Ligjit për Akademinë e Shkencave do dilte në pension në moshën 75 vjeç. Por Ligj për ASH është për Akademinë e Shkencave. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk është më në varësinë e ASH”.
Largimin e menjëhershëm nga puna, pra vetëm dy ditë pasi Bulo ishte hequr nga drejtor dhe ishte emëruar thjesht punonjës kërkimor-shkencor, të njëjtat burime e justifikojnë me fazën kalimtare të QSA si një institucion i sapokrijuar nga reforma që i ishte dhënë detyra e dorës që do të kryente reforma në albanologji. “Kur largohej Bulo nuk ishte ngritur mirë struktura e QSA, për këto arsye profesori nuk ëshë njoftuar në kohë për largimin nga puna”.
Ndër radhët e akademikëve të albanologjisë kjo nuk mund të quhet reformë me një të rënë të lapsit. Njëlloj si Bulo kanë dalë në pension pleqërie edhe 11 të tjerë, nga të cilët një pjesë e mirë janë rikthyer në punë dhe janë kontraktuar falë angazhimit me projekte. Përmendim profesorët e gjuhësisë Kolec Topalli, Emil Lafe, apo historianë si Kasem Biçoku që doli në pension pleqërie dhe u emërua as më pak e as më shumë, por drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.