Mesdheu jo thjesht si një hapësirë gjeografike, por si një koncept. Më 27 qershor në hapësirat ekspozuese të Vilës Rufolo në Ravello të Italisë hapet ekspozita “Mediterraneo 2008” (“Mesdhe 2008”). Ajo përfshihet në programin e Festivalit të Ravellos në seksionin Arte Vizive, nën kurimin e Achille Bonito Oliva-s. Ekspozita që qëndron e hapur deri më 24 gusht përmbledh punët e 17 artistëve të përzgjedhur nga një juri e posaçme. Shqipëria përfaqësohet nga artisti Adrian Paci, me një karrierë tashmë të konsoliduar në Itali. Mësohet se artistët që vijnë nga të gjitha vendet që lagen nga Deti Mesdhe, tregojnë përmes punëve, kompleksitetin dhe pasurinë e kësaj hapësire gjeografike. “Mesdheu përfshin një mijë gjëra në të njëjtën kohë. Nuk është një vend, por shumë vende. Nuk është një det, por shumë dete. Jo vetëm një qytetërim, por qytetërime të ndryshme në bashkëpunim me njëra-tjetrën”, - thoshte dikur historiani francez Fernand Braudel. Kjo thënie e tij është përdorur si koncept kuratorial nga organizatorët e ekspozitës. Ata pretendojnë një përmes punëve të artistëve të rinj, të krijojnë një panoramë më të detajuar të këtij pellgu. Ekspozita e përfshirë në festivalin që ka si temë “diversitetin” ofron të gjitha aspektet e këtij realiteti: politikën, fenë, etnografinë, të dhëna psikologjike dhe intelektuale, kujtesën kolektive të popujve të Mesdheut. Edhe gjuha artistike e përdorur nga artistët është e ndryshme, si pikturë, skulpturë, instalacion, fotografi, video. Në ekspozitë do të paraqiten veprat e artistëve Haluk Akakce (Turqi), Adrian Paci (Shqipëri), At Las Group (Liban), Yto Barada (Francë/Marok), Massimo Barto Lini, Sabrina Mezzaqui (Itali), Guy Ben-ner (Izrael), Bleda Y Rosa (Spanjë), Paolo Canevari, Roberto Cuoghi (Itali), Emily Jacir (Palestinë), Jorge Queiroz (Portugali), Christiana Soulou (Greqi), etj.
a.m