Festivali më i rëndësishëm ndërkombëtar i teatrit në Shqipëri, “Butrinti 2000” bëhet gjysmë festival
Me afrimin e mesit të korrikut që është kornizuar në kalendarët kulturorë si “ditë të Festivalit të Nëntë të Teatrit “Butrinti 2000”, organizatorët dhe manaxherët teknikë kanë zbritur në terren për t’u njohur me nevojat, si dhe për të lidhur marrëveshjet me institucionet dhe individët që do të punojnë për infrastrukturën mbështetëse të Festivalit. Alfred Bualioti, iniciuesi dhe drejtori i kësaj ngjarjeje të përvitshme në qytetin antik të Butrintit, nuk është më në kuotat e dikurshme të optimizmit për mbështetjen prej organizmave shtetërore dhe kompanive private që deri vonë i kanë pasur partnerë. Përgjysmimi i fondeve ka përgjysmuar ditët e planifikuara për zhvillimin e Festivalit, ka përgjysmuar numrin e shfaqjeve dhe të trupave pjesëmarrëse. Ka eleminuar trupa të rëndësishme gjithashtu si trupa greke, italiane, bullgare, ruse që secila më vete përbën një shkollë teatrore. Kështu i bie që trupa shqiptare e Teatrit Kombëtar të ballafaqohet me vetveten ose e shumta me teatrin e vendeve fqinje me ndikimin e shkollës lindore të teatrit si Maqedonia, Çekia apo Serbia.
Alfred Bualioti në një takim me mediat në Sarandë ka shpallur se shteti shqiptar duke varfëruar në ekstrem mundësitë financiare për nevojat e festivalit, indirekt i ka hequr mbështetjen për organizimin e tij. Përveç shtetit që tregohet “dorështrënguar”, është Ligji shqiptar i sponsorizimeve, sipas Bualiotit, që e bën artin dhe kulturën të mbetet pa donatorë e pa mbështetje financiare”, thotë drejtori i “Butrinti 2000”. “Absurdi qëndron në atë që në Ligjin e sposorizimeve është përcaktuar shuma që mund të japë si mbështetje sponsorizuese një firmë private. Me urgjencë duhet të shihet nga ligjvënësit se si do të favorizohet, kultura, arti, sporti e shumë veprimtari të tjera, pa mbështetje dhe sponsorizim nga biznesi privat. Të ndryshoje ligji në mënyrë që të favorizohen këto veprimtari.”
Organizatorët u shprehën se ka rdhur koha qëBashkia e Sarandës duhet të jetë më pranë festivalit financiarisht. “Butrinti 2000” nuk mund të konsiderohet si një festival i provincës apo Komunës së Ksamilit. Edhe pse Butrinti ka një emër shumë më të madh,edhe pse ai shërben si një pasaportë për qytetin e Sarandës dhe si një pikë reference edhe për turizmin kulturor, Butrinti nuk mund të merret i shkëputur nga Saranda.
A përfiton Saranda nga festivali? Po, përfiton shumë. Paketa e akomodimit të artistëve është vendosur në Sarandë. Artistët e ardhur nga vende të ndryshme, ushqehen në Sarandë për disa ditë dhe sigurisht që miqësohen me qytetin, njerëzit. Pra qyteti është njëri prej përfituesve direkt nga pikëpamja sociale, financiare dhe promovuese.
Në mbyllje organizatoret thonë se festivali i teatrit “Butrinti 2000” do të zhvillohet pavarësisht mbështjetjes së dobët të MTKRS e cila e ka klasifikuar si një veprimtari private në një prej siteve më të veçantë arkeologjikë në Evropë.