Tre vjet pas dështimit të të parit “spektakël” me dervishë valltarë në Butrint, vjen lajmi se do të vijnë vërtet prej anadollit. Quhet Turneu Mistik i Dervishëve Fluturues që sjellin në Shqipëri dhe në Kosovë shoqatat kulturore “Argjiro” dhe “ArtKontakt”. Në Shqipëri do të qëndrojnë në Kalanë e Gjirokastrës më 30 qershor dhe në Tiranë, në Akademinë e Arteve një ditë më pas. Më 2 korrik ndodhen në amfiteatrin e Prishtinës.
Gjithsej 3 performanca të Dervishëve “Hasan Dede dhe Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut” të cilët funksionojnë si një ansambël me repertor vallet e sufive mevlevi të quajtura “sema” (qielli). Semaja njihet si një disiplinë muzikore dhe shpirtërore që konsiston në rrotullimin e dervishëve rreth vetes duke simbolizuar lëvizjen e trupit në univers dhe kërkimin e pareshtur të njeriut për tu kthyer në origjinën e gjithçkaje, çka është Zoti. Më tepër se një doktrinë fetare, ashtu si dhe vetë poezia e Mevlana Xhelaledin Rumit ku ky vallëzim ka gjetur frymëzim, semaja përfaqëson një ritual të urdhrit mevlevi si një rrugë e veçantë e lidhjes së drejtpërdrejtë me krijuesin, ose e shprehjes së përmallimit të njeriut për të. Tek semaja ngërthehen poezia, muzika, e bukura, harmonia estetetike dhe simbolike si dhe vallja si shprehje e aspirimit të shpirtit nëpërmjet trupit.
Vizualisht, vallja e dervishëve rrotullues është një performancë ku dervishët të veshur me fustanella të bardha, rrotullohen rreth vetes në unison me një ritëm muzikor, përmes të cilit synohet kulmi i transhendencës.