Karikaturisti gjerman Heiko Sakurai komenton ditët e vështira të medias sot dhe tabutë që s’mund të preken pa i bërë llogaritë me opinionin. Humbja e entusiazmit për artin e “kartonave”
Heiko Sakurai ka ardhur për herë të parë në Shqipëri këto ditë qershori i ftuar nga shoqata kulturore shqiptaro-gjermane “Robert Schwartz” e mbështetur për këtë bashkëpunim nga Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore. Karikaturisti gjerman është duke zhvilluar disa seminare me studentë shqiptarë në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias Marubi. Puna ka qenë zgjedhja e temave “për vizatim” dhe praktikimi i tyre, fjala vjen i karikaturës për premtimet politike, për problemet e përditshme shqiptare, për rrugët, mungesën e energjisë dhe të ujit, për problemin e vizave. Dje kanë diskutuar për Gërdecin, sot për ndotjen, nesër për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, dhe Evropës së Bashkuar.
Pra një orientim për tek “historia”, “teknika” dhe me këto të dyja bashkë për tek estetika dhe efekti i karikaturës tek njerëzit.
Të vetmin mjet njohjeje për Shqipërinë 35-vjeçari kishte deri në atë moment romanin “Kështjella” i Ismail Kadaresë, që po i pëlqen për lakonikën dhe për humorin. Heiko Sakurai të fut në atmosferën e realitetit mediatik, në shqetësimin e ikjes së lexuesit, e humbjes së vëmendjes ndaj gazetave e rënies së kopjeve të shitura. Ai është karikaturist permanent dhe i pavarur për Westdeutsche Allgemeine Zeitung dhe karikaturat e tij botohen rregullisht në Financial Times Deutschland, Welt am Sonntag, Berliner Zeitung dhe në revistën “Cicero”.
“Kurrë më parë shtypi gjerman nuk ka njohur cilësi të tillë, e megjithatë po humbet lexues dita-ditës”. Duket sikur Sakurai të ngushëllon për realitetin ku ndodhet media në Shqipëri e cila lexuesin dita-ditës po e humbet për të kundërtën.
Punët e këtij përfaqësuesi të brezit të ri të karikaturistëve gjermanë publiku mund t’i ndjekë në ekspozitën e të shtunës në galerinë “Zeta”.
Çfarë po iu ofroni studentëve shqiptarë me seminaret?
Qëllimi është që të prezatoj bazat dhe një traditë të karikaturës politike, historike dhe të prodhojmë pak karikaturë të këtij lloji bashkë me studentët e Akademisë.
Po shoh se përvoja është shumë më e mirë nga ç’e prisja. Unë shpresoja që të realizonim të paktën një karikaturë çdo ditë, por ata janë kaq prodhimtarë, po punojnë shumë sa secili po bën 3-4 karikatura çdo ditë. Janë shumë të përqendruar. Jam i lumtur për këtë.
Ke qenë gjithnjë i interesuar për politikën dhe historinë?
Qysh fëmijë kam qenë i interesuar në këto dy fusha, edhe më vonë kur studiova Letërsi Gjermane dhe Histori Politike. Duke bërë këtë punë, duke vizatuar karikatura politike s’ke si të mos jesh i interesuar për politikën. Por duhet t’ju them se të vizatuarit është vetëm njëra anë, tjetra, dhe më e rëndësishmja është që kur je i mirinformuar, duhet të përcjellësh një mesazh.
Mendon se karikatura i ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë thelbin e politikanëve?
Mendoj se mund t’i bëjë njerëzit që të mendojnë dhe të diskutojnë për politikën. Pra për kaq do të ishte mjaftueshëm. Por nuk besoj se mund të ndryshonte ndonjë gjë, nuk besoj se ne do ta detyronim apo shtrëngonim politikën. Megjithatë do të ishte goxha sukses nëse karikatura do t’i nxiste njerëzit të diskutonin çështje politike dhe ndoshta ky është një lloj ndryshimi.
Je optimist apo skeptik me zanatin?
Jam pak skeptik çka nuk ka të bëjë me cilësinë e karikaturës, por me problemet e vetë shtypit dhe të medias në tërësi. E kam fjalën për problemet e mëdha që kanë kapur shtypin sot: lexuesi sa vjen e pakësohet, paraja po largohet nga biznesi i medias. Për karikaturën është kaq e vështirë që të mbajë gjallë vëmendjen sepse ka shumë imazhe gjithandej, në media, në internet, në televizion.
Njëzet vjet më parë, karikatura politike gëzonte një lloj monopoli, monopolin e imazhit në gazeta. Ndërsa tani, kur është bërë kaq e vështirë për ta bërë lexuesin për vete, ajo që dominon është fotografia.
Nisur nga kjo gjendje si e shikon të ardhmen tënde?
Unë shpresoj që të plakem me këtë punë, por ndonjëherë bëhem skeptik. Jam pesimist për të besuar se diçka do të ndryshojë. Ndoshta do të krijohen mundësi të reja, por ia kam frikën.
Ti ke thënë diku se “në Gjermani nuk është nevoja të jesh hero i karikaturës”. Cila është gjendja e këtij arti në vendin tënd?
Kjo fjali është shkëputur nga një artikull që kam shkruar për “Die Welt” dhe që kishte në fokus debatin për karikaturat e Muhametit në Danimarkë, në një kohë kur ne vetë, kishim pasur një rast të trishtueshëm. Një kolegu ynë në Berlin, ishte kërcënuar me vdekje sepse kishte vizatuar diçka për Iranin. Sigurisht që ai ishte keqkuptuar, por iu desh të fshihej për një javë, të largohej nga shtëpia. Dhe unë shkrova duke iu referuar rastit në fjalë. Unë besoj se të bësh një karikaturë do me thënë të mbrosh demokracinë, klimën demokratike. Të kërcënohesh sepse po bën një karikaturë politike kjo ndryshon perspektivën e zanatit tënd.
Raste si ai ikarikaturave për Muhametin, i quan provokative apo demokratike, “të shëndetshme” për opinionin?
Të dyja këndvështrimet do të qëndronin. Ishte një provokim nga ana e medias daneze. Nga ana tjetër mendoj se ka një lloj ndryshimi kur merr përsipër të bësh një karikaturë kritike për fondamentalizmin fetar, për abuzimin e politikës ndaj fesë apo të terrorizmit ndaj fesë. Karikaturë për këto abuzime duhet bërë që çke me të, sepse këto janë probleme të rënda në jetën tonë. Por të bësh karikaturë për fenë në vetvete nuk e shoh të udhës, unë nuk do ta bëja ndonjëherë. Pra ideja ishte provokuese, dhe ajo që ndodhi pas kësaj nuk është kurrë e pranueshme. Ishte një rast që na bëri të shihnim qartë se si pjesa islamike reagon ndaj opinionit të lirë.
Pra do të thuash se feja mbetet një tabu për karikaturën, të tjera tabu, ka?
Sigurisht, feja që sapo përmendëm, tabuja e karikaturës ndaj fesë, madje edhe për karikaturën ndaj fesë së krishterë, është problem edhe për gazetat tona në Gjermani. Seksi është po ashtu një tabu, të paktën në Gjermani. Franca apo Anglia mund të jenë më liberale në këtë drejtim. Kjo ndodh mbase ngaqë ne gjermanët jemi më pak të çlodhur (qesh) dhe nga ana tjetër nuk kemi atë traditë në karikaturë që kanë vendet e mësipërme që tentojnë tema provokative.
Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me tema të tilla apo me temën e terrorizmit. Duhet të them se këto tema janë tabu për ne në një kuptim, jo se nuk mund t’i trajtosh, por pastaj duhet të kesh mendjen për reaksionin që shkaktojnë.