Reforma institucionale e ndërmarrë nga Ministria e TKRS synon të fusë praktikën e audicioneve për të aftët dhe dembelët dhe të nxjerrë më shpejt në pension balerinët dhe koristët. Për spektatorin... parking dhe ajër të kondicionuar
Një plan u hodh u hodh poshtë dhe një i ri për reformën institucionale është ndërtuar. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve gjen shkas nga peticioni i sindikatës së artistëve të Teatrit Kombëtar të bëjë të ditur se ndryshimet në plan janë akoma në proces e sipër dhe se është herët për të kundërshtuar maketin e reformës. “Jo shkurtime po as tolerim dembelëve që kanë dy vjet që s’janë ngjitur në skenë dhe shteti i paguan megjithatë”, thotë kryetari i grupit të punës për reformën institucionale, Flamur Shehu.
Reforma në institucionet kryesisht skenike kombëtare që vijojnë të jenë të konceptuara në stilin punist, ka dështuar me të gjithë ministrat e kulturës. Si çdo nismë e guximshme që ndërmerret për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës ajo kërkon vullnet dhe para.
Ministri i Kulturës, Ylli Pango, i kapur në një moment sinqeriteti pat thënë se ligji “Për Artin Skenik” nuk zbatohet për aq kohë sa qeveria nuk ka vullnetin për t’i hapur rrugë. Ministria e Financave nuk merr përsipër të mbulojë koston e këtij ligji”.
Shehu, drejtor i kabinetit të ministrit të Kulturës, nuk i vë aq rëndësi kostos financiare. Dje ai vetëm përgënjeshtroi deformimet dhe keqinterpretimet që sindikata e aktorëve i ka bërë në media një ditë para, kur vetë kreu i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami është shprehur pro reformës.
Ndryshimet në institucionet e artit skenik konsistojnë në dy drejtime: në “kupolë” dhe në bazë, në mënyrën e konceptit të drejtimit dhe dhënien e një produktit kulturor me performancë cilësore në Teatër, Opera, Balet, Ansambël dhe Galeri Kombëtare.
Me “kupolë” do të kuptojmë krijimin e një strukture drejtuese ku janë: drejtori i përgjithshëm, i cili do të zgjidhet me konkurs dhe emërohet nga kryeminstri. Ai do të ketë mandat 4-vjeçar dhe ka të drejtë të rikandidojë. Kreu i operës, Zhani Ciko, e quajti pozitiv këtë ndryshim i cili i lë drejtuesit e teatrove skenikë të qetë nga marritë dhe tekat e ministrave politikë të kulturës.
Rol të dorës së parë në “kupolë” ka bordi që sipas ligjit “Për Artin Skenik” përcakton kalendarin e institucionit dhe ç’është më e rëndësishmja, përcakton kriteret e përgjithshme të vlerësimit të artistëve. Drejtori i përgjithshëm është kryetar i bordit.
Sipas planit të reformës hyn në organigramë një post i ri drejtues, i kërkuar me ngulm sidomos nga Teatri Kombëtar. Ky është drejtori artistik që ndjek procesin e shfaqjeve. Nëse TK nuk e ka akoma këtë figurë shpëtimtare, ç’mund të thuash për Teatrin e Operës dhe Baletit që e ka prej disa muajsh, e megjithatë TOB ka mbetur po ai, Sahara. Është e turpshme të thuash që nuk jemi reformuar prandaj dhe gjendja është kaq e mjerueshme. Në TOB një dorë i bën të gjitha: i njëjti emër regjisori për të gjitha vëniet në skenë, e njëjta dorë për skenografinë dhe kostumografinë.
Për demokratizimin e “bazës”, a asaj që paguhet me rrogë apo kontraktohet për projekte të caktuara, plani i reformës parashikon audicion. Regjisorit të brendshëm do t’i lejohet 1-2 vepra në skenë.
Flamur Shehu shpjegon për “Shekullin” që “për të gjithë artistët e Operës, të Ansamblit, të Teatrit të realizohet audicioni para mbylljes së sezonit artistik nën drejtimin e një grupi specialistësh të vendit dhe të huaj. Audicioni duhet të krijojë një pasqyrë të gjendjes aktuale të cilësisë artistike në institucion, të rishikojë kategoritë për secilin artist, të ndërpresë marrëdhëniet e punës me ata artistë që nuk arrijnë standardet minimale.” Sipas Shehut, konkursi do të bëhet jo vetëm për kontrollin e aftësive, po edhe për konceptet regjisoriale kur bëhet fjalë për vepra madhore.
“Ne duam që këta njerëz të mos merren me thashetheme po t’i hyjnë punës vërtet dhe në qoftë se kemi futur në organikë drejtorin artistik e kemi bërë këtë përmë shumë cilësi, për repertor të mirë”,- vazhdon Shehu. Me përmirësim të performancës ai ka parasysh detyrimin që i bën plani i reformës për repertor aktiv me 5-6 vepra në vit dhe po kaq vepra premierë. Pra një teatër të ketë 10-11 projekte gjatësezoneve të një viti. Cili artist edhe pse rrogëtar do të dilte në skenë pa shpërblim për tëinterpretuar në një vepër repetor të dy apo tre viteve më parë?
“Ne do mundohemi që t’iu japim një mundësi shpërblimi tjetër”, përgjigjet Shehu. “Ka artistë që ka dy vjet që nuk kanë hipur në skenë dhe marrin rrogën e shtetit prej dy vjetësh. Është e vërtetë. Pikërisht pse kemi konstatuar gjithë këto difekte në institucionet e varësisë, po bëjmë këtë draft të ri që t’u përgjigjemi këtyre problemeve dhe të arrijmë nivelet që kërkon një shtet demokratik.”
Reforma parashikon uljen e moshës së pensionit 50-55 vjeç për koristët, balerinët dhe instrumentistët frymorë. Sipas ligjit ekzistues, deri më sot, ata dalin në pension në moshën 60-65 vjeç. Ky ndryshim varet se si do të shihet nga Komisioni Parlamentar i Medias dhe i Informimit Publik. Me daljen në pension të këtij brezi mund të bëhet e mundur futja e “gjakut të ri”.
Maketi i MTKRS ka marrë parasysh disa ndryshime në problemet e infrastrukturës së këtyre institucioneve që deri tani janë parë të drejtuesit si aksesorë. “Aksesor” është sistemi i koncidionimit për të mos pasur dimra antarktidë dhe vera të nxehta.
Është edhe oborri i Pallatit të Kulturës i menduar për të qenë një parking 2-3 katësh nën tokë që të shfrytëzohet nga spektatorët. 60% e të ardhurave nga ky shërbim njëlloj si të ardhurat nga biletat i kalojnë institucioneve.
Zhvillimi i Publikut është një prioritet tjetër që reforma parashikon duke zbatuar politikë për një marketing të mirë të teatrove kombëtarë. Zhvillimi i audiencës nuk është gjë tjetër veçse “bërja për vete” e grupeve të spektatorit që “fshihet” në shkolla, universitete.
Flamur Shehu thotë se në mos shtatori, viti 2009 është afati për zbatimin e reformës institucionale në artet skenike.
Një Oskar postum për Heath Ledger, për interpretimin e Jokerit në filmin e ri për Batmanin, “Kalorësi i zi”. Është propozim i kritikut të revistës “Rolling Stone”. Peter Travers. Roli i Jokerit ishte i fundit për Ledgerin që u nda nga jeta në moshën 29-vjeçare, janarin e shkuar për shkak të mbidozës me qetësues.
Kritiku i “Rolling Stone” shkruan me tone entuziastë për interpretimin e Ledgerit, duke pohuar: “Nëse do të kishte një peticion për t’i dhënë çmimin Oskar, do ta nënshkruaja pa më të voglin dyshim”.
I pari i vetmi rast i një çmimi të tillë postum është ai Peter Finch, aktori i madhe anglez që më 1977 u vlerësua pak pas vdekjes, për interpretimin tek “Pushteti i pestë” i Sidney Lumet si aktori më i mirë protagonist.
Heath Ledger ka lënë një vajzë, Matilda, e lindur nga lidhja me aktoren Michelle Williams, me të cilën ishte njohur në filmin “Brokeback mountain”.
Që të mund të fitojë çmimin Oskar, Hetah Ledger duhet të ketë kandidimin postum, njëlloj siç ndodhi me Peter Finch. Filmi për rolin në fjalë shumë shpejt do të shfaqet në kinematë italiane.