Imazhi i rrallë i fotografuar nga Pjetër Marubi që na ka kaluar para hunde pa e marrë në konsideratë: vajza lypsare me këmishë zbërthyer. Katër pyetje mjeshtrit për vogëlushen me gjinjtë jashtë
Nga koleksioni i çmueshëm i negativëve mbi pllaka qelqi të Pjetër Marubit, nuk mund të rrish indiferent para imazhit të një vajze në moshën e adoleshencës së parë. Dhe kjo për disa arsye të cilat të lidhin me disa situata. E para: mbase është ajo që ne sot, si publik i viteve dymijë, na intrigon fakti i njohjes me një foto ku është pasqyruar një fëmijë trupi i të cilës sapo ka filluar të lulëzojë.
E dyta: fillesa e modelimit të fryrjes së gjoksit të saj të tërheq vëmendjen menjëherë dhe natyrshëm ta dërgon mendimin tek situatat që lidhen me çastin kohë, vend, ide dhe ndjesi emocionale të mjeshtrit të madh për të realizuar shkrepjen e kësaj fotoje. Nëse duam ta shijojmë aty për aty, do mjaftohemi me vlerësimin “kjo foto është një nga mrekullitë e Pjetër Marubit”. Por nëse qëndrojmë tek ajo më gjatë, nuk mund ta anashkalojmë dhe ta pengojmë aktivizimin e të arsyetuarit të një publiku bashkëkohës mbi disa fenomene sociale dhe artistike.
Fotografia si medium artistik dhe historik ka një pamje figurative të cilën ne e shohim si rezultat i procesit të dritës që na orienton drejt temës, subjektit dhe objektit që mbart në klishenë e saj. Në rastin e fotografisë së vajzës së varfër, tema na jep informacionin se kemi të bëjmë me varfërinë njerëzore; subjekti na tregon se kemi përballë imazhin e një personi gjysmë fëmijë e gjysmë grua dhe objekti është mjedisi ku është vendosur vajza, i cili përkon me sfondin e një porte dhe kalldrëmin e gurtë.
Nëse do ta kisha mjeshtrin përpara do t’i bëja këto pyetje dhe meqë nuk kam mundësi të marr përgjigje, po mundohem të provokoj pozitivisht rreth njohjes dhe studimit të kësaj fotoje.
I dashur mjeshtër, vajza-fëmijë e kishte këmishën e saj mjerane të zbërthyer?
Nëse do të ishim miq, mjeshtri do të më tregonte të vërtetën. Mendoj se asnjëherë, një vajzë që po rritet (prepubescent child) apo edhe më e re se vajza e fotos, në Shqipërinë e asaj kohe - vendi ynë dominohej nga rregullat e ashpra të Perandorisë Otomane e cila e ndalonte zhveshjen e gruas - e deri në vitin 1905, (viti i vdekjes së mjeshtrit P. Marubi), nuk do të qendronte e zhveshur si një topless ose e zbërthyer, për të treguar pjesën e sipërme të gjoksit, qoftë rome apo egjiptiane - fizionomia e portretit të vajzës së fotografuar të jep idenë se i takon këtyre origjinave - qoftë e kapur nga një varfëri e tejskajshme, apo qoftë e pastrehë dhejetime. Kjo do të ndodhte vetëm nëse do t’i kishte të gjitha këto dhe handikapin mendor.
Ju keni shkrepur një foto në çast apo krijuat një skenë të kompozuar?
Nëse do të shohim me vëmendje në koleksionin e fotove të kësaj periudhe, nuk do të arrijmë të gjejmë një pamje të tillë, mbi një fëmijë-grua në rritje. Mjeshtri Marubi, para se të realizonte foton, ka arritur të krijojë një skenë, pasi shumë foto të tij tregojnë rreth përgatitjes së skenave në studio. Këtë e tregon qartë atmosfera e fotografisë.
Së pari: Vajza ka zënë një pozicion, pra nuk është aspak një foto e shkrepur nga mjeshtri, pa vëmendjen e subjektit. Për këtë tregojnë duart e saj në pozicione aq elegante. E djathta qëndron e shpenguar dhe është një dorë e bukur dhe e patrajtuar, është një dorë e vendosur natyrshëm nga mjeshtri dhe nuk e mban aspak trastën e varur mbi sup, siç rëndom mund të ndodhë; dhe e majta ka një shkop të hollë dhe duket se e mban vetëm me dy gishta dhe lehtazi, siç nuk do ta kapte zakonisht thuprën. Mendoj se ajo plotësisht e organizuar pozon para kameras.
Së dyti: vajza është me kokën drejt kamerës, por sytë e saj shohin poshtë objektivit dhe tërësia e portretit të saj seç na tregon rreth një gjendjeje emocionale të dyshimtë ku bashkohen frika, ndrojtja, trishtimi, turpi, mosdashja dhe mjerimi.
Së treti: kërkimi i dritës për të proceduar në ato efekte që shohim, modelimi që ajo ka bërë mbi pjesët e ngritura dhe të ulura të volumeve, raportet ndërmjet të errëtës dhe të hapurës, është kërkesë e mjeshtrit dhe proces paksa i gjatë në kushtet e fotografimit në ato vite. Drita ka bërë një mrekulli në këtë foto. Duket se ajo pikturon veshjen e poshtme si palat e piktorëve të Bizantit dhe gjoksin që po rritet, si rilindasit akademikë.
A mendoni se është një foto pornografi apo një vepër arti në fotografi?
Kam bindjejn se Mjeshtri do të thoshte është vetëm një kënaqësi e radhës realizimi i saj ose një dokumentim i tillë është shumë i rëndësishëm për kulturën studimore mbi shqiptarët. Dhe më pas, rreth pornografisë fotografike do të ngrinte supet.
Në ditët e sotme, nisur nga pikëpamja sociologjike, kjo fotografi mund të cilësohet si e para fotografi e pornografisë fëminore e gjetur në Shqipëri dhe e realizuar nga Pjetër Marubi, pasi mendoj se nuditeti apo tradita e qëndrimit zhveshur nuk ekzistonte dhe nuk ekziston në Shqipëri ashtu siç po të krahësojmë se ekziston në kulturën e veshjes së Etiopisë së Jugut në Afrikë. Gjithashtu nuk mendoj se ajo është një fotografi erotike, pasi në vitet kur hamendësohet realizimi i kësaj fotografie është nga 1875 deri 1903, procesi fotografik apo kinematografik as që lëvrohej në qëllime të tilla arti.
A ia ka kërkuar mjeshtri vajzës të zbërthente e ta hapte këmishën të organizuar në atë formë apo?
Në këtë drejtim nuk mund të them asgjë më shumë e asgjë më pak dhe kam të drejtë vetëm të dyshoj dhe aspak të formuloj ide. Gjithsesi nënshkrimi i Kartës së të Drejtave të Njeriut ende nuk kishte ndodhur. Ngjarja përkon me vitin 1948, 100 vjet më vonë se Pjetër Marubi të shkrepte fotografinë e parë shqiptare, më 1858. Kjo tregon se mentaliteti dhe njohuritë e kohës rreth të drejtave të njeriut ishin të pakta. Në ditët e sotme, nisur nga pikëpamja artistike le të mendojmë thjesht që ai ishte mjeshtri, që fotografia është art, dhe atëherë le të themi se realizoi “një kryevepër arti topless”.
Nga krijimtaria e Pjetër Marubit është botuar edhe një fotografi e titulluar “Portret Gruaje” ndërmjet viteve 1878-1900. Ajo është grua që pozon me vetëdije, e veshur me kostumin qytetar të Shkodrës, ka hapur bluzën e saj të mëndafshtë ku janë shfaqur dy gjinjtë, ka një vështrim të paarsyeshëm nëse ajo e ka kërkuar këtë pozë apo mjeshtri ia ka kërkuar, dhe qëndron përpara kameras sipas pozicionit më të zakonshëm të kohës: ulur në karrige dhe përballë.