Edicioni i 48-të i festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrit 2008” një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme që zhvillohet çdo vit, sjell në sofrën kulturore të Ohrit, emrat më të mëdhenj të artit muzikor dhe atij skenik nga e gjithë bota. Ajo që spikat këtë vit është ftesa e ripërsëritur për artisten e muzikës operistike shqiptare e tashmë edhe europiane, Inva Mula, e cila sërish do të ngjitet në teatrin antik të Ohrit së bashku me tenorin e famshëm Boris Trajnov. Madje është caktuar data 8 gusht që të jetë nata e shfaqes për Inva Mulën. Këtë e konfirmoi drejtori i festivalit, Toni Simonovski, i cili tha për
gazetën “Shekulli” se është rasti i parë që të ftohet dy herë radhazi një këngëtare. Por sipas tij, koncerti i sopranos dhe violinistit me famë botërore, Tedi Papavrami ishin dy kulmet artistike të verës së kaluar. Krahas Mulës, sipas drejtorit Simonovski, skenën e Ohrit në këtë edicion të 48- të do ta nderojë këngëtarja e famshme amerikane e muzikës operistike, Jessye Norman, violinistja japoneze me famë botërore Sara Ceng, e cila që në moshën 8- vjeçare ka luajtur në skenë me dirigjentin Zubin Mehta, më pas do te jenë pjesëmarrës Rikardo Muti nga filarmonia e New Yorkut, që mësohet të ketë prezantimin e parë në Europë. Gjthashtu në programin e këtij viti bëjnë pjesë edhe emra të tjerë të mëdhenj si violençelistja Natalja Gudman, pianisti Bërno Kanino, Andrej Gavrillov, fituesi i konkursit Çajkovski etj.
Festivali “Vera e Ohrit” hapet solemisht më datën 12 korrik dhe vazhdon deri më 20 gusht. Janë llogaritur të shfaqen mbi 50 pjesë teatrale dhekoncertedhe tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre artistë të mëdhenj të skenës muzikore nga SHBA, Japonia, Franca, Gjermania, Brazili, Zvicra, Koreja, Rusia, Bullgaria, Çekia dhe Shqipëria. Kultura shqiptare do të ketë një vend të veçantë, si psh Teatri shqiptar nga Tirana e Shkupi, orkestra simfonike dhe ajo e harqeve, kitaristi nga Shqipëria Admir Toçi, etj. Selektorja e këtij festivali, Gordana Josifova Nedellkovska, theksoi se ky festival prestigjoz mbështetet mbi dy shtylla kryesore, midis tradicionales dhe bashkëkohores.