Dy foto në rralla. Me rastin e 150-vjetorit të fotografisë, studiuesi Qerim Vrioni i shfaq në publik. Njëra është ajo e 11 fotografëve në vitin 1937, ndërsa tjetra nudoja e Gjon Milit
E frymëzuar nga Duchamp
Edhe pse prej 150 vitesh dihet ditëlindja e fotografisë në Shqipëri, askush nuk mori përsipër ndonjëherë ndonjë konferencë apo ndonjë diskutim për të. Mbrëmjen e së hënës, më në fund, me iniciativën e studiuesit Qerim Vrioni, në bibliotekën e Galerisë Kombëtare u mbajt takimi “150 vjet fotografi shqiptare”. Përveç vënies në dispozicion të sallës së bibliotekës dhe impenjimit të studiueses Suzana Varvarica Kuka, për të prezantuar punën e Vrionit, duket se GKA-ja nuk e kishte vënë shumë ujin në zjarr për këtë ngjarje. Studiuesit nuk i ishte siguruar qoftë dhe një mikrofon, për të lexuar referatin dhe është e sigurt që shumica e atyre që ishin në sallë, nuk morën vesh ç’u tha, megjithë materialin e bollshëm që u referua aty. Madje edhe karriget ishin me pakicë. Pjesës më të madhe të të pranishmëve iu desh të rrinin në këmbë apo të uleshin mbi tavolinat që qarkonin sallën. (Duhet thënë se shumica e të pranishmëve i përkisnin moshës së tretë). Por fatkeqësia më e madhe ishte mosinteresimi nga vetë fotografët. Shumë syresh nuk kishin denjuar ta begenisnin konferencën, thua se bëhej fjalë për diçka që nuk iu përket.
Megjithatë konferenca nuk shkoi pa rënë në sy. Studiuesi ofroi një panoramë të gjerë të historisë së fotografisë shqiptare, duke rendituar një e nga një baballarët e saj, që nga Pjetër Marubi dhe dinastia e tij, me të parën fotografi, që daton vitin 1858, për të vijuar me fotografët dardharë të fillimshekullit deri tek fotografët e ditëve të sotme. Gjithçka ishte e shoqëruar me fotografitë e mjeshtrave, si dhe me punët e tyre më përfaqësuese, apo që i kanë rezistuar kohës. Mes fotosh të njohura, mes të cilave “Lypësi”, “Dorëzimi i armëve”, “Portret gruaje”, peizazhe nga Shkodra, apo Dardha, u shfaqën edhe disa të tjera më pak të njohura, madje për nga rëndësia, mund të quhen të rralla.
Një ndër to njera është realizuar më 28 nëntor të vitit 1937. Në të paraqiten 11 burra me kapele republike e kasketa, të kollarisur dhe në duar, apo në qafë mbajnë aparate fotografike. Janë ndër fotografët e fillimshekullit XX. Sipas Vrionit, bëhet fjalë pikërisht për fotografët Vasil Ristani, Geg Marubi, çifti gjerman Vajzman, Mihal Popi, Dedë Jakova, Ali Bakiu, Haveriqi (nuk ka shumë të dhëna për të), Ymer Bali, Kol Maca dhe Mandi Koçi. Vrioni thotë se kjo është një fotografi e realizuar nga një tjetër fotograf i njohur i kohës, Shan Pici, një nga përfaqësuesit e familjes Pici, që kishin edhe një studio në Shkodër “Foto Pici”. Shkrepja historike që dëshmon se fotografia ka qenë konsiderueshëm e lëvruar asokohe, është realizuar me rastin e 25- vjetorit të Ditës së Flamurit më 1937, në Oborrin Mbretëror në Tiranë. Duket se pas ndonjë ceremonie të organizuar nga Mbreti Zog, pas shkrepjeve që fotografët u kanë bërë personaliteteve të kohës, kanë gjetur një moment për të fiksuar edhe një foto kolektive.
Një tjetër fotografi interesante, gjithashtu e rrallë është edhe ajo e realizuar nga fotografi shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Ndryshe nga e para, që është më shumë historike, kjo është vetë modernizmi. Është “Nudo duke zbritur shkallët”. Një fotografi e realizuar në vitin 1942. Vrioni thotë se Mili e ka realizuar këtë foto i frymëzuar nga një pikturë e piktorit francez Marcel Duchamp, me të njëjtin titull “Nudo duke zbritur shkallët” (Nu descendant un escalier n° 2) e vitit 1912. Vepra që shënoi kthesë në karrierën e Duchampit, ku ndërthureshin fragmentizmi dhe sinteza e kubizmit dhe lëvizja e dinamika e futuristëve. Edhe një herë sipas Vrionit “Mili përdori teknikën e tij të fotografimit (stroboskopinë), për të përçuar atë emocion që përçon tabloja e Duchampit. Dhe në të vërtetë kur krahason fotografinë e Milit me pikturën e Duchampit, të krijohen ndjesi të ngjashme, pavarësisht gjuhëve që përdoren. Një imazh nudoje në të gjitha lëvizjet përgjatë zbritjes së shkallëve. Vajza që ka pozuar për Milin, nuk dihet se cila mund të jetë. Nga aq sa shquhet, duket një femër e bukur, ndoshta mund të ketë qenë ndonjë nga balerinat, apo artistet që aparati i Milit gjurmoi gjatë karrierës së tij. Nuk shfaqet nuditet i pastër, veçse një teknikë e veçantë fotografimi.