“Aleksandër Moisiu mes Triestes dhe Durrësit. Epistolare”, është studimi i fundit me autor Sali Hidrin që ka në fokus figurën e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu.
Në fjalën hyrëse, historiani Hasan Ulqini vë në dukje që ky botim merr vlera të veçanta për nuancat e reja si dhe dokumentacionin e ri që i sjell lexuesit pas një pune të gjatë nëpër arkiva dhe muze të ndryshëm. Pra, autori i jep Aleksandër Moisiut (në lidhjet e tija me Shqipërinë) atë që i takon Moisiut.
Mes të tjerash Hidri ngre pretendimin se biografia e artistit botëror të artit skenik me origjinë shqiptare është deformuar e politizuar, duke shpallur se nëna e tij Amali De Rada është me origjinë shqiptare nga Arbëreshët e Italisë. Hidri dëshmon në këtë vepër se Amali de Rada është italiane nga qyteti Gorizia në afërsi të Triestes. Po kështu autori korrigjon edhe vendlindjen e Aleksandër Moisiut.
Duke interpretuar aktin e pagëzimit të tij në kishën Ortodokse Greko-Lindore të Triestes, ai del në përfundimin se Moisiu ka si vendlindje Triesten dhe jo Kavajën, siç është deklaruar deri më tani.
Vend të rëndësishëm në këtë libër zë korrespondenca e Moisiut me të afërmit, mebabain, nënën, motrat. Që në radhët e para Hidri rendit burimet e informacionit arkival të cilat vijnë kryesisht nga muzeu “Carl Schmidl” i Triestes. Ai ka falënderuar drejtorin e këtij muzeu Adriano Dugulin për lehtësirat që i ka krijuar në vitin 1996 dhe 2007 në arkivat ku ruheshin dokumentet për aktorin Moisiu.
Autori Sali Hidri ka botuar deri tani rreth 10 tituj shkencorë librash.