Muzikanti shqiptar kritikon problemet organizative të ngjarjeve kulturore dhe që vijnë nga natyra neglizhente dhe indiferente e shqiptarëve
Pjesëmarrës në edicionin e katërt të Shkodra Jazz Festival është dhe artisti i njohur shqiptar i pas viteve nëntëdhjetë, Markelian Kapedani, i cili ka kohë që krijon dhe interpreton në Itali. Në një bisedë për gazetën “Shekulli”, para koncertit të mbrëmshëm, tregon për praninë në festival, pengesat e ndeshura dhe bën apel që artistët shqiptarë, kudo që ndodhen, të mbështeten në iniciativat e tyre për pak më shumë gjallërim të jetës artistike.
Është hera e dytë që muzikanti merr pjesë në Shkodra Jazz Festival kështu që mendimet për këtë përpjekje në qytetin e quajtur dikur “djep kulture” i jep pa rezerva. Në Teatrin “Migjeni” ai prezantohet me “Ballkan Trio”, një album që ka dalë nga studioja e prodhimit tre muaj para. Jazz nga Ballkani, ose më saktë jazz i ndërthurur me ritmet ballkanike me folklorin e vendeve të Ballkanit, me qëllim ndërtimin e një rruge të re mes jazz-it dhe muzikës ballkanike e në veçanti të folklorit ballkanik. “Kjo përpjekje e imja synon në shtrimin e vëzhgimit muzikor duke e lidhur folklorin shqiptar dhe atë ballkanik me jazz-in dhe improvizimin. Në albumin tim jam përqendruar tek muzika e folklori shqiptar, grek, turk dhe ish- vendeve të Jugosllavisë”.
Lidhur me festivalin e Jazz-it në Shkodër, Kapedani shprehet se aktiviteti ka mundësi të zgjerohet më tej po të ketë mbështetje financiare më të madhe. “Ai po zhvillohet me sukses në saj të përpjekjeve e përkushtimit të Florian Jakajt dhe miqve të Rrok Jakajt në kujtim të të cilit u krijua ky festival. Ndonëse artistikisht ai ka progres dhe publiku shkodran është një publik me ndjeshmëri kritike ndaj artit.”
Kapedani mirëpret interpretimet interesante, por tani është momenti që për të konsoliduar dhe siguruar të ardhmen e Shkodra Jazz Festival, të thuhen problemet dhe gjërat që nuk shkojnë e që kryesisht kanë të bëjnë me organizimin. “Në edicionin e parë ku unë isha i pranishëm, ngarkesa emocionale ishte e madhe, ndërsa tani shoh se ka probleme që lidhen jo vetëm me anën financiare po edhe me një moskokëçarje që për mendimin tim ndoshta lidhet dhe me karakterin e shqiptarit, me karakterin e ngadaltë të tij, për t’i marrë me ngadalësi punët pa respektuar orare e detyra për të cilat ai ka dhënë fjalën ose është angazhuar. Moskokëçarja lidhet me persona dytësorë, që ngrejnë pengesa absurde që lidhen me mentalitetin e shqiptarit se ka kohë për t’i bërë gjërat pa respektuar kohë e orare. Unë shpresoj të paraqitem mirë pasi nuk kam patur mundësi të bëj prova. Salla është e gatshme por mungon impianti, audio dhe instrument i baterisë i cili për mua dhe muzikën Jazz është shumë i rëndësishëm. Do të bëj prova pa këto.”
I pyetur për artistët shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të botës dhe për mundësinë e një rikthimi të mundshëm të tij, Markelian Kapedani tregon se është e vërtetë që shumë artistë kanë shkuar jashtë vendit dhe është e vështirë të gjesh veten në botë “pasi vetja jonë është këtu në Shqipëri. Nuk është shqiptari jashtë por është shqiptari këtu. Me këtë nuk e kam fjalën për kthimin fizik, pasi nuk qëndron këtu problemi. Për mua kryesore është të përfaqësoj veten si shqiptar jashtë Shqipërisë. Kthimi do të thotë të gjej veten time në rrënjët e mia, aty ku kam lindur e kam mësuar gjuhën time. Po edhe sikur të më vinte një mendim kthimi, ai më largohet menjëherë kur shoh problemet me të cilat ndeshet Florian Jakaj për realizimin e një festivali që bëhet një herë në vit e që të gjithë pjesëmarrësit janë miq të familjes Jakaj dhe vijnë këtu me dëshirë.”
Megjithë këto probleme muzikanti mendon se i duhet dhënë dorë një aktiviteti të tillë si dhe të gjithë artistëve që synojnë të gjallërojnë jetën artistike dhe të organizojnë aktivitete të tilla dhe se problemet e ndeshura duhet t’i tërheqin prapa dhe t’i stepin. Ai shpreson vazhdimisht që njerëzit të bëhen më të ndjeshëm ndaj muzikës dhe ndaj përpjekjeve për të bërë art, si dhe ndaj shoqatës “Rrok Jakaj” që me shumë vështirësi arrin ta mbajë dhe ta zhvillojë këtë festival për të katërtin vit radhazi.