Ngjarja muzikore e 3 korrikut në stadiumin “Qemal Stafa” nuk ishte e re për mua. Kisha parë rock bandën e famshme Def Leppard krijuar në fund vitet ’70 - fillim vitet ’80, në evenimentin më të madh të muzikës rock në Itali, God’s of Metal dhe Tirana ishte stacioni i dytë ku ndeshesha live me muzikën e tyre. Ndërsa White Snake, duke qenë të preferuarit e mi, i kisha ndjekur pak më shumë, një herë në të njëjtin event me Def Leppard (e cila ka qenë edhe hera e parë ku dy grupet luanin së bashku njëri pas tjetrit në të njëtën datë), më pas në Shkup të Maqedonisë (sepse Shkupi ishte sakrificë shumë e vogël për të humbur një koncert magjik) si ai i “Gjarpërinjve të bardhë” (Whitesnake) dhe Tirana ishte hera e tretë.
Living Room Shoë, promotori në të cilin punojnë njerëz që i bashkon veç një ideal, pasioni për muzikën e dëshira për t’i bërë emrat e mëdhenj të prekshëm për Shqipërinë e vogël, bënë realitet ëndrrën e qindra ish- adoleshentëve, të cilët vjedhurazi e heshturazi kanë dëgjuar dy grupet e famshme, por edhe adoleshentëve të sotëm, të cilët kultivojnë shijet muzikore të rockut klasik.
David Coverdale do të bëhej epiqendra e të famshmëve Deep Purple, për tu shkëputur më pas rreth vitit 1978 kur do të krijonte “White Snake”, në të cilin në këto 30 vite kanë hyrë e kanë dalë shumë pjesëtarë, instrumentistë, por që gjithnjë janë identifikuar si banda e David Coverdale, vokalit mashkullor për të cilin gjithnjë është thënë, se mbetet një ndër më të ngrohtit në botë, me të cilin miliona njerëz janë puthur, kanë shprehur dashurinë, kanë kaluar net të zjarrta duke dëgjuar në sfond baladat e mrekullueshme, ku në treçerekun e të cilave gjendet pa diskutim fjala “love”.
Ndryshe është për “Def Leppard”. Ndërsa “Gjarpërinjtë e bardhë” kanë ndryshuar herë pas here, D.L. kanë mbetur gjithnjë të njëjtët.
Ata e kanë shkelur Tiranën vetëm pak orë përpara performancës së tyre e janë nisur vetëm pak minuta pas saj. Ja pse shumë pak mundëm të mësojmë prej tyre, jashtë asaj që jemi mësuar të shohim në skenë. Të çuditur që kishin përpara njerëz që deri 18 vjet më parë kanë jetuar të izoluar e sot dinin përmendësh çdo këngë të tyre, banda e famshme ka performuar e mrekulluar përpara atyre që mbanin bluzat me stampat e grupit, për tu larguar menjëherë më pas drejt Bullgarisë, ku në Sofie,veç një ditë pas Tiranës, ata do të kishin një tjetër koncert të përbashkët me “White Snake”.
Me këta të fundit mundëm të miqësohemi ca më tepër, ne që patëm fatin për të punuar për këtë koncert, por edhe publiku që duhet thënë, e njihte më mirë bandën për shkak të përzierjes së shumë instrumentistëve të njohur, pjesëtarë të grupeve të tjera, që do të thotë: raste më shumë për të dëgjuar emrat e tyre.
Nën qiellin plot yje të Tiranës, njerëzit kanë brohoritur në kor baladat e përjetshme të dashurisë “Is this love”, “Ain’t no love”, për të mbërritur tek më ekspresivet “Gimme all your love”, “Love ain’t no stranger” (jo më kot rreshtova këngë me love në titull) si edhe katër këngët e albumit të ri “Good to be bad”.
Gjithashtu i mrekulluar nga pritja e shqiptarëve, Coverdale ka kërkuar ndjesë disa herë pse nuk kishte ardhur më parë në Shqipëri, gjë të cilën në takime gjatë qëndrimit të tyre e kanë pohuar edhe pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët me ekspresivitetin e tyre, adrenalinën, sjelljen në publik e simpatinë, bënë për vete publikun e “Qemal Stafës”.
Veç një gjë i kam pishman koncertit: nuk munda të dëgjoj dot “Burn”, hitin e famshëm të Deep Purple, realizuar në kohën e David Coverdale, këngë të cilën grupi nuk e kishte në program, por që mesa duket banda ende nuk qe ngopur. “Burn”-in e dëgjova në hyrjen e “Sheraton Hotel” aty ku pas mesnate zura pritë për një kujtim të paharruar: një foto me David Coverdale.
Davidi erdhi në Tiranë me Reb e Doug në kitarë, Thimony në tastierë, Chris në bateri e Uriah në kitarë bass, të cilët nuk janë mërzitur së na treguari histori deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur ata do të linin Tiranën, për tu nisur në një tjetër koncert të turit i cili përfundon në fund gusht në Europë e rinis në tetor në Japoni.
Dikur kishim ëndërr një poster, më pas një kasetë, pastaj një cd, pastaj një dv, pastaj një koncert, pastaj një takim…
Tashmë jemi edhe ne pjesë e koreve, ku artistët e mëdhenj këndojnë së bashku me publikun e fansët e tyre…Jemi edhe ne aty!