Viti i tretë i dështimit të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë. Kësaj radhe në nivelin e kuratorëve. Asnjë koncept nuk vjen në GKA
Shima: Ishte kthyer në dyqan fotografie. Dyshoj në duhet të kemi një konkurs si “Marubi”
“Provinciale” e quan drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima, idenë e paraardhësit për gjetjen e kuratorëve me anë të konkursit. “Provincial” është njëherësh gjykimi që Shima ka për formën e dy ngjarjeve kryesore në ditarin vjetor të GKA, ngaqë thirren njerëz që të paraqesin ide për konkurset ndërkombëtare të Fotografisë “Marubi ‘08” dhe të Arteve Pamore “Onufri ‘08” dhe nuk vjen njeri.
Ish- drejtori Genc Mulliqi shpalli në prill konkursin për kuratorë të “Marubit” dhe “Onufrit” të cilat priteshin të zhvillohen respektivisht në shtator dhe në dhjetor të këtij viti. Afati i dorëzimit të dosjeve të personave të interesuar për të propozuar konceptin kuratorial do të ishte për “Marubin” 30 prilli, për “Onufrin” 31 maji. Sipas njoftimit të atëhershëm të Galerisë “dosjet e paraqitura do të shqyrtohen nga këshilli organizativ i dy konkurseve, këshilla që do tëmiratohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën kujdesin e të cilës organizohen.”
Tani që ndodhet përballë dështimit të konkurseve, shprehet pa doreza. “Arsyeja pse dështun është e thjesht. S’ka kuratorë që të merren me këtë punë.” Ai e sheh kuratorin si një specie të rrallë, shto këtu pagesat e ulëta prej 30-40 mijë lekësh. “Është po aq e pamundur marrja e kuratorëve nga bota sepse së pari duhet të njohin terrenin. Edicionet e fundit të “Marubit” po pësonin rënie dhe u katandisën në dyqane fotografie. Tani unë ngre pyetjen çfarë sjell dhe a duhet të ekzistojë një konkurs i tillë?”.
Njëlloj si paraardhësi i tij, Mulliqi, dhe në ndryshim nga të tjerë profesionistë, Shima e quan mëse normale ndërprerjen e një tradite afro 10-vjeçare. Argumentet janë po ato: fotografia ekspozohet më shumë se çdo gjë tjetër, nuk ka nivel, nuk ka para, është demode organizimi i konkurseve për fotografinë. Nëse bëjmë aktivitete më vete për foton, do të bënim edhe për videon, instalacionet etj.
A do të ishin bindëse arsyet e Shimës nëse “Marubi” do të kishte të paktën mbështetjen financiare të Galerisë Kombëtare të Arteve, institucioni organizator i cili në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka njohur me status që në vitin 1998? “Marubi” ka rënie po përse i duhet vënë shqelmi pëfundimisht kur mund të mëkëmbet dhe ta motivojë fotografinë shqiptare që s’ka alternativa as për t’u ekspozuar, as për t’u ballafaquar, vlerësuar, po vetëm për t’u asgjësuar.
Nëse ideja e konkursit duket demode, le të funksionojë si një festival fotografie, një ekspoze ku paraqiten të rejat nga zhvillimet e fundit të këtij arti kombinuar me retrospektivën e traditës. Nëse jo Galeria Kombëtare kush do të bëjë politikën e arteve pamore?
Për Shimën, problemi është gjetkë. Boshllëqet ligjore për statutet e konkurseve në fjalë duhen ndrequr në mënyrë që t’i njohin kuratorit të drejtat e plota në përcaktimin e ideve, në përzgjedhjen e artistëve, në menaxhimin e tyre etj. dhe të mos ketë shtrëngesa që vetiu i del nga një konkurs, kriteri bazë i të cilit është pjesëmarrja e hapur. Dhe së fundi drejtori aktual është për njohjen e pavarësisë së institucionit e të drejtës që ai ka për zgjidhjen e kuratorëve, pa iu futur labirintheve të bordeve, këshillave të Ministrisë së Kulturës etj. Me fjalë të tjera, Shima nënkupton një Galeri në pikun e tranzicionit: ajo që është bërë nuk vlen për të bërë një gjë më të mirë.
Ka thënë tek “Shekulli” më 2007
Albes Fusha, disa herë pjesëmarrës dhe fitues në “Marubi”:
“Fotografia përfshin më tepër se një koncept fotografik. Është e vërtetë që fjala bie, edhe në “Onufri” ekspozohet fotografi, por ka fotografë që anojnë nga forma dhe koncepti i kuratorëve nuk u mjafton, nuk janë komodë dhe nuk e gjejnë veten në konkurse të këtij lloji. Gjithmonë kanë qenë këto zëra kundër “Marubit”, dhe koha ka treguar si për t’iu dhënë plus gojëve të liga që s’ka nivele kjo ekspozitë. Dihet që çdo ekspozitë ka uljet dhe ngritjet e veta, kjo s’do të thotë që ta mbyllësh atë. “Marubi” është aktiviteti më i madh i fotografisë. Dhe sa për atë kleçkën e vogël që disa quhen fotografë dhe disa fotografë artistë, ajo s’duhet të bëhet shkas që të eleminohet ky Konkurs Ndërkombëtar.”