Retro / Piktura murale e real-socit në Shijak
Kujtdo që udhëton në drejtim të qytetit të Shijakut, sidomos amatorëve të pikturës, ka për t’iu tërhequr vëmendjen një pikturë disi e veçantë për përmasat e mëdha, stilin dhe përmbajtjen. Është një pikturë murale e stilit klasik të Realizmit Socialist. Deri diku është e ruajtur mjaft mirë po të merret parasyshe se ka mbi 40 vite që është punuar mbi murin e ish Ndërmarrjes Mekanike të Shijakut. Veprat e artit sipas këtij drejtimi të shpallurpas luftës së dytë Botërore në gjithë Lindjen Komuniste të Evropës, kanë qenë pjesë e luftës politike e ideologjike që propagandonin Njeriun e Ri.
Edhe kjo vepër është pjesë strukturore e këtij edukimi që funksionoi sipas parimeve zhdanoviane, por e përshtatur me realitetin e shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Një nga 3 figurat e kompozimit është një fshatar i zonës së Shqipërisë së Mesme që mban në kokë qeleshe. Ai simbolizon fshatarësinë e zonës e cila po integrohej sipas historiografisë komuniste me klasën punëtore. Femra që qëndron në mes të kuadrit mural ka një shami aksioni në qafë dhe pushkën në sup, figurë kjo mjaft e trajtuar skematikisht dhe e shoqëruar me një tjetër person që shtrëngon kazmën.
Pushka, kazma dhe libri, trinia e shenjtë e atyre viteve. Piktura skematike zë thuajse gjithë sipërfaqen e murit të jashtëm të ish ndërmarrjes metalike të Shijakut. Me sa duket është punë kolektive e disa piktorëve të cilët asokohe kujdeseshin për dekorin e qytetit të inkuadruar në ndërmarrjet e Riparim Shërbimeve.
Më këtë vepër relike mund të njihesh sapo nisesh në drejtim të Shijakut rreth 1 km para se të arrish tek ura e Lumit Erzen në hyrje të qytetit.