Shtune, 22 Nentor 2008 11:21:18

Lexoni versionin Print

Momenti i Anjezës

Pak orë para prezantimit ndihet e zbrazur. Emocioni i grumbulluar gjatë ditëve të fundit, i ka lënë vendin një qetësie, deri diku të pashpjegueshme. Shpreson që kjo të jetë e treta me fat. Edhe pse fati nuk i ka munguar.

Alma Mile
Enjte, 07 Gusht 2008 09:54:00

Pas 5 vitesh nga shfaqja e saj në skenën e këngës, Anjeza Shahini nxjerr albumin eparë. Nëntë krijime të reja, të gjitha për dashurinë. “Albumet 2-mujore nuk më hyjnë në punë për asgjë. Nuk kam nevojë të dal në ekrane televizionesh e të bëhem e njohur. Dikush duhet të bëjë diçka për muzikën”

Pak orë para prezantimit ndihet e zbrazur. Emocioni i grumbulluar gjatë ditëve të fundit, i ka lënë vendin një qetësie, deri diku të pashpjegueshme. Shpreson që kjo të jetë e treta me fat. Edhe pse fati nuk i ka munguar.

Për Anjeza Shahinin ky është momenti. Kanë kaluar 5 vite që kur nga skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, një vajzë e re bëri për vete mijëra njerëz. U përtëriu shijen e mirë të të kënduarit live, pa hile. Me vokalin pa kufi, shumëve iu kujtoi Vaçe Zelën. Tanimë Anjeza nuk është më e vogël. Ajo vetë e ka ndjerë këtë dhe vendosi të dalë me një album që e quan “Erdhi momenti”. “I dhashë kohën dhe përkushtimin që meriton publiku, i cili e ka pritur këtë album”, - thotë Anjeza. Jo se nuk mund ta kishte bërë një gjë të tillë më parë. Thotë se është e thjeshtë të nxjerrësh albume 2-mujore, por kjo nuk do ta shpinte askund.

Dje në mbrëmje ajo bëri promovimin e punës njëvjeçare. Nuk i pëlqejnë gjërat “zyrtare”, ndaj mendoi të organizonte një festë. Ftoi në Durrës, miqtë më të afërt, kolegët, ish-etheistët, bashkëpunëtorët. Pak fjalë dhe shumë muzikë.

“Erdhi momenti” është përmbledhja e 9 këngëve të reja që mbajnë firmën e kompozitorëve Adrian Hila, Pirro Çako, Kristina Xega e Gent Myftarai, me të cilët këngëtarja bashkëpunon për herë të parë. Thotë se kishte nevojë të eksploronte të tjera “terrene” dhe të vishej me perceptimin që të tjerë kompozitorë kishin për të. “Sa i qëndroj besnike stilit dhe karakterit tim, i cili është përkrahur deri tani, aq jam përpjekur të sjell një tjetër variant të vetes, që kompozitorët kanë përgatitur për mua”, - thotë ajo. Dhe ashtu, si një këngëtare e “prerë” për rrymën pop, me shpërthime të fuqishme, i është përshtatur edhe ritmeve rock, edhe house, edhe R&B. Kur vjen fjala tek tekstet, kemi të bëjmë tërësisht me një përjashtim nga rregulli. Nuk ka preferuar emra poetësh të njohur, me të cilët të bënte bujë. I ka besuar vargjeve të së motrës, Belës, që gjen rastin edhe ta promovojë, por edhe vargjeve të shkrira në nota nga vetë kompozitorët. “Jam e kënaqur që kam kërkuar tek tekstet e të rinjve, duke devijuar nga klasikja. Gjithnjë kam dashur të bëj këngë me time motër. Ndërkohë e dija që Pirro shkruante bukur, por jam befasuar edhe nga Adrian Hila”. “Erdhi momenti”, “Jam”, “Veten s’e gjetëm”, “Shuhem e ndizem me ty”, “Nëse dyshon”, “Lot pendimi”, “Kur je larg”, “Lamtumirë”, “Nga zero”. “100% këngë dashurie”, - thotë ajo duke qeshur. Por të gjitha të sjella në forma të ndryshme. Për të, çdonjëra i përket një momenti të caktuar. Çdonjëra është frymëzuar nga një çast i dhënë. “Fundja kjo është kënga. Me të mund të qeshësh, të qash, të kërcesh…”.

Kur një vit më parë u kthye nga Austria, ku studioi muzikë, vendosi se duhet të dilte me një album. Plot një vit për të përpunuar idetë, për të punuar mbi muzikën dhe tekstet dhe 2-3 muaj “izolim” në studio. “Aq sa jam serioze, aq edhe neglizhente. I lë të gjitha gjërat për në fund, e pastaj më duhet të punoj shumë”, - thotë, ndërsa sytë nuk e fshehin lodhjen.

“Erdhi momenti”, prodhim i shtëpisë diskografike “Eurostar”, që tashmë administron edhe aktivitetin e saj muzikor, është tentativa e tretë për të realizuar një përmbledhje të tillë. Në lëkundjet mes krijimit të një albumi dhe shkollës, ajo zgjodhi këtë të fundit. Në Austri, veç shkollës pati mundësi të njihet me muzikantë, të cilët i besuan këngët e tyre, por edhe këtë herë nuk funksionoi. “Patëm bashkëpunime shumë të mira, por çështja e të drejtave të autorit ishte ende e paqartë në Shqipëri, ndaj dhe nuk i shkuam kësaj pune deri në fund”, - thotë ajo, teksa shton se kjo është “e treta, e vërteta”. Vendosi të shfaqet vetëm me këngë të reja.

Ndonëse gjatë këtyre viteve ka realizuar 2-3 këngë të mira, preferoi të mos i përfshijë në albumin e ri. “Publiku e ka dhënë mendimin e tij për to”.

Anjeza është optimiste e përjetshme. I beson muzikës së krijuar për të dhe shpreson që të pritet mirë. Edhe në mos ndodhtë sot, shpreson tek e nesërmja. “Publiku ka treguar se di ta vlerësojë muzikën e mirë, edhe pse jo menjëherë. Qëllimi im është të lë një gjurmë, që këngët e mija të mbeten në arkivën e muzikës së lehtë shqiptare. Albumet 2-mujore nuk më hyjnë në punë për asgjë. Nuk kam nevojë të dal në ekrane televizionesh e të bëhem e njohur”. Kujton veten kur ishte spektatore dhe pëlqente muzikën e mirë e adhuronte këngëtarët shqiptarë. Edhe tani ajo gjykon nga ky pozicion. “Dikush duhet të bëjë diçka për muzikën”.

Shansi

Kur doli për herë të parë përpara komisionit të “Etheve”, këta të fundit i dhanë një shans, edhe pse jo shumë të bindur nga interpretimi i një kënge të Whitney Houston. Brenda pak javëve, ajo do të bindte një shumicë shqiptarësh që ndiqnin si në ethe, përparimin e habitshëm të Anjeza Shahinit, e cila jo pa të drejtë meritoi trofeun e konkursit maratonë. Qysh atëherë, shumë gjetën ngjashmëri mes saj dhe këngëtares Vaçe Zela. Për vajzën e re dukej shumë ky vlerësim.

Magjia

Vetëm një vit më vonë, “etheistja” fituese do të përfaqësonte për herë të parë Shqipërinë në Festivalin Evropian me këngën “Imazhi yt”. Në 5 pjesëmarrje në këtë festival, Anjeza Shahini ka arritur pozicionin më të mirë. Vendin e 6-të në renditje. Që atëherë shkëputet nga skena për të studiuar në Austri, ku pati edhe disa bashkëpunime me kompozitorë të huaj.U shfaq pa shumë bujë në Festivalin e RTSH-së, si dhe në një duet me Marigonën.

E pavarur

Pas kthimit nga Austria, një bashkëpunim me kompozitorin Armend Rexhepagiq, në këngën “Nxënësja më e mirë”, do ta ngjiste suksesshëm në skenën e “Këngës Magjike”. Më tej e shohim tek “Këngët e shekullit”. E kujdesshme në çdo dalje, për të mos “shpërdoruar” imazhin e saj. “Imazhi ka shumë rëndësi për një këngëtare, por varet si e jep. Imazhi shet kur është i bukur. Jo vetëm hire, por edhe përmbajtje”, - thotë Anjeza Shahini, e cila së fundi është parë pak nëpër koncerte.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Anjeza Shahini

Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML