Ekskluzive - Në Bibliotekën Kombëtare gjendet “Vargjet e lira” të Migjenit, botimi i vitit 1936 që nuk qarkulloi kurrë. Një nga poezitë e këtij vëllimi që do t’i mungonte edhe botimit të parë të vitit ’44, është “Blasfemia”
Më 15 mars 1944 në “Revistën letrare”, Mitrush Kuteli jep lajmin për qarkullimin e Vargjeve të Lira të Migjenit. Emri i tij ishte bërë i njohur përmes botimeve në periodikë, por sa ishte gjallë poeti nuk pa me sy të botuar asnjë vepër të vetën. Kjo për të cilën shkruan Kuteli njihet si botimi i parë. Dihet që pati edhe një botim të parë të “Vargjeve të lira” i vitit 1936 që nuk qarkulloi kurrë, por mendohej se ky botim ishte asgjësuar. Tek shënimi letrar “Të dalim ta presim Migjenin”, Kuteli shkruan për këtë histori më vete të Milosh Gjok Nikollës (1911-1938) një shpirt i bardhë, sulmin e të cilit për drejtësi e liri nuk ja pat ndaluar as dogmatika e theologjive...: “Vetë caktoi formatin e librës, vetë zgjodhi kartën, vetë i bëri korrekturat. Ay në Shkodër, libra në Tiranë – po edhe kësilloj puna mbarohej. Ish i nxituar fort me nxjerrjen e kësaj libre, sepse ndjesija e tij, e hollë parashihte ré të zeza. Mbase edhe munt të parashihte Torre Pellice-n e Italisë, ku duhej të shuhej në Gushtin e vitit nëntë qint e tridhjet e tetë.
Të lutem fort nxitoju të më dalë libra, i pat dërguar fjalë shtypshkronjës. Ja, po të çoj edhe një pjesë të çmimit.
Paratë e siringave këto të Miloshit që duhej të bëheshin kartë e shtypur për të përhapur fjalën e tija.
Dhe përpara se të mbarohej libra (i mungonte kolla e fundit edhe kopertina!) ra nga fuqija qeverija e Mehdi Frashërit edhe vazhduan ngjarjet e Gjirokastrës. Iku lirija e shtypit si ik rrezja e djellit, kur i del përpara reja e zezë.
Dhe kësilloj nuk u dëgjua kënga e fundit e Mjellmës shqipëtare.
Vargjet e lira, të pambaruara, hynë në burgun e qilareve, ku marimangat edhe këmbë-shumjet iu bënë miq e shokë. Vetë Milosh Gjok Nikolla u nis për nj’atë rrugë të gjatë ku kemi për të vajtur – shpejt a von – e ne të gjithë.”
Asnjëherë deri më sot nuk kemi pasur një botim anastatik të këtij botimi, sepse “Vargjet e lira” të vitit 1936 të shtypura në shtypshkronjën “Gutenberg” në Tiranë mendoheshin të asgjësuara. Lajmin se një kopje e këtij botimi ndodhet në Bibliotekën Kombëtare po e japim falë drejtorit të këtij institucioni Aurel Plasari. Sipas tij, gjithnjë është menduar se ky botim nuk ekzistonte por ja që është ruajtur në fondet e Bibliotekës Kombëtare e cila dikur - për kohën ka funksionuar mirë rrjeti i shpërndarjes së botimeve - pasurohej drejtpërdrejtë edhe me kopjet e titujve që vinin nga shtypshkronjat. Në këtë mënyrë ka shpëtuar “Vargjet e lira”.
Nga një krahasim i parë që i bëmë dy botimeve, u vu re që ndërron rendi i poezive dhe botimi i ’44-ës, shtypur në shtypshkronjën “Tirana”, botonjës Ismail Mal’ Osmani, me shënimin “Ndalohet çdo ribotim e përkthim pa lejen e trashëgimtarvet”, përmban, le ta quajmë, një kapitull më shumë, të quajtur “Kangët e fundit”. Këtu bëjnë pjesë poezitë “Frymëzim i pafat”, “Një natë pa gjumë”, “Vuejtja”, “Kanga që s’kuptohet”, “Vetmija”, “Nën flamujt e melankolisë”. Tek botimi i ’36-ës nuk janë as “Hidhet e përhidhet” dhe as “Malli rinuer”, sepse janë shkruar më vonë. “Ndjesitë e mija me valët muzikore/ shkëmbejnë puthje të nxehta/ po si dy dashnorë/ e pa mëshirë shëgjeta/ më therë në krahanor/ edhe më merr malli për jetë mâ gazmore”, shkruan tek “Malli rinuer”.
Por me interes është që të theksohet se tek botimi i vitit 1936 kemi poezinë e mprehtë “Blasfemi” e cila nuk është përfshirë në botimin e vitit 1944. Është thënë se “botonjësi” Ismail Mal’ Osmani me vetëdije nuk e botoi për shkak të toneve të thekura blasfemuese, ashtu siç e thotë që në titull, “Blasfemi” autori i “Vargjeve të lira” i “Novelave të veriut”, më i etiketuari autor shqiptar nga leximet me lenten e sistemeve, si poet i mjerimit, niçean, turbekular, revolucionar, komunist etj.
“Xhamijat dhe kishat madhështore ndër vende
t’ona të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpija/
t’ona përdhecke
Zâni i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
O pikturë ideale, e vjetër njëmijë vjeçe!
Notojnë xhamijat dhe kishat nepër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrohen me zânin e kasnecit
Shkëlqen shejtnija mbi zhguna dhe ndër mjekrra të hoxhallarëve.
O sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit...” Janë vargje nga “Blasfemi”
Qysh më 1928 në kushtetutën e Shqipërisë njihet liria e besimit dhe e praktikimit të tyre. Edhe në kushtetutën e korrigjuar më 1939, njihet mbrojtja me ligj dhe respektimi i të gjitha feve.
“Blasfemi” është poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.
Botimi i ’36 është i çmuar edhe për kushtet e vështira ku ndodhej poeti. Kutelipërshkruan: “Asohere s’kish dalë në botë editori shqipëtar. Sidoqoftë për Migjenin, jo. Duhej pra që vetë autori të jepte paratë e shtypjes. Edhe këtë e bëri poeti. Ish asohere mësonjës në Pukë. Pra nëpunës, me rrogë të ultë që e merrte, si pas mënyrave të ahershme, në dy-tre muaj një herë. Së këndejmi këputi paradhënjen e dërguar me dorë miku shtypëshkronjës. Të hollat e tija: kursimet e bukës e të ilaçeve që i duheshin aqe fort një trupi të sëmurë!
Kjo ngjiste më 1936.”
Më 26 gusht 1938, poeti dha shpirt pasi vuajti e hoqi shumë në shtratin e vdekjes, në sanatoriumin e Torre Pellice-s. Ishte vetëm 27 vjeç, por asnjë autor tjetër nuk do të kishte ndikiminqë pati vepra e tij për më tepër post mortem.
Në shtatëdhjetëvjetorin e vdekjes dhe në nëntëdhjetëepesën e lindjes, ne nuk kemi të botuar veprën e parë poetike, atë të ndaluarën, të censuruarën, ashtu siç e ka lënë poeti me dorën e tij.