Parlamenti maqedonas ka ndarë dje çmimin prestigjoz vjetor “Nënë Tereza” me rastin e 98-vjetorit të lindjes së shenjtores. Këtë vit këtë çmim e ka merituar gazetari Anton Sereçi “Për kontribut të veçantë në hulumtimin e jetës së Nënë Terezës”; fitues i dytë ka qënë Lubço Ajdinski “Për kontribute të veçanta bamirësie”. Në këtë kuadër janë vendosur lule pranë monumentit të Nënë Terezës në Shkup dhe më pas është zhvilluar promovimi i librit të ri “Nëna ime, Nënë Terezë” i shkruar nga studiuesja Kadrie Zejnullahu. Në këtë botim është përfshirë një letër e Nënë Terezës, e shkruar në shqip dhe mban datën 12 shtator 1928. Është një letër lamtumire shkruar në adresë të tezes së saj:
“E dashtuna tezja Lisi!
Më 26 t’kti mujit po nisem prej Shkupit. Po muj me ju shkrue dy tri rrjeshta tuj daj prej jush. Lamtumir e dëshiroj qi zoti ju nep shka t’ju dishiron zemra. Pritni të faluna ma t’përzemërta!
Gonxhja”
Kjo është letra e Nënë Terezës kur ndahej nga familja e saj në Shkup. Vetëm pas 30 vjetësh ajo do të takonte të vëllanë Lazrin, por jo nënë Dranen dhe motrën e saj Agen të cilat pas Luftës së Dytë Botërore u vendosën në Shqipëri.
Por ceremoniapromovuese e librit pati tone të larta mbi origjinën e Nënë Terezës. Të pranishmit sillnin teza për të përvetësuar origjinën e saj shqiptare. Shumë zhurmë ka shkaktuar fjala e studjuesit maqedonas Risto Gerçevski i cili e ka quajtur Nënë Terezën me orgjinë vllahe. I menjëhershëm ka qënë reagimi i drejtoreshës së Institutit të Trashëgiminisë Kulturore “Pjetër Bogdani” në Shkup, Mirushe Hoxha e cila ka thënë se “këtij studiuesi nuk i duket dhe aq bindës fakti që Nënë Tereza më 10.12 1979 do të deklaronte me gojën e saj se është shqiptare.” Mirushe Hoxha më pas ka shtuar se me argumente të tilla false ajo që fyhet në radhë të parë është figura e Nënë Terezës. “Të hedhësh tymnajë mbi fakte teje të filtruara është si një lloj shuplake që i jepet një populli të tërë dhe ajo çka fshihet prapa këtyre argumentave pa bazë është akoma më e shëmtuar”. Hoxha është mbështetur menjëherë nga nënkryetari i qeverisë maqedonase Abdyhaqim Ademi.
Në debat ka replikuar edhe Dom Lush Gjergji i cili i ka quajtur spekulantë të gjithë ata që duan të përvetësojnë orgjinën e Nënë Terezës. Ai ka theksuar se çdo komb do të kishte dëshirë ta kishte të sajën Nënë Terezën por tashmë dihet botërisht që ajo është shqiptare. Këto lloj debatesh kanë larguar vëmendjen nga librii Zejnullahut e cila ishte e fundit që ka marrë fjalën.