Televizion / Mëngjesi nis me një emision mbrëmjeje në Televizionin Publik Shqiptar. Pavarësisht asaj që thuhet e komentohet aty, mjaft që të përshëndesin me “Mirëmbrëma!”, ndërsa ende nuk ke nisur ditën
Shumica e njerëzve që të hapin sytë e ta nisin punën mbarë në mëngjes, kanë nevojë për një kafe. Por, nuk ka më keq se një kafe e ndenjur... Shija e saj mes të thartës e së hidhurës të shoqëron gjatë gjithë ditës. Të prish humorin, me pak fjalë. Fatkeqësisht kjo është shija që të krijohet, kur hap televizorin dhe ndalesh tek ekrani i stacionit më të vjetër shqiptar.
Ka disa ditë (që në krye të javës), që për të mbushur boshllëkun e një emisioni të mirëfilltë mëngjesi, drejtuesit e programacionit në Radio Televizionin Publik Shqiptar, japin ritransmetimin e një “spektakli” serial, që jepej ditën e diel. (Kur nisi disa muaj më parë, nuk ishin të paktë ata që e quajtën një “kthim në identitet të RTSH-së”) Madje edhe titullin e ka të tillë, kështu që çdo ditë e javës për RTSH-në është e diel. Por fundja, kjo nuk prish shumë punë, duke qenë se në vendin tonë, numri i të papunëve është i konsiderueshëm.
Në sintoni me titullin është edhe përshëndetja. Në ekran të shfaqen dy vajza simpatike që përshëndesin “Mirëmbrëma!” (!) Ashtu siç e përmban skenari, njëra prej vajzave sqaron se “jemi në prag të festave të fundvitit. Sapo kemi kaluar festën e Bajramit dhe së pari urojmë të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar!”.
Është e vërtetë që koha ikën shumë shpejt dhe duket sikur ishte dje, nata e ndërrimit të viteve, madje ndjen ende në hundë aromën e barutit të fishekzjarreve, por ama, sapo jemi kthyer nga plazhi e RTSH, mund të na e kishte kursyer këtë urim. Por fundja kështu e kanë menduar, ta japin të plotë spektaklin, ndoshta për t’iu ardhur në ndihmë atyre që kanë qenë të zënë të dielave mbrëma e janë më të lirë në mëngjes.
Dhe spektakli vazhdon më tutje. Vajzave drejtuese që, siç ndodh rëndom, bëjnë rolin e shoqërueseve, u bashkohet “i zoti i shtëpisë”, me një pamje ekstravagante, aspak i ngjashëm me të tjerë drejtues. Njëherë veshur krejt në të zeza, me jakat e këmishës mbi xhaketë, që të kujton Toni Montanën (njeriun me shenjë, një emigrant i Amerikës së poshtme që do të bëhet amerikan në një ditë i asaj të sipërmes), një herë me xhinse të zbardhura, xhaketë e këmishë ngjyrë pjepri.
Ideuesi i këtij programi, që ka marrë përsipër të bëjë jo vetëm punën e muzikantit, por edhe të moderatorit, i kishte vënë si “qëllim” vetes të ngrinte ca probleme të rëndësishme që shqetësojnë muzikantët në Shqipëri. I kthyer pas një periudhe disavjeçare emigrimi, deformimi që kishte pësuar muzika shqiptare, iu duk i tmerrshëm dhe zgjodhi ekranin e televizionit publik, për të folur për këtë. Për “huazimet” muzikore, të drejtën e autorit, tregun e paqëndrueshëm, edukimi i shijeve, por edhe financat e këngëtarëve. Nuk mungojnë të ftuarit, këngëtarë, kompozitorë e autorë tekstesh, që diskutojnë rreth këtyre problemeve. Dy ditë më parë ritrasmetohej “nata” kur diskutohej mbi të ardhurat e këngëtarëve.
Duket se ideja fillestare e moderatorit ishte të tregonte se me muzikën në Shqipëri nuk jetohet. E tillë është pyetja që i bëhet një këngëtareje të njohur. “Unë jam e kënaqur”, - i përgjigjet ajo, përkundër parashikimeve të moderatorit. “Por ka shumë këngëtarë që ankohen”, - ndërhyn ai. “Po nuk e di. Unë ndihem mirë në të dyja zhanret muzikore dhe atë të lehtë dhe atë popullore… Pastaj varet edhe nga preferencat…”. Epo, edhe u jetoka me muzikën. Madje sot, duket “puna” më fitimprurëse.
Përkundër muzikës së vjedhur dhe këngëve bajate, që në spektakël të ofrohen në formë kolazhi, vijnë këngët e përpunuara nga moderatori-muzikant, nuk mungojnë pjesët koreografike, pse jo edhe pak modë.
Dhe në fund një “Natën e mirë!”. Dhe shko e fillo ditën…