Shtune, 22 Nentor 2008 06:56:10

Lexoni versionin Print

Shenjtorët e Galerisë

I kishin kryqëzuar si Krishti, me ca gozhdë të mëdha. Ua shkulën me shumë mundim, e tani shenjtorët janë në pritje. U bënë ditë tashmë që Galeria Kombëtare e Arteve është përfshirë nga një revolucion ristrukturimi.

Alma Mile
Diel, 07 Shtator 2008 08:47:00

I montuar në një mënyrë të gabuar, ikonostasi i Galerisë së Arteve, u zbërthye dhe u hoq nga pavijoni, ku ekspozohej për vite me radhë. Historia e ardhjes në Tiranë nga fshati Skore, vendosja në GKA dhe fati i ikonostasit të 1800-ës

I kishin kryqëzuar si Krishti, me ca gozhdë të mëdha. Ua shkulën me shumë mundim, e tani shenjtorët janë në pritje. U bënë ditë tashmë që Galeria Kombëtare e Arteve është përfshirë nga një revolucion ristrukturimi. Do ribëhen nga e para pavijonet, do të ndryshojnë vendndodhje, do ekspozohen të tjera vepra dhe pretendohet që ky rikonceptim të ofrojë historinë e vërtetë të artit shqiptar.

Këtij revolucioni nuk mund t’i shpëtonte pavijoni mesjetar, ku prej vitesh ekspozohej një ikonostas i mrekullueshëm dhe një seri ikonash. Hapësira që mblidhte shenjtorët, është zbrazur. Ikonostasi është çmontuar, është vendosur në një kënd të Galerisë dhe mendohet të riekspozohet në një tjetër fazë të “revolucionit”. Kush e ka vizituar këtë pavijon gjatë jetës së tij të ekspozimit, nuk ka mundur të mos admirojë artin me të cilin mjeshtërit kanë krijuar imazhet e shenjtëve e dragonjve, mënyrën si kanë hedhur ngjyrën e më tej kanë gdhendur drurin e kanë thurur motivet floreale.

Por mënyra se si ai ishte vendosur atje, nuk tregonte ndonjë lidhje organike me pjesën tjetër të galerisë. Gjithnjë është parë si diçka e bukur, por e veçuar. Kështu që drejtori Rubens Shima, nuk e ka fort keq që ka menduar ta heqë. Por nuk paskërka qenë edhe aq e lehtë. Specialistët thonë se çmontimi i një ikonostasi është një proces i vështirë, shumë më tepër se ai i montimit të tij. E aq më tepër kur bëhet fjalë për një vepër me vlera të pallogarishtme. Restauratori Mustafa Arapi, i cili është marrë drejtpërdrejt me krijimin e pavijonit mesjetar në Galerinë Kombëtare të Arteve, në kohën e ish- drejtorit Alush Shima (1994), thotë se ikonostasi i ekspozuar në GKA, dikur i përkiste një kishe në fshatin Skore, e cila u shkatërrua 20 apo 30 vjet më parë. (Mendohet gjithashtu se ikonostasi mund të mos ketë qenë i ndonjë kishe në Skore, por i ndonjë tjetre në zonën e Pogonit dhe u quajt i tillë, për shkak se u gjet, bashkë me ikona e pjesë të tjera ikonostasesh në një kishë në këtë fshat).

Rreth vitit ‘85 ai u soll në Tiranë, ku u depozitua pranë Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit në Institutin e Kulturës Popullore, në pritje të ekspozimit në Mynih, gjë që nuk u realizua. Shefi i këtij laboratori, Frederik Stamati, thotë se aso kohe, ikonostasi nuk iu nënshtrua asnjë lloj konsolidimi, apo restaurimi, madje as kur u montua në GKA, por thjesht një pastrimi të përciptë. “Kur drejtor i GKA-së u bë Alush Shima, kërkonte të realizonte diçka të veçantë dhe unë i propozova një pavijon të artit bizantin”. Arapi tregon se Instituti i Monumenteve të Kulturës i kaloi Galerisë dy ikonostasë, atë të Shën Gjon Vladimirit, atë të Skoresë dhe disa ikona. “Një kalim kapital, me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të thotë se ato tashmë janë pronë e GKA-së”, - sqaron ai. “Mendimi im ishte që në galeri të vendosej ikonostasi i Shën Gjon Vladimirit, duke qenë se ai i ngjante më shumë një relikeje, ndërsa ai i Skoresë ishte i plotë dhe krijonte një atmosferë fetare.

Megjithatë u vendos për atë të Skoresë”, - tregon Arapi. “Gabimisht, atëherë ikonostasi u montua me gozhdë dhe çmontimi i tij është një operacion tepër i vështirë, pasi heqja e tyre rrezikon dëmtimin e pikturës. Ai konsiderohet një monument i palëvizshëm ashtu si edhe kisha. Sa më shumë ta zhvendosësh, aq më shumë dëmtohet. Për këtë nevojitej një grup pune, i përbërë nga specialistë të mirëfilltë”, - thotë restauratori, i cili nuk është dakord me vendimet e ndërmarra nga drejtorët, të cilët ndërrohen vazhdimisht, duke hedhur poshtë punën e paraardhësve. Nuk është në një mendje me drejtuesit e GKA-së, as që ikonostasi të vendoset atje ku sot është ende salla e bibliotekës. “Aty nuk do të kishte asnjë kuptim. Aty do të ngjajë krejt si naosi i një kishe. Për mendimin tim do të ishte shumë më mirë që ikonostasi t’i kthehet kishës, ku ka qenë”, - thotë Mustafa Arapi.

Ikonostasi i Skoresë është një vepër e vitit 1830, e realizuar nga mjeshtërit e ateliesë së jugut. Një vepër të plotë, e punuar me mjeshtëri në dru të rëndë. Prezanton skena biblike, si skena e kryqit të mbajtur nga dy dragonj, baldakinat përbërë nga 21 ikona festash, brezi i ikonave të mëdha, si dhe breza e fashatura të gdhendura. Në një intervistë dhënë për “Shekullin” pak kohë më parë, drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima, hodhi idenë e heqjes tërësisht të pavijonit mesjetar nga Galeria, duke qenë se bëhet fjalë për një art kishtar, i cili është krijuar për një tjetër qëllim. Edhe Arapi i qëndron deri diku kësaj ideje. Sipas tij, është i tepërt ekspozimi i një ikonostasi për të dëshmuar një periudhë të caktuar.

Sipas tij, do të mjaftonin disa ikona të shek. XIX. Të tjerë studiues thonë, se në të gjithë botën ikonografia konsiderohet art, madje e vetmja gjë për të cilën Shqipëria mund të krenohet është pikërisht kjo periudhë. Ndoshta ka qenë ndikimi i studiuesve që e ka nxitur Shimën të ndërrojë mendje dhe të vendosë ngritjen e një pavijoni në katin e parë të GKA-së për artin mesjetar. Ikonostasi i Skoresë u çmontua disa ditë më parë nga një grup i drejtuar nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Ashtu siç pritej, ishte një proces tepër i vështirë, për shkak të mënyrës së gabuar të montimit me gozhdë të mëdha. (Ndërsa duhej montuar me vida, gjë që është shumë herë më e thjeshtë për montimin dhe zbërthimin e tij, në të njëjtën kohë eliminon dhe ushtrimin e forcës në të dy rastet). Askush nuk e kupton sot, pse mbërthimi është realizuar në këtë mënyrë, edhe pse ishin po specialistët e monumenteve ata që realizuan një proces të tillë. Pavarësisht tensionit gjatë zbrthimit, mësohet që aksioni të ketë përfunduar pa dëmtime. Specialistët thonë se edhe kjo e ka një të mirë. Ndoshta ikonostasit do t’i vijë radha për t’u restauruar. E ndoshta mbërthimi i radhës (nëse do t’ia arrijë ditës) nuk do të bëhet sërish me gozhdë trari.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML