Akademia e Shkencave dhe e Kulturës së Maqedonisë në mënyrë soleme ndau dje në prani të personaliteteve të shumtë të artit, çmimin “Nënë Tereza”. Ky çmim jepet çdo vit në përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës. Katër fituesit e sivjetëm janë sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ish-amabadori i Shqipërisë në Maqedoni, Vladimir Prela, dekani i fakultetit filologjik në Shkup, Trajan Gocevski dhe dramaturgu i njohur maqedonas Jordan Pllevnesh.
Motivacioni i këtij çmimi ka qënë “Për kontributin e veçantë të dhënë në fushën e humanizmit dhe krijimin e marrëdhënieve të mira midis popujve.” Sopranoja Mula, e pranishme në ceremoni, u shpreh se në karrierën e saj ka marrë shumë çmime, por ky që mban emrin e humanistes së madhe shqiptare, e ka lumturuar së tepërmi.
Po në këtë kuadër shoqata qytetare “Nënë Tereza” në Shkup ka ndarë 10 çmime të tjera, të cilat i dorëzoi ministrja e kulturës së Maqedonisë Elisabeta Kançevska Milevska.