Shtune, 22 Nentor 2008 13:32:37

Lexoni versionin Print

Censura dhe magjia e artit të Anagnostit

Filmin “Vëllezër dhe shokë” nuk e kisha parë nga koha kur u punua dhe po të më pyesnin “a do që ta shikosh përsëri”, do të përgjigjesha “jo”. Por një të diel pasdite, dikush në shtëpi po lëvizte stacionet e televizorit dhe zëri i aktorit të jashtëzakonshëm Prokop Mima, më bëri të kthej kokën e të shikoj.

Nga Atalanta Pasko
Hene, 08 Shtator 2008 08:24:00

Kinemaja shqiptare

Filmi “Vëllezër dhe shokë” dhe disa shënime nga blloku i montazhieres

Filmin “Vëllezër dhe shokë” nuk e kisha parë nga koha kur u punua dhe po të më pyesnin “a do që ta shikosh përsëri”, do të përgjigjesha “jo”. Por një të diel pasdite, dikush në shtëpi po lëvizte stacionet e televizorit dhe zëri i aktorit të jashtëzakonshëm Prokop Mima, më bëri të kthej kokën e të shikoj. Nga ky moment nuk ia ndava më sytë ekranit – deri në fund, kur çdo gjë u nxi e u shuan edhe tingujt e së frikshmes internacionale, që mbylli filmin.

E kotë të them se ajo që arrita të shoh më thithi sërish në magjinë e përhershme të artit të Dhimitër Anagnostit që unë, si montazhiere e këtij filmi (atëhere përdorej termi i pakuptimtë “regjisore montazhi”), e kisha admiruar qysh në materialet e punës. Kjo, për një pjesë të episodeve. Sepse pjesa tjetër më bëri të rijetoj trishtimin e ditëve kur komisarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dyndeshin në Kinostudio për të vendosur se ç’duhet të thonë personazhet, si duhet të rrjedhë ngjarja, ç’mesazh duhet të përcjellë e si duhet të mbyllet filmi.

Përtej kërkesave të tyre qëndronte gogoli “revizionist” me një tufë akuza si “ndikime të artit borgjez e revizionist”, “mosevidentim i rolit të partisë“, “paqartësi në trajtimin e luftës kundër okupatorit”, “gabime në trajtimin e luftës së klasave”, etj. etj. dhe dihej si shkonte puna me artistin që ngarkohej me faje të tilla: shembëlli i Dhimitër Xhuvanit nuk mund të harrohej lehtë. Nga ana tjetër, vërejtjet që bënin ata s’ishin një kapitull që mund të shtrohej për diskutim: zbatimi ishte detyrim dhe s’kishte as edhe një mundësi tjetër.

Në bazë të procedurës së atëhershme, pas inçizimit përfundimtar filmi “Vëllezër dhe shokë” u pa në “kolektiv” (mbledhja e gjerë e punonjësve të sektorit krijues të Kinostudios), ku mori vlerësimet maksimale dhe i erdhi radha K.Q. të PPSH-së. Kjo instancë e miratimit të filmit, me mëndjemprehtësinë e saj karakteristike, vërejti një “gabim të madh”: vajza e re në film, na qenka personifikim i Shqipërisë dhe si e tillë nuk mund të lihet as të nënkuptohet se na qenka përdhunuar.

Një “gabim” tjetër ishte se nuk dilte në pah sa duhet që në rezistencën kundër fashizmit ishin pjesëmarrës vetëm komunistët dhe se modeli i tyre i shtetit, Bashkimi Sovjetik, u përqafua fluturimthi, madje me gaz të madh nga çdo fshatar i ndershëm... Tjetër, edhe në atë fshat, ashtu si kudo, duhej të tregohej medoemos roli i komunistëve si pararojë e vetëdijës popullore për liri. Pa elementin komunist, kjo vetëdije, as që mund të ekzistonte sipas kontrollorëve të KQ të PPSH-së – dhe të gjitha këto duhej medoemos të pasqyroheshin në veprën artistike prej pothuaj dy orësh.

Po si i bëhej kur filmi ishte përfunduar?

“Të xhirohen episode të tjera!” – urdhëroi partia.

U bënë shtesa dhe u vendosën – sipas kërkesave, por gjithsesi me art e me finesën e Anagnostit. U bë sërish inçizimi përfundimtar, u montua dhe negativi e doli kopja e parë – kopja e kontrollit. S’di si erdhi puna, por shokët e partisë ia befën sërish dhe mbetën të pakënaqur.

Përfundimi?

Xhirime të tjera një pas një, ndryshime në negativ e inçizime të pjesëshme të kolonës zanore. Në 22 vitet e punës sime në Kinostudio, s’kam parë asnjë film tjetër të dhunohet kaq rëndë. Ose, s’kam parë asnjë film tjetër kaq të bukur – të bukur e të vërtetë në çdo kuadër të tij, që të dhunohet kaq barbarisht!

Në një bllok që kisha bërë për t’i pasur më të qarta postet e dialogjeve (e gjeta mes disa relikeve që nuk më bën zemra t’i tret), shikoj shënimet dhe rijetoj tmerrin:

Akti I – është hequr një plan pas titrave... etj.etj... Të rregullohet negativi...

Akti II – është hequr një plan afër fundit... etj. etj...Të rregullohen të gjitha postet dhe negativi...

Akti IV – Plani I është zëvendësuar me një plan të xhiruar së fundi. Plani i nënës është zëvendësuar me një të xhiruar së fundi. Të vendosen fonot që janë ridubluar Jani-Vaso... etj. etj. Të ndryshohet negativi...

Akti V – Hiqet plani I i kënetës (pas kafenesë) dhe zëvendësohet me një të xhiruar së fundi (+7 kuadro). Rimontohet fono e Lenës...etj.etj... Korrigjim në negativ...

Akti VI- Hiqen planet e shtëpisë së Ilo Shirgut dhe shtohet një plan i xhiruar së fundi. Ndërrohet plani i Markos në bodrum. Vendoset fonograma e pastër për episodin e ri... Negativi...

Blloku vazhdon dhe “korrigjimet” shtohen nga akti në akt. KQ i PPSH-së, si një bashkëautor i mirëfilltë, jepte urdhër të xhiroheshin episode të tëra, të ndryshonte dialogu, etj. etj. Me sa mbaj mend, ndryshimet e fundit Anagnosti i bëri drejtpërdrejt në kopjen e gatshme.

Unë s’e pashë filmin me të gjitha ndryshimet. Nuk e mora dot guximin. Prandaj dhe tani u habita nga ajo muzikë e internacionales, si mbyllje.

Megjithtë, konstatova me kënaqësi që shumë pjesë të bukura, sidomos lirike, nuk ishin prekur. Po ashtu, cenzorët nuk kishin arritur të kapnin mendimin idealist të personazhit komunist se “në fillim do jetë fjala, e pastaj vepra” dhe as ndonjë ide tjetër që mund të tingëllonte si “propagandë antiparti” dhe që Anagnosti e kishte fshehur duke e dhënë përmes gojës së personazheve të trajtuara pa simpati.

Tani kanë kaluar kaq vite dhe shumë ngjarje më janë fshirë nga kujtesa. Megjithatë, mbaj mend se në vitin 1980 kur u realizua “Vëllezër dhe shokë”, punohej ende në ndërtesën e vjetër të Kinostudios. Anagnosti (Taqua), kishte namin e regjisorit kërkues “që ta merrte shpirtin në punë”, megjithatë të gjithë do të donin të punonin me të. Ashtu edhe unë, për pjesën e montazhit megjithëse as mund të më shkonte mendja se “do të montoja filmin e Taqos”. Si në të gjithë filmat e tij, edhe kësaj radhe ai montonte vetë, unë ndihmoja dhe përpiqesha të kuptoja.

Para ekranit të moviolës Taqua ishte një mik i mirë, që të mësonte, besonte, falte dhe kërkonte. Herë-herë shtypte butonin e kuq të stopit, dhe pyeste për ndonjë gjë, jo se nuk e dinte, por më shumë për t’i dhënë zë monologut të vet të brendshëm. Një herë ndaloi moviolën, u kthye e duke më parë në sy, më tha: “Hm, kupton ti, sikur nuk e ka gabim ky... apo jo?” Ishte fjala për një “mendim reaksionar” të një personazhi negativ – dhe kuptohet, në atë moment në dhomën e montazhit s’kishte njerëz të tjerë.

Një ditë, kur kishim mbaruar punën e bëheshim gati për të ikur, më tha: “Bukë me djathë. Arti që bëjmë është bukë me djathë”. Hapa sytë, si një njeri që nuk kupton dhe Taqua vazhdoi: “Bukë me djathë hamë, bukë me djathë është arti që bëjmë...”

Me sa duket atë ditë ka qenë i pakënaqur nga puna. Ose ka ndjerë absurditetin e pagës që bëhej sipas kategorive ku fjala “talent” s’kishte qasje. Por mbase atë ditë mund edhe të ketë frenuar apo censuruar atë që do të kishte dashur të bënte. Dhe kush mund të thotë sa frenime të tjera ishin bërë që në skenarin letrar e më pas, për të shmangur sa më shumë rreziqet e ngecjes nëpër pezhishkat që endnin cenzorët e zellshëm?! Sepse autocensura ishte pjesë e domosdoshme e procesit krijues, sidomos për ata artistë që e ndjenin veten ngushtë brenda kornizave të realizmit socialist.

Megjithatë, pavarësisht nga momentet e pakënaqësisë, që gjithsesi janë pjesë e procesit krijues, mendoj se Anagnosti është i vetëdijshëm për artin e tij. Ai e punon dhe e gdhend veprën artistike me durim e dashuri, pa u mërzitur. “Ja, kështu, një kuadër këtu, diçka atje... ky është arti, apo jo...”, më tha një ditë kur sapo kishte bërë një ndryshim të vogël, por me shumë lodhje, që ndokush mund ta quante edhe të parëndësishëm. Arti i tij është e bukura që hyn drejtpërdrejt në shpirt, pa marrë lejë në portën e mendjes. Nga ana tjetër ky art, duke qenë prodhim i ndjenjës aq sa dhe i mendjes së Mjeshtrit, pasi i ka folur shpirtit, si çdo art i mirëfilltë, fillon të lëvizë dhe ingranazhet e të menduarit.

Nuk më harrohet një plan muzgu në fshat, ku tutje, në fund të një rrugice duket silueta e një gruaje që përkulet, merr një gur e ia hedh pulës e cila s’donte të kthehej në qymez. Gruaja u dublua dhe plani u pasurua me fjalën-pasthirrmë që ajo i drejtonte pulës së pabindur. Ky zë i largët i jep kaq shumë jetë një plani panoramik pa personazh, sa edhe shikuesi më i ftohtë ndjehet papritur si personazhi i vërtetë i peisazhit dhe kështu tërhiqet nga regjisori më brenda ngjarjes që do të vijojë... me shpirtin të ngrohur e të hapur për të qenë edhe dëshmitar i asaj që do t’i serviret.

Anagnosti ishte i vetëdijshëm për nivelin artistik të filmit, që kur ishte ende në proces pune dhe prandaj i ndjeu thellë ndërhyrjet.

Një ditë, pas një prove për inçizimin e aktit të pestë, më mori nga dora stilokalemin dhe shkroi në një nga fletët e qepura të bllokut tim “I think: this film ëill be a hit.” Dhe kishte të drejtë: larg të qënit euforik apo mëndjemadh, ai ishte thjesht i vetëdijshëm - këtë e tregonte puna e palodhur për të nxjerrë më të mirën, deri në fund. Në atë kohë s’e parashikonte dot atë që do të vinte pas disa ditësh.

Por unë do të kisha dashur që shikuesit e sotëm, sidomos ata më të rinjtë, të mundohen të zbulojnë në vargun e episodeve, planeve dhe dialogjeve të filmit, ato që u shtuan ose u shndërruan me dhunë, dhe t’i largojnë nga perceptimi i tyre përfundimtar për këtë vepër artistike.

Po si mund të dallohen këto?

Mendoj se nuk duhet të jetë dhe aq e vështirë. Për shembëll, njerëzit që kanë të zhvilluar anën vizuale të vëzhgimit, mund të dallojnë ku personazhi “pozitiv”, flet me kraharor të fryrë. Ose të vërejnë zërat që vijnë nga jashtë kuadrit, p.sh. lexime letrash, ose ku personazhi që flet është me shpinë...

Ata shikues që kanë më të zhvilluar anën logjike, le ta zhveshin filmin nga zërat dhe episodet ku personazhet flasin me një ndjenjë sigurie të plotë ose ku bëjnë propagandë. Po ashtu, ta zhveshin filmin nga episodet e detajet që idenë e thjeshtë, nacionaliste antifashiste (të Autorit) “pushtuesi kur të vjen në shtëpi, të merr tokën, të merr ujin, të merr nderin”, e mbyt në kënetën e propagandës “komunizmi dhe modeli i Bashkimit Sovjetik është shpëtimi ynë, edhe nga pushtuesi i huaj...”.

Ndërsa shikuesit që kanë më të zhvilluar orientimin përmes të ndjerit, duhet të kenë kujdes të dallojnë momentet kur fillojnë të kenë nevojë për më shumë ajër (nëqoftëse kanë pikë të dobët zemrën), ose kur fillojnë të kruhen (nëqoftëse pikën e dobët e kanë në mëlçi)...

Dhe që shikuesit e sotëm të rinj të kuptojnë në thellësi filmat e periudhës së socializmit, do të duhej një prezantim serioz si edhe një kritikë kinematografike profesioniste, konkrete, që do të zbërthente domethënien e detajeve artistike. Sepse, duke pranuar të vërtetën, që edhe në ato vite të errëta artistët e vërtetë ditën t’i përcjellin kombit art e vlera, ka rrezik të ngatërrojmë të rinjtë e të t’i bëjmë të mendojnë se këto vlera i takojnë edhe pushtetit politik të asaj kohe. Apo, t’i shtyjmë të mendojnë se të gjithë artistët e asaj kohe vepronin të lirë dhe kishin bindje komuniste.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • fatmiri: - 09-10-08
    Ngelet vetem duke share vehten

    Une nuk e marr dot me mend se si Atalanta Pasko paska egzistuar ne ate kohe me kete emer!Ju artistet ngelet tere jeten duke u ankuar per komunizmin, sepse veç qefeve te tjera edhe pornua qe ish e ndaluar ne ate kohe, ju e benit. I rrini bythes siper- si thote populli nga anet tona e beni ndonje pune te merrni ca leke , pa vlera edukimi apo vlera artistike sot eshte bishti i kalit me boje ne leter. Qefin qe keni bere ju , nuk e benin as kooperativistet e as puntoret e uzinave apo te naftes. Ai qe eshte trajtuar me mire , ai ankohet me shume sot. Ju e brodhet dhe boten qe ne ate kohe kur as miza nuk delte jashte kufijve. Na jeni bere shume te besdisur me diskutimet tuaja bajate ( jo te gjithe, por ata qe kane qene dhe me te dobtit tani na hiqen sikur kane qene yjet e ollivudit); Edhe sot ne te tjeret nuk mundemi dot ti shkruajme ato qe kemi hequr, por dhe çfare do te fitojme. Mire qe gjejme ndonje shtek ketu neper gazetat ne internet dhe çfryjme, megjithese kemi veshtiresi me te medha sot se ne kohen e komunizmit. Atehere kishim nje pune, familje, ishim afer me njerzit, venim ne dasma apo vaki, shkollen e kishim falas, spitalin falas, po te ngeleshe pa buke veje te kryetari i keshillit e merrje nje cope leter e shkoje e merrje buke falas ne dyqan apo magazi, ndersa kur vinit ju ne fshat e hanit mishin te pjekur ne hell e rakin e rrushit e kthenit me bodile. Ku bie Atalanta?! Mos vazhdoni te nxini faqet e bardha me shkronjat e zeza kot. Une porosi jap. Kush ka vesh e degjon. A, ne qoftese merrni ndonje leke nga gazeta, vazhdoni. Ekonomi tregu eshte çdo gje mbi toke tani!

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML