ELBASAN – Mëmë vrasësja e antikitetit, nuk na vjen si një grua plot hire, porn ë një karrocë me rrota. “Medea” e Euripidit ka ardhur nëpërmjet regjisë së Slobodan Milatoviç në skenën e Teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit, duke hapur kështu edicionin e dhjetë të festivalit. Aktorët e trupës së grupit teatral Kotor, të Malit të Zi përcollën tek publiku një perceptim ndryshe të “Medeas”, të gërshetuar me elementët modernë. Karrikja me rrota dhe orkestra e shoqëruar nga kori, me interpretimin e protagonistëve, janë gërshetuar në tragjedinë antike të Medeas.
Aktorja protagoniste Tihana Culafic nëpërmjet interpretimit të saj ka sjellë Medean si përfaqësuese e figurës së gruas, që e lënduar dhe e mposhtur nga kotësia, arrin deri në krimin ekstrem të vrasjes së fëmijëve të saj. Plastika, skenografia, elementet përbërës, si kori dhe orkestra, janë diskutuar gjerësisht në konferencën për shtyp. Regjisori i pjesës Milatoviç tha se shfaqja ishte projektuar për t’u dhënë në shesh. Ai e cilësoi spektakël më vete interpretimin jashtë, që sipas tij ka mundësi shprehjeje dhe skena teatrore nuk t’i ofron.
Në fakt vlerësimet për pjesën kanë ardhur natyrshëm për gjetjet regjisoriale, për interpretimin dhe për formën se si “Medea”, kjo tragjedi mjaft e njohur erdhi tek publiku. E vetmja vërejtje e pjesëmarrësve në konferencë ishte përmbledhja e pjesës në shqip, gjë që për shkak të problemeve teknike në natën e parë mungoi. Për herë të parë një trupë malazeze ka dhënë shfaqje në festivalin teatror, dhe sipas kritikëve dhe vlerësuesve të kësaj ngjarjeje të teatrit, shfaqja e parë ruan konturet tashmë traditë të festivalit teatror “Skampa” dhe i përgjigjet sloganit për një teatër ndryshe. Maqedonia ka vazhduar në ditën e dytë me pjesën “RunaËay” të Teatrit Kombëtar Shqip të autorit Vasil Iljovski dhe regji të Dejan Projkovski.