Fier- Tashmë ata janë më të trishtuar se më parë. Vetmia është edhe më e rëndë. Monotonia edhe më e zymtë. Artdashësi fierak ndoqi mbrëmjen e së shtunës dramën “Pushtet”, të autorit argjentinas Eduardo Pavllovski, shqipëruar mjeshtërisht nga aktori dhe regjisori Minella Borova. U vu në skenë nga regjisori Adonis Filipi, me kostumografi të maqedonasit Blagoj Mecevski, skenografi të Gëzim Hajdinit dhe muzikë të Robert Hoxhës. Drama erdhi me mjaft profesionalizëm nga aktori Klajdi Marku dhe aktorja e re Doriana Caushi.
Pas shfaqjes në skenën fierake, drama "Pushtet", do të shfaqet pas dy ditësh në Festivalin Mbarëkombëtar të Dibrës. Vepra sjell dramën e një familjeje argjentinase, ku prindi nuk ka më “pushtet” tek fëmija e vet në moshë madhore. Është drama e një mjeku argjentinas, të cilin një ditë e thërrasin në telefon disa vrasës gjakftohtë, që sapo kishin bërë një vrasje familjare. Një çift ekstremistësh të masakruar, ishte pamja fatale që do t’i shpalosej mjekut para syve, ndërsa në dhomën tjetër një fëmijë disa javëshe, qan e lebetitur. Mjeku që nuk kishte fëmijë, e merr, e çon në familjene vet, ku e priste gruaja e tij Ana- Maria dhe e rrisin me shumë dashuri vajzën e vogël, Adrianën.
Por kalojnë vitet dhe kur Adriana bëhet 18 vjeç, dikush troket në derën e tyre. Një burrë i veshur “shik”, me një pamje të pushtetshme hyn në familjen e tyre, duke iu thënë se “kohërat kanë ndryshuar”. Ai e merr Adrianën me vete. Ajo ikën me të panjohurin pa e kthyer kokën pas. “Kjo është drama e çiftit argjentinas, familjen e së cilës e pushtoi sërish monotonia dhe zymtësia e jetës, shumë herë më e trishtë, sesa kur nuk kishin fare fëmijë”, - pohon Marku. Me një gjuhë elegante, me një stil modern, drama rrezatoi jo vetëm dramën njerëzore, por sidomos kulturë, që u reflektua edhe te pritja që i rezervoi publiku që mbushi sallën.