Dje në Shkup u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare “Ballkanika”. Bashkim Shehu me “Angekus Novus” renditet i dyti
Një hamam ballkanik meritoi dje çmimin letrar ndërkombëtar “Ballkanika” 2007. Bëhet fjalë për veprën e Vladislav Bajac, një nga shkrimtarët më të njohur serbë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit. Bajac u ndoq nga përfaqësuesi shqiptar, Bashkim Shehu me romanin “Angelus Novus”. Dje në Shkup u zhvillua ceremonia e ndarjes së një prej çmimeve më të rëndësishme letrare në Ballkan.
Juria ndërkombëtare e përbërë me anëtarë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse, vlerësoi me këtë çmim shkrimtarin serb, Vladislav Bajac me romanin “Hamami ballkanik”. Krahas diplomës së nderit dhe një shpërblimi financiar, Bajac përfitoi botimin dhe përkthimin e veprës në gjuhët ballkanike, që do të thotë edhe në shqip.
Shumë pranë çmimit u ndodh edhe shkrimtari shqiptar, Shehu, i cili u rendit i dyti në votim. Shpresat që “Ballkanika” të rikthehej në Shqipëri ishin të mëdha, duke qenë se vepra, me të cilën përfaqësoheshim në këtë garë, është një nga prurjet më të mira në letrat shqipe, në këto kohët e fundit. Në “Angelus Novus”, i cili momentalisht është në proces botimi në Amerikë e Francë, ndihen notat autobiografike. Si djalë i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, për shumë vite krahu i djathtë i Enver Hoxhës, Bashkim Shehu, ka njohur realisht burgun.
Shehu kërkon t’i japë përgjigje pyetjeve mbi të kaluarën e afërt të shqiptarëve, duke iu referuar tablosë së piktorit Paul Klee, “Angelus Novus”, që frymëzoi estetin hebre Ëalter Benjamin për një anatomi të raportit të njeriut me historinë. Shehu i referohet vdekjes në lule të moshës së Benjaminit për të treguar mbi një vetëvrasje të pamundur të një miku të tij në burgun politik. “Angelus Novus” u zgjodh si vepra përfaqësuese, pas një seleksionimi nga një juri e përbërë nga Jorgo Bulo, Piro Misha, Ylljet Alickaj dhe Diana Çuli.
Kjo e fundit përfaqësoi Shqipërinë në jurinë ballkanike. Këtë vit, krahas fituesit Bajac dhe Shehut, morën pjesë në konkurrim shkrimtari bullgar Alek Popov me “Kutia e zezë”, ai grek Takis Theodoropoulos me “Trillimi i Venerës së Milos”, Liljana Dirjani me “Botë të fshehta” nga Maqedonia, Aura Christi me “Vendi i paprekshëm” nga Rumania, dhe Tasim Uzjel me veprën “Gradaçiela”, si përfaqësues i Turqisë.
Shqipëria është përfaqësuar në 11 edicionet e Çmimit Letrar “Ballkanika” me shkrimtarë si Ismail Kadare, Ylljet Aliçka, Aurel Plasari, Mimoza Ahmeti, dhe Fatos Kongoli, i cili ka fituar çmimin “Ballkanika” me romanin “Ëndrra e Damokleut”.