U shfaq në kinema “Millenium” dokumentari “Në vendin e shqiponjave” me tekst të Ismail Kadaresë dhe regji të Fatmir Koçit
“Ëndrra për lirinë është më e bukur se vetë lirija”. Me këto fjalë mbyllet dokumentari “Vendi i Shqiponjave – Duke zbuluar historinë e Shqipërisë në shek. XX”, i cili u shfaq mbrëmjen e së shtunës në Kinema “Millenium”. Pasi është shfaqur në disa ekrane të huaja, dokumentari me regji të Fatmir Koçit, tekst të Ismail Kadaresë, me producente, Donika Bardhën, mbërriti më në fund në vendin e origjinës, në “vendin e shqiponjave”. Një qëmtim i Arkivave të Filmit Shqiptar, që na ofron historinë ashtu siç ka qenë dhe jo ashtu si na është servirur. Nuk ka nota të theksuara heroizmi për gjoja vendin më të bukur e më të lumtur në botë. Madje në tekst ndihen notat e holla të ironisë “a la Kadare”. Por në të vërtetë pamjet që ofrohen flasin shumë më tepër se fjalët. Koçi e ka ngritur dokumentarin e tij mbi materiale filmike, që gjenden më së shumti në Arkivat e Filmit Shqiptar, por janë shfrytëzuar edhe burime të tjera, si Arkivat e Institutit Italian “Luce”, etj. Nuk vijnë fragmentare, të shkëputura, por rrjedhin ashtu si vitet dhe vetë historia, që në “vendin e shqiponjave”, nuk ka shumë gjëra për t’u krenuar. Pamjet na çojnë në fillimeshekullin XX. Aso kohe Shqipëria ishte ndoshta këndi më i humbur dhe i panjohur i Evropës. Ende nën Perandorinë Osmane. Këmbë të zbathura, të zhytyra në baltë, gra të mbuluara me ferexhe, një popullsi tërësisht fshatare, një kryeqytet me një xhami e një pazar… Zakone, tradita, rite martesash, veshje… Gjithçka si në Mesjetë. Imazhe bardhë e zi, që kontrastojnë me ndërtesat madhështore, me një arkitekturë të rrallë të Londrës, ku vendoseshin fatet e trojeve shqiptare. Dokumentari ofron një material të ngjeshur, që nga periudha nën Perandorinë Osmane, në Pavarësi, copëtimin e trojeve, lëvizjet politike, qeveria e Nolit, ardhja e qeverisë së Zogut, shpallja e monarkisë, dasma e Mbretit, marrëdhëniet me Italinë, pushtimi nazifashist, qëndresa, partitë politike, fitorja e komunizmit, regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, vëllazëria me Rusinë, Kinën, zhvillimi ekonomik, propaganda, lufta e klasave, përndjekja, burgosja, ateizmi, eleminimi i kundërshtarëve, apo rivalëve politikë, që nga Koçi Xoxe, tek Mehmet Shehu, vdekja e diktatorit, rrënimi ekonomik, rënia e diktaturës, pluralizmi, thyerja e ambasadave, eksodi, ardhja e Papës dhe Nënë Terezës. Dokumentari ofron pamje të panjohura, apo pak të shfaqura. Interesante paraqiten materialet që na vijnë që nga vitet e para të shek. XX. Mjerim dhe varfëri e skajshme. Kontrastet mes popullsisë së thjeshtë dhe klasës politike që vishej “alla frënga”, në kohën e Mbretit Zog. Jeta e familjes mbretërore, pjesëmarrja nëpër aktivitete sportive e ceremoni ushtarake të motrave të mbretit, të cilat nga emancipimi, mënyra e të veshurit, nuk i lënë gjë mangut grave në vendet më të zhvilluara të Evropës. Si një bumerang vijnë pamjet nga vitet e diktaturës. Aksionet për ndërtimin e vendit, emancipimi i shoqërisë, shenjat e para të liberalizmit, paradat e para të modës me basmat dhe stofrat e Kombinatit të Tekstileve, për të vijuar me periudhën e zymtë të përndjekjeve dhe eleminimeve politike. Në dokumentar ecin paralelisht zhvillimet politike me ato ekonomike. Aleancat politike, vizitat e liderëve rusë e kinezë, ofrohen përmes pamjeve me doza të nëndheshme humori. Puthje të nxehta mes udhëheqësve komunistë, më tej edhe pak kërcim tradicional shqiptar, për t’i përcjellë pak vite më vonë si armiq të marksizmit dhe leninizmit. Të gjitha të shoqëruara edhe me një koment të lexuar në gjuhën angleze nga aktori anglo-amerikan Michael York dhe muzikë nga Moxart, Bach, Beethoven, Zadeja, Arapi, etj. Dokumentari mbyllet me vizitën e Sekretarit të Shtetit Amerikan, James Becker. Historitë e pas ’90-ës u përmblodhën shkurtimisht me titra. Në këtë periudhë prej gati dy dekadash, shqiptarët kuptuan se ëndrra për lirinë ishte më e bukur se vetë liria.