Kinema
“Jeta që prêt” vijon Javën e Filmit Spanjoll. Prej ditës së djeshme, po zhvillohet në Kinema Imperial “Java e Filmit Spanjoll”, gjatë së cilës po shfaqen prodhimet më të mira të kinematografisë spanjolle. Filma që kanë fituar çmime, si ai që u shfaq dje në mbrëmje, “Deti Brenda”, i regjisorit Alejandro Amenabar. Fitues i Çmimit Oskar për Filmin e Huaj më të Mirë, fites i Globit të Artë 2004 për filmin më të mirë jo anglishtfolës, fitues i 14 çmimeve Goya dhe Çmimit të Madh të Jurisë në Festivalin e Venecias, ndërmjet shumë çmimeve të tjera.
Filmi i sotshëm me regji të Manuel Gutiérrez Aragón, na çon në luginat idilike të një rajoni në veri të Spanjës, ku shpërthen një grindje me pasojë vdekjen. Gildo vret fqinjin e tij Severo. Motivi, një zënkë për një lopë qumështi të shëndoshë e të bukur. Por nuk ka vetëm lopë në luginat e thella të Pas. Vajzat si Genia aspirojnë për një palë çizme të mira sportive dhe mësojnë të kërcejnë vallëzimin e belit. Val dhe Genia janë dy vajzat e Gildos; njëra punon nga mëngjesi në darkë ndërsa tjetra studion.
Në varrimin e viktimës mbërrin djali i tij Rai, që ndjehet i tradhëtuar nga Val, vajza e vrasësit të të atit. Val fillon të shoqërohet me Rain dhe ti nënshtrohet kërkesave të tij sentimentale me urdhër të të atit, i cili dëshiron të marrë vesh se sa është në dijeni Rai për vrasjen dhe vrasësin e të atit. Në të njëjtën kohë Rai kërkon të mësojë rreth vrasësit të të atit nëpërmjet Valit. Pak nga pak qëllimet investiguese të secilës palë ndeshen me dashurinë e vërtetë, që duket të jetë një kërcënim për të gjithë.