Dimensioni Çabej
Gjuhëtar i madh, por edhe një nga kritikët e parë të letërsisë shqiptare. Ende jo aq i njohur sa duhet, për kontributin e dhënë. Në kujtim të 100-vjetorit të Eqrem Çabejt (1908-1980), uzhvillua dje në Pallatin e Kongreseve,
A.m
Shtune, 11 Tetor 2008 09:22:00
100-vjetori
Gjuhëtar i madh, por edhe një nga kritikët e parë të letërsisë shqiptare. Ende jo aq i njohur sa duhet, për kontributin e dhënë. Në kujtim të 100-vjetorit të Eqrem Çabejt (1908-1980), uzhvillua dje në Pallatin e Kongreseve, një konferencë e gjerë shkencore, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Kosova, por edhe vende të tjera si Italia, Austria, etj. Konferenca shkencore u zhvillua nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bukura, në Kosovë. Për Presidentin Topi, 2008-a, është viti që mban dy ngjarje të rëndësishme kombëtare dhe historike. “Viti i dy jubileve të shënuara, 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, që na dha alfabetin e shqipes, dhe 100-vjetori i lindjes së shkencëtarit të madh të gjuhësisë shqiptare, akademikut Eqrem Çabej, emri dhe vepra e të cilit na kanë mbledhur sot”,- tha Presidenti Topi, duke shtuar se jeta dhe vepra shkencore e dijetarit të ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e kombit, me gjuhën shqipe dhe me popullin shqiptar. Në kujtim të Prof. Çabej, viti 2008 është shpallur si "Viti Çabej". Në Konferencën e djeshme akademikë të shkencave, studiues të Albanologjisë, të Departamentit të Gjuhësisë dhe të fakultetit të Histori-Filologjisë, referuan mbi aspekte të ndryshme të punës studimore të Çabejt.
Kështu, Rexhep Ismajli na ofroi trajtimin sipas Çabejt dhe pasardhësve të tij të çështjes së prejardhjes së gjuhës shqipe, Seit Mancaku, studimet etimologjike në fushën e shqipes nga Meyeri te Çabej. Interesant u paraqit kumtesa e studiuesit Sabri Hamiti, i cili na ofroi një dimension tjetër të figurës së Çabejt, të kritikut letrar, i cili ka marrë në shqyrtim qysh ne fillim të shekullit të kaluar veprën e romantikëve shqiptarëve, për të vijuar tek modernët, të cilët ai ia shihte gjenezën që tek poezia e Asdrenit, për të vijuar tek Poradeci, veprën e të cilit, sipas Çabejt, në kohën kur ai kreu këtë studim (1929), bashkëkohësit, ende nuk e kishin shijuar në thellësi. Hamiti thotë se studimet e Çabejt kalonin në kufijtë e psikanalizës. Studiuesi Kolec Topalli, iu rikthye edhe një herë studimeve etimologjike të Çabejt, që sipas tij ngriheshin mbi bazën e një metodike shkencore, pa u ndikuar nga patriotizmi patetik, “siç ndodh sot me ca pseudogjuhëtarë, të cilët e bëjnë shqipen nënë e të gjitha gjuhëve, nga mund të zbërthehet që nga greqishtja e vjetër, deri tek gdhendjet në piramidat e Egjiptit”. U diskutua gjithashtu për studimet e tij morfologjike, botimet kritike të Mesharit të Gjon Buzukut, fjalëformimin e shqipes, etj. Të gjitha këto vepra, ende jo fort të njohura për lexuesin shqiptar. Sipas të bijës së gjuhëtarit, Brikena Çabej, këto vepra janë botuar më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri.
|