Shoqata europiane e gjykatësve-shkrimtarë në Romë i kërkon falje shkrimtarit Visar Zhiti për dënimin monstruoz, të dhënë nga kolegët e tyre shqiptarë
Shoqata europiane e Juristëve-shkrimtarë u mblodh në Romë në Kuvendin e saj të tretë. Tema e kuvendit është “Poezia e Drejtesise”, do të thoshte kryetari Gennaro Francione, gjykates-romancier e dramaturg, eseist gjithashtu, autor dhe i një drame për Skenderbeun, kurse presidenti artistik i Kuvendit, Stefano Leconte, do ta çelte takimin me një homazh magjistratit Ugo Betti, njërin prej tre dramaturgëve më të mëdhenj italianë, së bashku me Pirandelon dhe Eduardo De Filippo-n.
Në këtë gjysmë shekulli, do të theksonte ai, rreth 130 gjykatës- shkrimtarë po japin një dukuri unikale në letërsine e të gjitha kohëve. Rreth 40 magjistratë të tjerë si Umberto Apice, Paolo Auriemma, Antonio Bevere, Valentino de Nardo, Luigi Condemi, Giovanni Gazzara, Alfonso Malinconico, Italo Radoccia, por dhe avokate si Giovanni Cipollone, Luigi di Majo, Massimiliano Kornmuller, Francesco Petrillo, Donato Mario Pugliese, etj., dhanë relacionet e tyre eseistike. I ftuar nderi ishte zgjedhur shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik. Ai u thirr në skenë, ku e prezantuan dhe si zv/ambasador në Ambasadën e Shqipërisë në Itali.
Pyetjet ishin të shumta dhe nga më të papriturat, ku të pranishmit donin të dinin se si ai u dënua në vendin e tij, përse, a janë dënuar dhe të tjerë duke patur si shkak vetëm poezinë, a mundej të shkruaje dhe në burg, si ruheshin shkrimet, si mund t’i nxirrje ato nga qelitë, etj, etj. Pas rrëfimeve tronditëse të Visar Zhitit, Kryetari i shoqatës europiane të juristëve-shkrimtarë, Gennaro Francione, ndër të tjera tha se “gjykatësit edhe gabojnë dhe dënimi s’është gjithmonë i drejtë, por është e tmerrshme të dënosh të tjerët për poezitë e tyre.
Kështu më shumë jemi të vetëdënuar. Kush jemi ne që kemi të drejtë të dënojmë”,- thirri ai si një Hamlet. “Unë si jurist, e ul kokën tani dhe, po të kisha togën e gjykatësit këtu, do t’ia jepja Visar Zhitit”. Me një veprim dhembjeje, Francione, në emër të gjithë gjykatësve të botës, bëri atë që s’ishte bërë ndonjëherë, i kërkoi falje Visar Zhiti, sepse gjyqi, tha ai, kudoqoftë ai gjyq, kishte dënuar një poet. “Jam në momentin më të lartë të jetës”,- përfundoi ai. “Ky është (anti)gjyqi im, ku unë erdha me dëshirë, e mori fjalën Zhiti, dhe, i ndodhur para faljes së parë që më kërkohet, jam i emocionuar dhe besoj te drejtësia e faljes. Po unë kam shokë të pushkatuar dhe e drejta e faljes, sublimisht, është e tyrja. Poezia që ata lanë, është më e fortë se diktaturat.
Mes duartrokitjeve të shumta, Visar Zhiti më pas lexoi në gjuhën amtare poezi të shkruara në burg, kurse të perkthyera në italisht i lexuan gjykatësit italianë, pjesëmarrës në këtë kuvend. “Edhe ne po bëjmë antisentencën”,-thanë ata. Një tjetër ndërhyrje tronditëse ishte dhe nderimi post mortum i një gjykatesi nga ishulli i Iskias, njëkohësisht dhe shkrimtar, Enrico Monti. E bija e tij, Johanna, solli kujtime të të atit, nga kampet e përqëndrimit në Gjermaninë naziste, të përmbledhura në librin e njohur “Kappusta”, ku vuajtja dhe vdekja ngjanin si dy pika loti me ato të komunizmit.
Sipas diskutantëve në vazhdim ishin të nevojshme kultura dhe artet, që drejtësia të bëhej më e drejtë dhe brezave të rinj t’u mësohej etika nëpërmjet së bukurës. Performancat dramatike si “Himni i Bukurise - nga qelia e Dostojevskit” e monologët nga vepra të Molierit e të autorëve të pranishëm përforcuan motivin mbyllës të kuvendit se “E bukura do ta shpëtojë botën”. Por kulmi u konsiderua nga të gjithë çasti real i faljes, kur gjykatësit u përulen para të denuarit të tyre dhe vetë Kuvendi i Tretë i shoqatës europiane të gjykatësve-shkrimtarë mori emrin “Kuvendi i faljes”.
Një i denuar shqiptar i diktaturës tronditi juristët europiane. Nuk ka shumë rëndësi që kjo ishte midis shkrimtarësh. Po edhe kjo ka rëndësinë e saj, domethënien tronditëse. Se shkrimtarët e dënuar në Shqipëri kanë patur për dëshmitarë, provokues apo akt-ekpertizues kolegët e tyre, shkrimtarë të tjerë dhe intrigat më të mëdha, prapaskenat, nuk u bënë nëpër vepra, por në jetë, me epilogë salla te errëta gjyqesh e skudra pushkatimi. Po a do të dijnë të kërkojnë falje ndonjëherë? Sa më e largët të jetë ajo ditë, aq më afër krimit do të mbetimi. Madje dhe bashkëfajtorë pranë gropës së hapur.